Mesazhi Presidentit Meta: Fëmijët meritojnë një Shqipëri më njerëzore

Diel, 30 December 2018 17:43

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kremtoi sot festat e fundvitit me fëmijët pa kujdes prindëror të Fshatit SOS, për të cilët shtroi edhe një drekë, duke festuar së bashku me ta.

Presidenti i Republikës duke u uruar përzemërsisht ‘Gëzuar Vitin e Ri’, atyre dhe të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, shpërndau libra dhe dhurata simbolike.

Duke përshëndetur fëmijët, edukatoret dhe mësueset e tyre, Presidenti Meta theksoi se:

‘Jam shumë i kënaqur që jemi së bashku në prag të festës së Vitit të Ri duke ju garantuar se nuk do të jeni kurrë vetëm.

Urimi im për vitin që vjen është që të jetë një vit më i mirë për të gjithë shqiptarët, por sidomos për të gjithë fëmijët e Shqipërisë dhe për të gjithë ju. Sepse vetëm duke treguar më shumë kujdes, vëmendje e mbështetje ndaj fëmijëve, duke treguar më shumë kujdes ndaj të rinjve ne do ta bëjmë Shqipërinë edhe më të bukur edhe më njerëzore, edhe më të bashkuar, edhe më të fortë, edhe më europiane. Gëzuar dhe mbarësi për 2019-n!’, - tha Presidenti i Republikës, i cili shoqërohej edhe nga dy fëmijët e tij, vajza Era dhe djali Besar.

I pranishëm ishte edhe aktori i mirënjohur i humorit, Bes Kallaku, i cili i dha një atmosferë festive kësaj dreke, ndërsa fëmijët kishin përgatitur recitime dhe këngë të ndryshme.

Gjithashtu, Presidenti Meta u interesua për mbarëvajtjen e fëmijëve të Fshatit SOS në mësime dhe teksa u dhuroi atyre libra, u shpreh se: ‘libri është dhurata më e mirë, sidomos për fëmijët. Investimi për arsimimin cilësor të fëmijëve dhe të të rinjve është investimi i duhur dhe më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane’.

Login to post comments