Truproja i qëlluar me thikë për vdekje, jashtë ambienteve të një feste me “drita të kuqe” në prag të Vitit të Ri të organizuar nga Eddie Davenport në Mayfair, ishte viktimë e pafajshme e luftës së ashpër për territore mes bandave. Të paktën kështu thonë burime pranë mashtruesit famëkeq.
Tudor Simionov, 33 vjeç, u shpall hero pasi luftoi trimërisht me 9 persona të paftuar jashtë shtëpisë 12.5 milionë paund në Mayfair të Londrës Qendrore, gjatë orëve të para të mëngjesit, përpara se të qëllohej me thikë në gjoks.
Një burim ka thënë për “Daily Mail”, këtë të dielë, se agresorët ishin banditë që mbërritën në festë me synimin për të vjedhur parà nga tutorët, prostitutat dhe shpërndarësit e drogave brenda. Personat, që besohen se janë shqiptarë, thuhet se po zhvillojnë një betejë me bandat rivale për të kontrolluar tregun e prostitutave në Londër.
Davenport, 53 vjeç, i cili bëri emër duke organizuar festa orgjish për nxënësit e pasur të shkollave publike, u dënua me 8 vite burgim në shtator të vitit 2011, për një mashtrim 4.5 milionë paund.
Truproja e sigurisë, Simionov është transferuar në Londër nga Rumania vetëm dy muaj më parë, në kërkim të një “jete më të mirë”. Veç tij, edhe dy pjesëtarë të tjerë të sigurisë, 37 dhe 29 vjeç, por edhe një grua 29-vjeçare, u sulmuan me thikë.Edhe pse ka dalë tashmë nga burgu dhe njihet për organizimin e festave të seksit, avokati i Davenport këmbëngul se nuk ishte ai organizatori, sikurse as nuk ka marrë parà nga të ftuarit, por nuk konfirmoi nëse “Lordi” ishte i pranishëm apo jo në festën që po zhvillohej në shtëpinë e tij./TCH/