Detajet tronditëse/ “Vrava gruan e të motrën, interesohuni për fëmijët”, autori i masakrës së Ballshit shkoi në Polici me…

Diel, 06 Janar 2019 12:44

 Gazmend Musta, 33-vjeçari që masakroi me thikë bashkëshorten e motrën e saj ditën e dytë të vitit të ri, pas krimit, ka marrë për dore dy fëmijët e mitur dhe është nisur drejt Stacionit të Policisë së Ballshit. Sapo është ndeshur me policët para Komisariatit, ai ka hedhur në tokë thikën, me të cilën kishte kryer krimin dhe u ka kërkuar atyre që të interesoheshin për mirëqenien e fëmijëve të tij të mitur.

Në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për caktimin e masës së sigurimit ndaj 33-vjeçarit nga Ballshi, që kreu krimin në familje, shpjegohen rrethanat e vrasjes së dyfishtë, provat e administruara nga Policia, si dhe deklarimet e familjarëve të autorit e viktimës. Sipas kërkesës, që publikohet e plotë nga gazeta “Panorama“, i dyshuari Gazmend Musta e ka kryer krimin në prani të fëmijëve të tij, vajzës 7 vjeç e djalit 3-vjeçar.

Më pas i ka telefonuar të atit, duke i rrëfyer krimin, ka marrë fëmijët për dore dhe i është drejtuar Policisë, duke treguar ngjarjen. Më poshtë, dosja e plotë e Prokurorisë për ngjarjen e ndodhur në Ballsh më 2 janar të këtij viti.

KËRKESA E PROKURORISË PËR VLERËSIMIN E ARRESTIMIT NË FLAGRANCË DHE CAKTIMIN E MASËS SË SIGURISË NDAJ GAZMEND MUSTËS

Më datë 03.01.2019, zyra e prokurorit për Krime të Rënda Tiranë regjistroi procedim penal nr.01/2019 për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” (dy herë), e parashikuar nga neni 79/c (dy herë) i Kodit Penal, ndaj të dyshuarit Gazmend Bedri Musta, i ditëlindjes 05.08.1985, i lindur në Ballsh e banues në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, i paraburgosur në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier si i dyshuar për kryerjen e krimit që i referohet ngjarjes vijuese: Më datë 02.01.2019, rreth orës 17:00, policë të Stacionit Vendor të Policisë Ballsh, u përballën para Stacionit Vendor të Policisë me shtetasin Gazmend Musta dhe dy fëmijët e mitur të tij, të paraqitur këtu me një makinë “Audi”, i cili pretendoi se para pak çastesh, në banesën familjare të tij në Ballsh, kishte vrarë bashkëshorten dhe kunatën e tij.

Me vete, Gazmend Musta kishte dhe një thikë që e hodhi në tokë. Ai u kërkoi policëve të interesoheshin për mirëqenien e fëmijëve të tij të mitur. Nga këqyrja në banesën familjare të Gazmend Mustës, në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, në dhomën e ndenjes, në divan, u gjetën dy trupat e pajetë të dy personave të seksit femër, që u identifikuan si Gentiana Bashkim Çaushaj, e vitlindjes 1987 dhe Milisa Bashkim Çaushaj, e vitlindjes 2000 (motra).

E para, bashkëshortja e Gazmend Mustës, ndërsa e dyta kunata e tij, të dyja banuese më parë në Drizar, Mallakastër, te prindërit e tyre. Te të dyja u vërejtën plagë të shumta trupore me rrjedhje gjaku. Njolla si të gjakut u vërejtën dhe në një çarçaf dhe dy batanije. Njollat si të gjakut u morën me tamponë dha vendngjarja.

Edhe nga thika e sekuestruar më parë u morën me tamponë njollat e gjakut të gjetura në të. Nga këqyrja në Morgun e Spitalit Rajonal Fier, te kufoma e Gentjana Çaushajt, 31 vjeç, u vërejtën: plagë shpuese në gjoks, dy plagë shpuese në gjirin e majtë, një plagë tjetër në nivelin e shpatullës së majtë, një plagë shpuese në krah të majtë, dy plagë prerëse shpuese në parakrah të majtë, dy plagë shpuese në pjesën e poshtme të barkut në të majtë, dy plagë shpuese në kurriz, një plagë në krah të djathtë në nivel të shpatullës.

Te kufoma e Milisa Çaushajt, 18 vjeç, u vërejtën: dy plagë prerëse shpuese sipër gjoksit në nivelin e gropës së fytit, të tilla që depërtojnë deri në brendësi të zgavrës së gjoksit, një plagë me prerje të dërrasës së kraharorit, dy plagë në gjirin e majtë, një plagë tjetër në nivelin e sqetullës së majtë, një plagë tjetër në gjirin e majtë, një plagë në parakrah të majtë, një plagë tjetër në krah të majtë, plagë në pjesën e sipërme të krahut të majtë, dy plagë në 1/3 e poshtme të krahut të djathtë, një plagë shpuese në bërrylin e djathtë, një plagë në 1/3 e kofshës së majtë, plagë tjetër në pjesën anësore të kofshës së majtë, plagë në kërcirin e këmbës së majtë, plagë në kurriz midis shpatullave, plagë në ijën e majtë. I arrestuari Gazmend Musta deklaroi se i vrau të dyja me thikën e kuzhinës, pasi nuk duroi kundërshtimin që i bëri bashkëshortja e tij.

Ai u arrestua nga Policia në Ballsh, në orën 21:00, të datës 02.01.2019. Nga sa parashtrova, krijohen dyshime të bazuara në prova se janë konsumuar elementë të veprave penale të poshtëshënuara: Më datë 02.01.2019, para orës 17:00, në banesën familjare në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, Gazmend Musta vrau me mjet të ftohtë, thikë, bashkëshorten Gentjana Musta (Çaushaj), vepër penale e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal; Më datë 02.01.2019, para orës 17:00, në banesën familjare në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, Gazmend Musta vrau me mjet të ftohtë, thikë, kunatën e tij Milisa Çaushaj, vepër penale e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.

PROVAT QË PËRLIGJIN ARRESTIMIN E GAZMEND MUSTËS JANË:

  1. 1. I dyshuari Gazmend Musta shpjegoi në prani të mbrojtësit para prokurorit, se vrasjen e bashkëshortes Gentjana dhe kunatës Milisa e bëri ngaqë bashkëshortja i kërkoi që këtë pasdite të shkonte bashkë me të motrën te banesa e prindërve të saj në Drizar, Mallakastër dhe ky nuk qe dakord që ajo të shkonte atje.

Për këtë arsye u debatua me të madhe në familje rreth orës 16:30 dhe pas kësaj mori një thikë kuzhine dhe u qëlloi të dyjave aty ku gjendeshin në divan. Kjo ndodhi në prani dhe të dy fëmijëve, Jonida, 7 vjeç, dhe Florian, 3 vjeç. Pak kohë para kësaj, tek ata kishin qenë për drekë e motra e tij, Emanuela Velçani, bashkë me të shoqin, Sajmir Velçani, të cilët banonin në Lushnjë.

Këtë pasdreke, tek ata pati shkuar dhe motra e bashkëshortes, Milisa Çaushaj. 2. Vëllai i dy viktimave, Gjyshmir Çaushaj, deklaron se bashkëshorti i së motrës, viktimës Gentjana, këmbëngulte gjithmonë që të “bëhej e tija”, herë pas here ai nuk e linte të dilte nga shtëpia, e fyente dhe e ofendonte të motrën.

Deklaroi se një ditë më parë, datë 01.01.2019, i dyshuari kishte qenë familjarisht te banesa e prindërve të viktimave në Drizar, Mallakastër. Këtë ditë të ngjarjes, ai do të shkonte për darkë te familja e të dyshuarit. 3. Bedri Musta, i ati i të dyshuarit, banues në Drenovë/ Mallakastër, deklaron se mori dijeni për ngjarjen nga i biri Gazmendi, i cili i telefonoi dhe i tha se e vrau të shoqen dhe kunatën në banesën e tij. I tha t’ia bënte hallall dhe se do piqeshin në botën tjetër.

Më parë, i dyshuari e kishte vënë në dijeni atë se sapo ishin larguar nga banesa e motra Emanuela, bashkë me të shoqin. I biri, Gazmendi, bashkë me familjen dhe e bija, Emanuela, bashkë me familjen, më datë 01.01.2019, kishin qenë për darkë në banesën e tij në Drenovë dhe këtë natë kishin kaluar shumë mirë.

Deklaruesi tregoi se para disa muajsh, Gentjana ishte larguar nga shtëpia për të shkuar te prindërit e saj në Drizar, Mallakastër dhe se prej këtu kishte shkuar pa treguar te shtëpia e xhaxhait të saj në Fier, prej nga kishte hezituar të kthehej përsëri në banesën bashkëshortore, por kishte qenë ngulmimi i deklaruesit dhe të dyshuarit që kishin bërë të mundur rikthimin e saj në banesën bashkëshortore për të vijuar martesën, duke i plotësuar asaj me këtë rast edhe disa kërkesa që ajo kishte për të qenë më e lirë dhe për të pasur mundësi të komunikonte me një telefon mobile.

Deklaruesi shpjegoi se i biri para shumë vitesh kishte qenë në Greqi për pune dhe se kishte rreth 6 vite që ishte kthyer nga atje. 4. Një thikë me dorezë të verdhë me njolla si të gjakut u sekuestrua dhe priten përfundimet laboratorike të ekzaminimit të saj. 5.

I dyshuari pretendoi se shkak për goditjen me thikë që i bëri bashkëshortes dhe kunatës së tij janë bërë ofendimet e Gentjanës ndaj tij, të cilat nuk i duroi dhe se pas kësaj nuk diti se çfarë bëri. Në rastin në gjykim, ekzistojnë kushtet e normuara nga neni 228 i Kodit të Procedurës Penale dhe kriteret ligjore të parapara nga neni 229/2 i Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masës së sigurimit shtrënguese ndaj tij.

Nuk konstatohen shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së veprës penale. Nisur nga rrethanat e ndodhjes së fakteve dhe veprimeve të kundërligjshme që e passollën atë, ndaj të arrestuarit duhet të caktohet një masë sigurimi shtrënguese. Lënia e tij do të bënte që për shkak të dyshimeve të bazuara mbi të, t’i shmangej ndjekjes penale. Për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës penale dhe të personit të dyshuar, masa e sigurimit personal “arrest në burg”, është masë më e përshtatshme në raport me nevojat e sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.

Caktimi i kësaj mase sigurimi plotëson në këtë rast edhe kriteret e veçanta të normuara në nenin 230/l të Kodit të Procedurës Penale. Në rast dënimi, i hetuari do të marrë një masë dënimi të konsiderueshme, e cila nuk mund të përllogaritet me kusht. Një masë tjetër më e lehtë nuk do të ishte e suksesshme për momentin.

Sa më lart, duke qenë se rrezikshmëria shoqërore e veprës penale dhe e autorit të dyshuar plotësojnë kushtet dhe kriteret e përgjithshme e të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues, që parashikohen nga nenet 228, 229, 230/ l të Kodit të Procedurës Penale (kritere të veçanta për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”), si dhe duke vlerësuar se çdo masë tjetër sigurimi, veç asaj të “arrestit në burg” do të ishte e papërshtatshme, bazuar edhe në nenet 244/1/ 3, 251, 252, 238, 258 dhe 259 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj: Të vlerësohet i ligjshëm arrestimi në flagrancë, kryer nga Policia ndaj Gazmend Bedri Mustës, 33 vjeç, i ditëlindjes 05.08.1985, i lindur në Ballsh e banues në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, i paraburgosur në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” (dy herë), e parashikuar nga neni 79/c (dy herë) i Kodit Penal, në dëm të viktimave Gentjana Musta (Çaushaj), bashkëshorte dhe Milisa Çaushaj, kunata. Ndaj tij të caktohet masë sigurimi shtrënguese “arrest në burg” sipas parashikimeve të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.

PANORAMA

Login to post comments