Shpenzimet për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna shënuan vlera të larta gjatë vitit 2018 në Shqipëri.
Të dhënat nga portali joqeveritar ‘Open.Spending.Albania’, që i referohen pagesave të kryera nga Thesari i Shtetit pranë Ministrisë së Financave, flasin për 2,595 transaksione të kryera nga janari i 2018 deri në fund të dhjetorit në vlerën e rreth 13,8 milionë dollarëve.
Vitit 2018 shënoi një rënie të lehtë të shpenzimeve për këtë kategori në raport me vitin 2017, gjatë të cilit u shpenzuan rreth 14,4 milionë dollarë.
Në pesë vitet e fundit të dhënat flasin se vetëm për shkarkimet e padrejta nga puna nga Ministria e Financave janë paguar mbi 102 milionë dollarë.
Rekordin e shënon viti 2014 që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në Shqipëri kur nga Buxheti i Shtetit u paguan për vendimet gjyqësore rreth 32 milionë dollarë.
Analistët e pavarur vlerësojnë se në vend ekziston ende hendeku midis kuadrit ligjor e politik dhe zbatimit të tij në administratën publike.
Sipas analistëve, administrata publike vijon të karakterizohet nga karriera jo të qëndrueshme, shkallë e lartë e ndryshimeve që pasqyrohet në përvojën e pakët të punonjësve civilë dhe kohë pas kohe shfaqen praktika të këqija, si pagimi ryshfeteve per vende pune, abuzimi me pushtetin dhe ndikimi i politikës partiake në emërimet që nga nëpunësit më të thjeshtë deri tek zyrtarët e lartë.