Bizneset e agroturizmit, agropërpunimit dhe agroindustrisë po përballen me fatura të rritura të TVSH-së që do të duhet të paguajnë, duke filluar nga janari i këtij viti.
Ndryshimet në Paketën Fiskale të vitit 2019 që ulin kompensimin e TVSH-sw për fermerët nga 20 në 6% kanë sjellë shqetësime në sektorin e agropërpunimit dhe agroturizmit, pasi TVSH e pagueshme tashmë rezulton rreth 3 herë më e lartë.
P.sh., me uljen e masës së kompensimit një përpunues qumështi, cili ka paguar deri më tani 100 mijë lekë TVSH në muaj, pasi TVSH bëhet 6% do të paguajë 300 mijë lekë.
Bizneset e agropërpunimit i kanë kërkuar qeverisë të ndryshojë masën, ndryshe sektori do të vihet para kostove të papërballueshme me 2019.
Alban Zusi, Kryetari i Shoqatës së Agropërpunuesve pohoi se, çështja e kompensimit të TVSH do të mund të zgjidhet përmes një dialogu me ministren e re të Financave, Anila Denaj, e cila sipas tij është treguar e gatshme të ritrajtojw çështjen.
Zusi thotë për “Monitor” se nga Paketa Fiskale kanë marrë goditjen më të madhe për shkak të uljes së TVSH-së për fermerin në 6% nga 20% që u vendos në 2014. “Për sektorin tonë, kjo do të jetë goditja e dytë pas euros, – shprehet Zusi. Me këtë vendim rriten kostot për lëndët e para të produkteve vendase me 14%, duke i bërë ato jokonkurruese.
Ulja e rimbursimit të TVSH-së për fermerët ka prekur edhe sektorin e bimëve mjekësore.
Filip Gjoka, president i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, tha se me uljen e rimbursimit të TVSH-së për fermerin, ata kanë frikë se do të ketë një ulje të prodhimit të bimëve mjekësore dhe erëzave.
“Për ne është shqetësuese mënyra e përshpejtuar që kaloi ky ligj dhe për më tepër, pa u konsultuar. Ligji ka ulur kompensimin për fermerët nga 20% në 6%, duke u justifikuar me faktin se kanë ulur TVSH-në për inputet bujqësore. Ky ligj nuk është konsultuar me shoqatat e biznesit në tërësi. Futja e kompensimit për fermerët rriti prodhimin dhe bëri që ne të kishim sasi të mjaftueshme për t’ju drejtuar tregjeve dhe kompanive gjigande”,- tha Gjoka.
Rreziku është humbja e tregjeve ndërkombëtare, duke qenë se interesi nga ana fermerëve për të kultivuar do të jetë më i vogël, sipas aktorëve të tregut.
“Frika jonë më e madhe është rënia e prodhimit nga fermerët. Deri para 2014-s, një pjesë e fermerëve punonin të paregjistruar. Reduktimi në masën 14% i kompensimit të TVSH-së është i pastudiuar dhe unë mendoj se nuk është në momentin e duhur”, – tha Filip Gjoka.
Ai nënvizon se vendi ynë ka mbështetjen dhe subvencionimin më të vogël krahasuar edhe me vendet e rajonit si Maqedonia apo Kosova.
“Nëse do të ishte marrë mendimi ynë si organizatë, mbase do të ishte më mirë që nga 20% të ulej në 15%, por jo në mënyrë të menjëhershme. Fermerët dhe individët që kanë investuar në bujqësi përballen me një ndryshim të beftë të ligjit. Ndryshimi duhej të ishte gradual për fermerët. Ashtu siç dha ndryshimi i ligjit në 2014-n një rritje të madhe në prodhim, ulja e menjëhershme do t’i japë një goditje në kahun e kundërt. Ne si industri nuk përdorim inpute bujqësore, pasi industria jonë merret me bimë organike dhe konsumatorët këtë kërkojnë në mbarë botën” – përfundon Gjoka.
Të njëjtin shqetësim shprehën për Monitor edhe përfaqësues të sektorit të agroturizmit, i cili vitet e fundit ka njohur rritje të ndjeshme.
Një nga njësitë e njohura të agroturizmit në vend pohoi se, vetëm për muajin janar do t’i duhet të paguajë shtesë më tepër 500 mijë lekë. Nëse kjo praktikë do të vijojë për muajt e ardhshëm, vijimi i aktivitetit do të jetë i pamundur dhe kjo nuk do të ishte një goditje vetëm për bizneset e sektorit po për të gjithë ekonominë, pohoi ai, pasi agroturizmi ishte në fillesat e një zhvillimi të vrullshëm.
Ulja e TVSH-së së rimbursueshme
Sipas procedurës së mëparshme, çdo prodhues bujqësor, i cili aplikonte në regjimin e kompensimit të fermerëve me shkallë standarde 20 për qind përfitonte kompensim.
Blerësi, person i tatueshëm, lëshonte një faturë tatimore për shitësin prodhues bujqësor për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqësonte vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, përfshirë normën e kompensimit.
Kompensimi, që personi i tatueshëm blerës i ka paguar shitësit prodhues bujqësor, është TVSH-ja e zbritshme për personin e tatueshëm dhe deklarohej në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura.
Me skemën e vjetër vlera e kompensimit ishte 20 % tani do të jetë 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit do të jetë së paku trefish më e lartë.
Qeveria e mori këtë masë nxitur nga kompensimit abuzive që po merrnin tregtaret në zonat prodhuese, Lushnje dhe Fier.
Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Albanian Food Industry (AFI) i ka dërguar që në fillim të këtij viti një shkresë zyrtare ministrit të Financave, për dijeni Kryeministrit, Edi Rama dhe ministrit të Bujqësisë mbi ndryshimet ligjore sa lidhet me çështjen e TVSH së produkteve bujqësore, ku i paralajmëron se kjo situatë do fusë në kolaps gjithë sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit, do imponojë dhunshëm evazionin e detyruar nga operatorët në të gjitha nivelet dhe do rrisë importet e produkteve ushqimore duke sjellë më pas uljen e prodhimit vendas.
Thelbi i këtyre ndryshimeve, sipas shkresës konsiston në faktin se produktet bujqësore do të blihen përmes autofaturimit (që përbën mbi 90% të shitjeve nga fermerët) me TVSH të njohur 6% dhe do të tregtohet tek konsumatori fundor me TVSH 20%.
Ky ndryshim, thuhet në shkresë në fakt sjell situatën që ishte para vitit 2014! Kur u ndryshua në 2014 ky nivel i diferencuar mes TVSH në blerje dhe në shitje të produkteve bujqësore, u konstatua bindshëm që ishte një absurd dhe që kishte sjellë:
– përjashtimin e produkteve vendase nga zinxhiri i tregtimit formal (në supermarkete dhe industri) të produkteve bujqësore dhe
– përbënte shtysën kryesore për të vijuar domosdoshmërisht informalitetin
Pas ndryshimit në vitin 2014, thuhet në shkresë, vihet re se jo vetëm se u rritën bindshëm eksportet (mbi dyfish krahasimisht me 2014 dhe mbi trefish krahasimisht me 2013) por u ulën ndjeshëm importet e produkteve bujqësore.
Mirëpo zbatimi i skemës së re u shoqërua me një interpretim thellësisht të gabuar nga Ministria e Financave, duke mos u thelluar në argumentet e sjella nga Ministria e Bujqësisë që i paraprinë këtij ndryshimi të madh, sqarohet në letër.
Kështu skema e re shtriu efektet edhe për rastin e eksporteve të produkteve bujqësore duke njohur TVSH e autofaturuar si të rimbursueshme, ndonëse në këto raste as nuk mblidhet as nuk paguhet TVSH, pasi në eksport TVSH është zero.
Pra u deformua thellë principi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH)
– skema me 6% në blerje dhe 20% në shitje të të njëjtit produkt deformon rëndë parimin e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% tatim mbi vlerën që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij.
– në kushtet e pamundësisë objektive të qeverisë për të detyruar që çdo fermer të shesë me një faturë me TVSH, barazimi i TVSH së autofaturuar me TVSH në shitje rivendos parimin fiskal ku çdo operator paguan tatim mbi vetëm vlerën e shtuar prej tij dhe rrjedhimisht solli rezultatet e paralajmëruara në relacionet e Ministrisë së Bujqësisë dhe demonstrohen qartazi nga grafiku i mësipërm
– ndërsa rimbursimi i TVSH së autofaturuar (dhe jo i asaj të paguar nga eksportuesit) për produktet e eksportuara për të cilat TVSH e pagueshme është ZERO, përbën deformim të plotë pasi në fakt operatori paguhet për një tatim që nuk e ka paguar kurrë: as ai as krijuesi i vlerës së mëparëshme (fermeri)
Ndryshimi mes operatorëve që tregtojnë në tregun vendas dhe atyre që eksportojnë, konsistonte në faktin se; operatorët e tregut vendas u zhveshën nga detyrimi për të paguar taksën e të tjerëve, ndërsa eksportuesit kanë përfituar jo taksën e paguar prej tyre por efektivisht kanë marrë një subvencion pa u deklaruar si i tillë.
Natyrshëm që me zbërthimin që bëmë më lart nuk kemi kundërshtime që sektorë të caktuar të bujqësisë të subvencionohen aq më tepër për eksport, por kjo masë duhet bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë si e tillë (subvencion) e jo duke deformuar parimet e TVSH – për pasojë të të cilave munguan para në buxhet e rrjedhimisht sërish pa u menduar gjatë kalohet në zgjidhje “kthim mbrapa” që do të deformojnë rëndë tregun, thuhet në shkresën e eksportuesve.