Ish-drejtuesi i lartë që arrestoi Balilin për herë të parë: Dje policia u bë private e ‘Escobarit’

E mërkurë, 16 Janar 2019 16:06

Klement Balili u arrestua për herë të parë në vitin 2006.

Ai u ndalua së bashku me dy policë të Komisariatit të Sarandës, gjatë një tentative për trafikimin e një sasie prej 750 kg kanabis drejt Greqisë.

Në atë kohë, i ashtuquajturi ‘Eskobari i Ballkanit’ bëri pak muaj burg, për t’u rikthyer në shënjestrën e drejtësisë sërish në vitin 2016.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Emri Vata, i cili në vitin 2006 drejtonte edhe operacionin ku Balili u vu në pranga, thotë se ky person ka anashkaluar institucionet e shtetit për më shumë se 2 vite.

Sipas tij, vetëdorëzimi njihet si praktikë policore, por vetëm në kushtet e flagrancës.

‘Nuk ka as operacion, as vetëdorëzim, ka vetëm paraqitje. Në këtë rast, Policia e Shtetit ka bërë vetëm sigurimin fizik të personit, nga Delvina në Tiranë, si polici private’, tha Emri Vata, ish-drejtor policie.

Ministri i Brendshëm e cilësoi ndalimin e Balilit një operacion të suksesshëm, ndërsa ky i fundit është shoqëruar nga vet kryepolici Ardi Veliu, pas negociatave disaditore./TCH

Login to post comments