Skënder Përpepaj, shembulli i suksesit, njerëzillëkut dhe shqiptarizmës

E Enjte, 17 Janar 2019 09:49

Nga  prof. dr. Lush SUSAJ

Shqipëria është zhvilluar falë shqiptarizmës së familjeve tradicionale nga ku janë lindur, rritur dhe edukuar bijë dhe bija të mbushura me dashuri dhe respekt për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Djemtë dhe vajzat e këtyre familjeve orëmëdha, pavarësisht ku kanë emigruar dhe punuar, asnjëherë nuk e kanë ulur vëmendjen e tyre ndaj fateve të njerëzve dhe vendit të tyre. Një nga shembujt tipik të kësaj përkujdesjeje lidhet me emrin dhe sjelljen e fisme të Skender Perpepajt me punë dhe banim në Angli.
Rëndësia e angazhimit të intelektualëve dhe investitorëve të Diasporës në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të Shqipërisë sa vjen e rritet. Në këto 106 vite të Shtetit të Pavarur Kombëtar, kemi mbijetuar si shtet, si komb dhe si kulturë jo për ndonjë meritë të politikës, politikanëve dhe as të administratës, por për shkak të asaj që thoshte Lamartini: “ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë…Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”. Kur flitet për njerëzit dhe kombet, ajo që nuk mund të anashkalohet është origjina që duhet të trajtohet dhe të përcillet me vërtetësi.
 Skender Perpepaj është djali i Pjetër Kukelit të Kukel Ndout, i rritur dhe edukuar nga një familje tradicionale të vllaznisë së Currajve të fisit të Nikajve.
Në takimet dhe bisedat tradicionale që zhvillohen në Nikaj-Mërtur, në krahinat e tjera të Malësisë së Gjakovës dhe më gjërë, sa herë që flitet për shembullin, njerëzillekun dhe ndihmën e Skenderit ndajë njerëzve në nevojë, nuk mungojnë as ato shprehjet e njohura identifikuese, vlerësuese e fisnikëruese, si: “është nipi i Kukelit” apo “është mashkull i trollit të Kukelit”. Janë fjalë dhe shprehje që bartin dhe përcjellin historinë e kësaj familje në breza e shekuj.
Sa herë që flasim për Skenderin, përtej asaj që është personale dhe lehtësisht e dukshme, mendoj se duhet hulumtuar e parë më thellë për të të identifikikuar dhe paraqitur sa më të plotë truallin historik, gjentik e kulturor të plazmës autoktone nga ku janë lindur e rritur personazhe dhe shembuj të shkëlqyer të qëndresës, vitalitetit, zhvillimit dhe intelektit njerëzor. Historia e vjetër e Gadishullit Ilirik tregon se popullsia e Nikaj-Mërturit dhe e Malësisë së Gjakovës, e ka origjinën nga Dalmacia Ilire. Studjuesi i mirënjohur Jakov Milaj, në librin e tij me titull “Raca Shqiptare”, argumenton se: “Atje kemi përfaqësonjësit më të përsosur të racës sonë. Në ballë të kombit tradita numëron 12 fise: Berisha, Gashi, Hoti, Kelmendi, Kastrati, Gruda, Shkreli, Krasniqja, Bytyçi, Thaçi, Kabashi dhe Morina. Që nga fundi i mesjetës, në Malësinë e Gjakovës, evidentohen fiset e Gashit, Krasniqes, Bytyçit, Nikajt (janë vëlla me Krasniqen) dhe Mërturit (janë fis Berishë), si dhe degë të fiseve Berishë, Kelmend dhe Hot”.
Më konkretisht, për origjinën e Nikajve, Valentini (f. 369), ka shkruar: “Nikajt është bajrak i po të njëjtit fis e, sipas traditës, me Dakët e Pukës, me Krasniqen.... Në fakt, një bari i Krasniqes me emrin Nika, kryetar i fisit të Nikajve, i ardhur në vendbanimin aktual rreth vitit 1200, duhet të ketë qenë biri ose, gjithsesi, një pasardhës i Gegë Lazrit, kryetar i fisit të Hotit dhe babai ose vëllai i kryetarit të fisit të Gashit”. Ndërsa për origjinën e Hotit (f. 306), Valentini shkruan: “Hoti, fis, bajrak, njëri prej bajraqeve më antike dhe më të rëndësishme të Malësisë së Madhe. Prijësi i fisit të Hotit modern quhej Gegë Lazri, bir i Lazër Keçit i ardhur nga Bosnja, bijtë e të cilit, përveç Hotit, duhet të jenë zanafillorët e Piperit, pjesërisht të Triepshit, të Krasës në Krasniqe dhe të Nikës në Nikaj”. Tek origjina dhe trashgimia gjenetike Iliro-Pellazgjike e Dalmatëve duhet kërkuar edhe bukuria dhe pamja madhështore e tyre.
Popullsia Iliro-Dalmate e Veriut të Shqipërisë karakterizohet nga njerëzit gjigandë, nga burra të gjatë, të zgjuar, të guximshëm e të bukur si Kukel Ndou dhe pasardhësit e tijë (Kukelanat).
Duke folur për këtë lloj trashëgimie, Eduard Shnaider (2009), tek libri me titull “Pellazgët dhe Pasardhësit e Tyre”, ka shkruar: “Ndër gjigandët që kishin lindur nga bashkimi i tokës me qiellin, më i shquari ishte Gigas, me një trup kolos, i fortë, krenar, i egër, i dhunshëm dhe një nga fëmijët më t’egër të tokës. Shqiptarët e Veriut sikur e kemi parë, ruajnë akoma emrin Gegë, të Giga-sit të Homerit që banonin pas maleve Akrocerauni, në Veri të Epirit, duke ruajtur emrin e gjigantit. Gegët duket se kanë shenjën e shtatmadhësisë e të skeletit viganor, që i bën të dallohen ndër bashkëatdhetarët e tjerë, që në përgjithësi janë më të vegjël me trup, por të shpejtë e të shkathët si kaproj”.
Shprehjet dhe fjalët e mësipërme duket sikur janë shkruar nga një gjenetist apo antropolog që ka përshkruar Kukel Ndoun apo Kukelanat e tjerë të Currajve.
Pavarësisht nga rezultatet e shkëlqyera në mësime dhe nga dëshira e madhe e Skenderit për të studjuar në gjimnazin e qytetit të Bajram Currit apo në shkollën e mesme ekonomike “Nako Spiru” në Tiranë, nuk e lejuan për shkak të “njollave” në biografi. Në këto kushte, me një vendosmëri dhe sakrificë të pashoqe, Skenderi është rregjistruar dhe në vitin 1987 ka përfunduar shkollën e mesme në Lekbibaj. Të gjithë bashkëmoshatarët e tij e njohin dhe e mbajnë mend sakrificën e tij të madhe për faktin se shtëpia e tij ishte 4-5 orë larg nga shkolla. Në këto rrethana, për të zënë orën e parë të mësimit i duhej që të nisej që në orën 4 të mëngjesit. Ka qënë një lodhje tepër e madhe dhe e vështirë për t’u përballuar qoftë edhe për një muaj e jo më për 4 vite me radhë.
Pavarësisht nga kërkesa dhe dëshira e madhe e Skenderit për të vijuar studimet e larta në Tiranë, në Gusht të vitit 1987, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Tropojës, përseri nuk nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet në shkollën e lartë. Me një guxim, argument dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme, Skenderi e kundërshtoj vendimin e padrejtë të komitetit komunist të kohës, duke siguruar një shpresë më të madhe për vitin 1988.
Kjo mërzitje dhe kundërshti ka patur dy burime.
Së pari, për shkak se familja e Kukel Ndout (Gjyshit të Skenderit), ka patur (dhe ka) miqësi të sinqertë e të fortë me familjet dhe trojet më të mira të Malësisë dhe më gjërë. Për fatin e keq të Malësisë dhe të Shqipërisë, pothuajse të gjitha këto familje fisnike, pas vitit 1946 janë burgosur, pushkatuar, sekuestruar dhe shpallur armiq e kundërshtarë të komunizmit.
Së dyti, elita politike dhe administrative e kohës, pavarësisht nga kompetencat dhe hierarkia institucionale, ishin shumë të vegjël, të panjohur e të paditur përballë Kukelit dhe historive të gjalla e të pavdekshme të tij. Dihet se si drejtuesit komunistë të kohës as nuk pranonin hije dhe as nuk i donin njerëzit e ditur e të respektuar nga populli. Për më keq, fëmijët dhe pasardhësit e tyre pengoheshin me çdo mjet në rrugën e tyre drejt shkollës dhe administratës. Goditja selektive dhe për një kohë të gjatë e traditës dhe talenteve të rritura në familjet nacionaliste ka patur një ndikim të madh edhe në zhvillimet kaotike e regresive të ekonomisë dhe superstrukturës shtetërore të këtyre 28 viteve pa meritokraci dhe pa qarkullim të mirëfilltë të elitave shoqërore, shtetërore dhe politike.
Edhe në prezencën e drejtuesve të partisë dhe pushtetit të kohës, njerëzit flisnin hapur dhe me respekt të thellë për Kukel Ndoun. Banorët e Currajve dhe më gjërë e përshkruanin si një burrë shtatlartë, si një strateg të mbrojtjes popullore, si një pleqnarë të zgjuar e fjalëpak.
Edhe sot, pas më shumë se 103 viteve, flitet për mënyrën se si në vitin 1915 Kukel Ndou organizoi luftën kundër forcave të ushtrisë pushtuese. Me një zgjuarësi të rrallë, pavarësisht nga shkalla e lartë e zemërimit të bashkëluftëtarëve të tij, Kukeli ia doli të bindë njerëzit për të mos i vrarë robërit e luftës që i çarmatosi dhe përcolli deri në kufirin e Malit të Zi.
Kukel Ndou u provue edhe në vitin 1923 kur doli hapur në krah të Luigj Gurakuqit, Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës.
Me datën 9 Janar 1923, me iniciativën e Bajram Currit, në Krasniqe është mbajtur një mbledhje me përfaqësuesit e krahinave të Malsisë së Gjakovës dhe të Hasit të Gurit. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Kukel Ndou për ta mbështetur vëllaun e tij, Bajram Currin. Për këtë mbledhje, prefektura e Shkodres, në telegramin e datës 15 Janar 1923, shkruante: "Me 9 të këtij muaji fisi i Krasniqes ka bam nji mbledhje në Kolgecaj te xhamia ku kan marr pjes edhe Nikaj-Merturi".
Currajt janë njerëz të lirë, janë njerëz që nuk e durojnë dhunën, plaçkitjen, mashtrimin, ligësinë as fyerjen. Kjo është arsyeja që më 13 Janar 1923, Kukel Ndou u vu përsëri në krye të 130 banorëve të Currajve dhe të Nikajve dhe sulmoi postën e xhandarrmërisë që ndodhej në vendin e quajtur “Kodra e Ndue Mulës” në fshatin Curraj Poshtëm. Në lidhje me këtë ngjarje, dëshmon telegrami i datës 23 Janar 1923, ku shkruhet: “ Njiqind  e tridhet vetë të armatosun prej Nikajve dhe Curraj t'Epër, gjashtëdhjet gra me sopata në dorë, kishin qartun postkomandën e Currajve Poshtërm ku kan luftue katër orë...".
Pavarësisht nga rreziqet dhe vështirësitë e njohura të kohës, Shtëpia e Kukel Ndout ka qënë buka, besa dhe streha e sigurtë e Bajram dhe Hysni Currit me origjinë nga Currajt, e që Kukeli i quante vëllezër. Këtë fakt e tregojnë edhe telegramet e Prefekturës së Pukës (datë 7 Qershor 1923), drejtuar zyres sekrete të MPB, Tiranë, ku  thuhet se: “ Hasan Prishtina e Hysni Curri qi ndodheshin në shpi të Sule Hoxhës prej Bunjej tash tri ditë kan ardhun në Curraj të Nikajt”. Ndërsa më vonë, në telegramin e Prefekturës së Krumës, datë 14 Korrik 1923, për MPB Tiranë, thuhet se: " Bajram Curri gjindet  në Curraj t'Epër..”.
Në vitin 1967 kur filloj sulmi i hapur për shëmbjen e kishave, përseri ka triumfuar zgjuarsia e Kukel Ndout mbi arrogancën, ligësinë dhe injorancën e partisë. Në një ditë të bukur, pasi ishin shëmbur e plaçkitur të gjitha kishat në Nikaj-Mërtur, Dukagjin dhe në të gjithë Shqipërinë, partia kujtohet edhe për kishën e vogël të Currajve të Epërm. Ka shumë njerëz, përfshirë edhe vëllain e madh të Skenderit që e kujtojnë mënyrën se si atë ditë, Kukeli arriti që ta mbrojë kishën e Currajve nga shkatërrimi komunist. Në mesin e mbledhjes, në momentin që i derguari i partisë e ka përfunduar fjalën e mbushur me sharje e denigrime ndaj objekteve të kultit, festave fetare dhe klerikëve katolikë e myslimanë, ka pyetur nëse ka kush ndonjë fjalë. Në këtë moment e ka marë fjalën Kukel Ndou duke iu lutur drejtuesve të partisë për të mos e shkatërruar kishën me argumentin: “nuk dum të mbajmë prift e as të qojmë meshë, por të gjithë këta burra që janë këtu e dinë mirë se këtu jemi mbledhë me luftue kundër pushtuesve, në këtë godinë kemi rrethuar e çarmatosur ushtrinë pushtuese, në këtë godinë kemi pajtuar hasmëritë. E duam ta ruajmë si kujtim e për asgjë tjetër, meqë godina është e re, ta bëjmë muze, shkollë dhe vatër kulture”. Me këtë argument, kishës së Currajve nuk i është shkatërruar asnjë dritare dhe asnjë stol.
I kujtova faktet, ngjarjet dhe personazhet e mësipërme për të sjellë ndërmend atë fjalën e urtë sipas të cilës, “dardha bie nën dardhë” e për kuptuar edhe më mirë potencialet e mëdha njerëzore e shoqërore që bartin fiset, trojet dhe familjet autoktone shqiptare.
Pas vitit 1990, Skenderi ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në degën Ekonomik. Pavarësisht nga kaosi i krijuar në vitet 1990-1995, me një zgjuarsi, pragmatizëm dhe korrektesë të admirueshme, gjeti pronarët legjitimë të tokës, ua bleu me lekë në dorë tokën ku ka ndertuar banesën e tij pa shkaktuar asnjë hatërmbetje, asnjë problem social.
Skenderi karakterizohet nga deshira për të bërë hapa përpara në drejtim të fisnikërimit dhe lartësimit të mëtejshëm të emrit të mirë të familjes dhe traditës së paraardhësve të tij. Duke qënë nipi i dy burrave shumë të njohur në Nikaj-Mërtur, i Kukel Ndout të Nikajve (nga baba) dhe i Rrustem Alisë së Mulajve të Mërturit (nga nëna), si dhe duke patur miqësi të ngushtë me familjet e mëdha të Luginës së Drinit, zbatoi rregullat e traditës dhe u drejtue për miqësi në familjen fisnike të Mylyshit të bajraktarëve të Mirditës, ku Skenderi ka marrë gruan. Vjehrrri i Skenderit jeton në Tiranë. Ai kujton me dhimbje vujtjet dhe mënyrën se si diktatura komuniste i ka pushkatuar babën dhe mixhallarët. Më pas, atë dhe të gjithë familjen Mylyshi e kishin internuar në kampin famëkeq të Tepelenës.
Pavarësisht nga ato që Skenderi dhe miqësia e tij kanë kaluar gjatë diktaturës, asnjëherë nuk ka besuar në koperturat që shiteshin për pluralizëm. Skenderi e kishte kuptuar me kohë demagogjinë katoviciane nga ku u sigurue vazhdimësia e zymtë e klaneve dhe elitave të vjetra politike që vetëm fatkeqësi i kanë sjellë kombit shqiptar.
Koha e qëndrimit në Shqipërinë e pas vitit 1990 ka qënë e shkurtër, sepse Skenderit iu desh që të emigronte në Angli për shkak të sëmundjes së djalit, e cila agravoi në mënyrë të pakthyeshme edhe nga paaftësia e mjekëve dhe situata kaotike e spitaleve të asaj kohe.
Shkaku fillestar i emigrimit ka qënë gjendja shëndetësore e djalit, ndërsa jeta në Angli e bëri që të shohë e të kuptojë se sa të ngushta e me sa shumë pengesa ishin rrugët e Shqipërisë për endërrat e tij që sot janë realizuar në një shtet demokratik që bazohet në meritokracinë dhe në qarkullimin e lirë të kapitaleve dhe vlerave njerëzore.
Pavarësisht nga jeta dhe puna e tij në Angli, Skender Perpepa mbeti pranë vëllezërve, prindërve, shokëve, kushërinjve dhe shqetësimeve të mëdha të vendlindjes. Zoti i ka shpërblyer dhe do t’i shpërblejë me mirësi dhe suksese të njëpasnjëshme të gjitha sakrificat, bamirësitë dhe punët e mira të Skenderit.
Kompania e krijuar dhe drejtuar nga Skenderi ka qënë streha e parë e punës dhe shkolla e parë profesionale për mjeshtrat e drurit, hidraulikët, muratorët, etj. Në atë strehë shkuan njerëz që nuk dinin të ngulnin as edhe një gozhdë e që sot janë bërë mjeshtra dhe sipërmarrës të ndertimit dhe rikonstruksioneve. Në kompaninë e Skenderit ka puntorë e specialistë nga e gjithë Shqipëria dhe nga vendet e tjera të botës. Në këtë mënyrë, për shumë nga shqiptarët që shkuan në Londër, kjo kompani do të mbahet mend si vatra e parë e kontaktit, bashkëpunimit, njohjes dhe socializimit të mirfilltë të shqiptarëve me njerëz të kombeve, të rracave dhe të modeleve të ndryshme të jetës shoqërore e politike. 
Filozofia na mëson se pavarësisht nga dukja, asgjë nuk është e rastësishme, asgjë nuk lind e nuk zhvillohet në boshllëk. Kështu ndodhi edhe me rrugën e makinës për në Curraj Epër. U deshën rreth 106 vite nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e deri më 14 Tetor 2018, kur mbi 250 makina të gjitha llojeve të arrinin e të parkoheshin në Logun e Kishës së Currajve. Hapja e kësaj rruge ka qënë endërra e brezave që u ba realitet falë kontributit financiar të familjeve dhe diasporës së Currajve. Bashkimi i njerëzve në këtë sipërmarrje të pashoqe është fati dhe prova më e madhe e intelektualëve dhe familjeve të Currajve.
Arritja e një konsensusi të tillë ka patur një nukël të fortë - garancinë dhe mbështetjen pa kushte e kufi nga ana e Skender Perpepajt. Njëlloj si në vitin 1915 kur Currajt u bashkuan rreth Kukelit në luftën kundër ushtrive pushtuese, 103 vite më vonë Currajt u bashkuan përseri nën garancinë dhe fjalën e dhënë të Skender Pjetres së Pjetër Kukelit. Para 103 vitesh për çlirimin e vendit nga pushtuesit, ndërsa sot për ndertimin e  rrugës së makinës me kontributet e tyre. Platoni (427-347, p. e. r) ka shkruar se: “Që
shpirti të arrijë që të njohë duhet të jetë i pastër. Për të njohur dhe realizuar të mirën e vërtetë duhet të kesh shpirt dhe moral”.
Skender Perpepa është njeriu me shpirt të bardhë e të pastër, me moral dhe karakter të lartë, ai njihet si njeri i nderit dhe i fjalës së dhënë, njihet si intelektual i traditës dhe i modernizmit shoqëror e filozofik, është modest dhe fjalëpak. Pavarësisht se në rrugën e re, familja e tij ka financuar më shumë nga çdo familje apo personazh tjetër, pavarësisht se ai ka siguruar edhe financime të tjera të mëdha nga ana e kushërinjve (familjarëve të Kol dhe Prel Ademit) që kanë lindur e janë rritur në SHBA, etj, ai flet shumë pak, madje nuk ka dëshirë që të flasë e as të shkruaj për këtë aspekt duke rrezatuar një modesti e fisnikëri të jashtëzakonshme. Kjo lloj sjelljeje me kujton sjelljen e gjyshit të tij, Kukelit, për të cilin tregojnë se edhe pse ai ishte fjala më e peshuar në kuvende, edhe pse ai kishte armët më të mira të kohës, edhe pse ai ishte besa dhe ndera më e pastër, Kukeli kurrë nuk bezdisi dhe nuk dëmtoi njeri në sofër, as në punë, as në kuvend dhe as në luftëra.
Skender Perpepaj është bërë mburoja dhe shpresa e madhe e shumë prej emigrantëve dhe shqiptarëve në nevojë.
Skender Perpepaj njihet për bamirësi dhe si financuesi pa zë e pa fjalë të mëdha i botimeve shkencore dhe letrare në Angli dhe Shqipëri.
Skender Perpepaj është iniciatori i ndertimeve dhe veprave social-kulturore e historike në shërbim të njerëzve të krahinës dhe gjithë Malësisë së Gjakovës.
Midis shokëve dhe intelektualëve Skender Perpepaj shkëlqen si më i besuari i të besuarëve që lidhen Currajt e Epër me rrugë makine.
Skender Perpepaj është shembulli që duhet njohur e ndjekur si modeli më i mirë i suksesit, atdhedashurisë, komunikimit, punësimit dhe sipërmarrjes. 

   

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...