Data e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian mund të shtyhet me disa javë për t’i dhënë kohë miratimit të legjislacionit nga politikanët, sipas lideres së dhomës së ulët në parlament.
Britania, ekonomia e pestë më e madhe në botë, pritet të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars, por, marrëveshja e negociuar nga Kryeministrja Theresa May, u refuzua nga parlamenti duke hapur mundësinë e daljes së ç’rregullt.
Parlamenti do të votojë për disa amendamente ditën e Martë, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar përballet me krizën më të madhe politike në gjysmë shekulli.
“Mund ta kalojmë legjislacionin dhe mendoj që kemi një marrëdhënie të fortë me miqtë europianë”, tha Andrea Leadsom, duke shtuar se nëse fitohet pak kohë shtesë, atëherë do të ishte e arritshme.
Ajo shtoi se kjo nuk nënkupton medoemos zgjatjen e periudhës 2-vjeçare të negociatave sipas nenit të 50 të Traktatit të Lisbonës.
“Mendoj që me mbështetjen e të dyja dhomave në parlament, ne mund të kalojmë legjislacionin në një afat të përshtatshëm”, tha Leadsom.
Megjithatë, ajo pranoi se heqja e alternativës së daljes pa marrëveshje është përdorur si një mënyrë për të ndaluar Brexit.
Por, sipas anëtarëve të tjerë të parlamentit, nuk është gjë e zgjuar që Qeveria dhe bizneset të investojnë kohë dhe para në një rezultat të daljes pa marrëveshje, që do të bënte britanikët më të varfër, të dobët dhe të vegjël përballë botës.