Një 42-vjeçar shqiptar përfundoi në prangat e policisë në Castelbello të Bolzanos. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje, pasi u përpoq të përplaste me makinë disa herë një person që lëvizte me biçikletë.
Ngjarja e rëndë, sipas mediave italiane ndodhi pasditen e së hënës. Objektivi i shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte një burrë me origjinë maqedonase. Ai po ecte anës rrugës me biçikletë sëbashku me qenin e tij, kur u godit nga makina e shqiptarit nga pas. I rrëzuar përtokë dhe në dukje një ngjarje aksidentale, në ndihmë të të lënduarit ndaloi një shofer tjetër makine. Por 42-vjeçari shqiptar nuk e la me kaq.
Ai i dha sërish gaz makinës duke prekur këtë herë edhe makinën e ndaluar. Por duke qenë se nuk kishte arritur të prekte objektivin e tij, shqiptari tentoi ta përplaste edhe për herë të tretë. Fatmirësisht në këtë rast maqedonasi kishte arritur që të lëvizte në kohë. Duke dështuar edhe në tentativën e tretë, shqiptari që udhëtonte me një makinë të madhe, u largua nga vendi i ngjarjes.
Ishte pikërisht i lënduari i cili telefonoi policinë dhe kjo e fundit arriti ta gjente shqiptarin. Ky i fundit rezulton person me precedentë penalë. Autoritetet policore po hetojnë ndërkohë për motivin e kësaj ngjarjeje. Ata nuk përjashtojnë asnjë pistë, as atë për çështje pasioni, apo për larje hesapesh.
Viktima e kësaj ngjarjeje mori dëmtime të shumta në trup e kokë, por pa rrezik për jetën.