Ka nisur sërish sot protesta e banorëve të Astirit të cilët kundërshtojnë vijimin e zbatimit të projektit për ndërtimin e Unazës së Re, pasi ata e quajnë një projekt korruptiv që dëmton interesat e vendit dhe banesat e tyre.
Ata kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj që të anullojnë projektin sepse në të kundërt ata deklaruan se rezistenca do të vijojë.
“Ne nuk tërhiqemi, do t’i mbrojmë pronat tona që janë mundi i 25 viteve. Erion Veliaj po jep me koncension tokën pranë Policisë Bashkiake sic bëri me Teatrin, por qytetarët nuk do ta lejojnë, ata i kanë ditët e numëruara. Banorët e Unazës së Re do të qëndrojnë këtu dhe do të rezistojmë këtu deri në fund, ose do të bëhëmi viktima ose do të bëjmë viktima,” – thanë banorët.
Ata folën edhe për situatën në vend lidhur me vrasjet dhe grabitjet që kanë ndodhur ditët e fundit.
“Situata në vend është alarmante ku cdo ditë po bëhen vrasje dhe grabitje në mes të ditës. Duhet ti themi ndal kësaj qeverie kriminale dhe ta rrëzojmë një ditë e më parë.”
Ata shprehën vendosmërinë e tyre për të vijuar zbatimi i këtij projekti duke thënë se do ta kundërshtojnë me hir ose me pahir.