Basha ka krijuar frymë, shikoni qytetarët që e mbështesin në Mallakastër/ Foto-Galeri

Saturday, 02 February 2019 16:56

16 shkurti nuk është dhe nuk mund të jetë si një ditë tjetër proteste. Shqiptarët e zgjidhin kontratën me krimin. Zgjidhin kontratën me oligarkinë. Zgjidhin kontratën me Edi Ramën.

Edi Rama merr miliona euro nga nafta shqiptare. Kanë ardhur në pushtet me paratë që vidhen, me paratë e krimit, me paratë e drogës, me paratë e Besos me shokë, që në fakt janë paratë që duhet të shkonin për hallet tuaja

Shqiptarët e thonë vetë se “nuk ndjehen të përfaqësuar nga kjo qeveri e ky parlament”. Ka ardhur koha të prishet kontrata e qeverisë me krimin.

Vendi ka mundësi të dalë nga kriza. Kemi shpalosur një plan, që paratë që sot, përfundojnë në xhepat dhe kontot bankare të Edi Ramës dhe një grushti oligarkësh, ne ti kthejmë tek qytetarët

Në planin tonë Antimafia, çdo qindarkë që kanë grabitur, dhe nuk kanë grabitur qindarka, por miliarda euro, do t’ju konfiskohet dhe do të kthehet tek qytetarët shqiptarë

Objektivi numër 1 i Partisë Demokratike, ky është: të hapim vende pune, me paga dhe kushte dinjitoze për shqiptarët dhe në veçanti, për rininë shqiptare

Ju thërrasim në Tiranë, që të ndërmerrni aktin që i takon vetëm sovranit. Nuk më takon mua, ai akt! Mua më takon të ju jap planin e daljes nga kriza.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME BANORËT NË MALLAKASTËR

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, të rinj dhe te reja, vëllezër dhe motra!

Faleminderit për këtë pritje shumë të ngrohtë sot. Në Ballsh më shumë se dielli që ka dalë, e nuk e ka kohën, po më ngroh mikpritja, entuziazmi dhe shpresa tek e nesërmja që gjeta në çdo shtrëngim dore dhe në çdo urim tuajin.

Vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj, kemi qenë së bashku shpeshherë gjatë këtyre viteve në këtë shesh, në rrugët e këtij qyteti, në fshatrat përreth, në shtëpitë tuaja, bashkë me kryetarin e bashkisë, bashkë me deputetët e zonës kemi qarë hallet së bashku.

Nuk harroj vizitat që kemi zhvilluar në disa prej familjeve që janë ndeshur me fatkeqësitë, me humbjen e kryefamiljarëve në aksidentet e përsëritura në Uzinë. Me papunësinë që sa herë kam ardhur e kam gjetur më të shtua. Me sipërmarrjen e kësaj zone e cila gjendet në një krizë totale për shkak të rënies së fuqisë blerëse. Dhe për fat të keq sa herë që vij rruga nga Patosi deri këtu duket sikur bëhet më e keqe, më e keqe prej këtej drejt Fratarit.

Pra, zemërimi juaj, zhgënjimi juaj nga braktisja totale dhe harresa në të cilën ju ka lënë Edi Rama dhe banda me të cilën ai sundon vendin lexohet e kuptohet sapo ju jap dorën, akoma pa filluar të shprehni hallet dhe problemet tuaja.

Këto halle dhe probleme ua shoh të shkruara prindërve të këtyre fëmijëve, të këtyre vogëlushëve në fytyrë, ua shoh nënave të tyre, ua shoh dhe baballarëve të tyre. E ndjej në shtrëngimin e duarve të naftëtarëve të cilët janë mashtruar për të 10-tën dhe të 15-tën herë si sa i përket pagave që kurrë nuk i morën, si sa i përket statusit të naftëtarit që mbeti një gënjeshtër, si sa i përket cilësisë dhe sigurisë së kushteve të punës. E shoh këtë në problemet e përditshme që keni. Këtu në këtë zonë si kudo në Shqipëri, por akoma më shumë po ndihet rrënimi total i sektorëve të shërbimit. Në veçanti i shëndetësisë, ku numri i mjekëve dhe infermierëve të gatshëm për t’iu shërbyer këtu po bie në mënyrë dramatike siç po bie kudo në Shqipëri, po bie edhe në Fier. Por në veçanti në këtë bashki, në Mallakastër, emigracioni, largimi i tyre ka shkaktuar një dramë të vërtetë, një mungesë totale për përkujdesjes për vogëlushët, për foshnjat e porsalindura, për pacientët, për të sëmurët e deri për të moshuarit.

Ndërkohë asgjë që është premtuar nuk është realizuar. Edi Rama premtoi rritjen e pensioneve. Sapo takova pensionistë këtu që më thanë që pensioni nuk iu mjafton për të blerë as ilaçet e për të paguar faturën e energjisë. Në çdo send, në çdo mall që blini dhe konsumoni, çmimi, kostoja e lartë përfshin edhe çmimin më të lartë të naftës në Europë.

E pra, ja ku jemi në këtë zonë ku industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës është prej dekadash punëdhënësja më e madhe, ja ku jemi në pellgun më të madh naftëmbajtës të Europës dhe asnjëri prej jush nuk ia ka parë hajrin. Disa prej jush, shumë prej jush ia kanë parë qederin por askush nuk ja ka parë hajrin.

Edhe ajri është mbushur me erën e naftës, por nafta nuk ka sjellë asgjë të mirë në familjet tuaja. Përkundrazi, njësoj si në Mallakastër dhe në gjithë Shqipërinë, duhet ta paguani me çmimin më të lartë. Dhe ky çmim i naftës, dhe për ata që nuk kanë automjete, edhe për ata që nuk e përdorin për aktivitetin prodhues, drejtpërdrejtë ndikon në çmimin e bukës, të bulmetit, të mishit, të perimeve. Sepse ju e dini fare mirë, që në më pak se katër vite, Edi Rama, i ka shtuar çmimit të naftës, plot 300 lek taksë mbi karburantin, për litër.

E pra, mos të zgjatem shumë. Hallet dhe problemet kanë ardhur duke u shtuar. Arsyeja kryesore se pse nuk ka zgjidhje për hallet tuaja, arsyeja kryesore se pse ndërkohë që vazhdon të marrë miliona euro nga Ballshi, nga Mallakastra, nga nafta shqiptare, por asnjë cent nuk përfundon në rritje rrogash, në rritje pensionesh, kujdese të shtuara, rrugë të shtruara, shkolla më të mira, ngrohje, spitale, kujdes shëndetësor, është sepse këto para; vidhen dhe shpërdorohen.

Vidhen dhe shpërdorohen, sepse ky kryeministër, siç e keni parë edhe nga denoncimi i Zërit të Amerikës, nuk ka ardhur në pushtet me votën tuaj, nuk e ka lidhur fatin me fatin e qytetarëve shqiptarë. Këta kanë ardhur në pushtet me paratë që vidhen, me paratë e krimit, me paratë e drogës, me paratë e Besos me shokë, që në fakt janë paratë që duhet të shkonin për pensionet tuaja, për rrogat tuaja, për ndihmën ekonomike, duhet të shkonin për investimet në këtë bashki dhe në bashki të tjera të vendit.

Me dy fjalë: Edi Rama e ka lidhur fatin e tij, me një grusht grabitqarësh dhe kriminelësh. Ka shkatërruar procesin zgjedhor, ka shkatërruar parlamentin, ka shkatërruar qeverisjen e vendit.

Ditën e enjte në parlament, Edi Rama duhej të ballafaqohej me këto të vërteta, që nuk janë më vetëm denoncimet e opozitës, por janë fakte ligjore, të cilat kanë dalë në dritë nga gazetarë të guximshëm dhe janë transmetuar nga një media prestigjoze, siç është Zëri i Amerikës. Jo vetëm Zëri i Amerikës, edhe Deutche Welle, që është radio publike e qeverisë Federale gjermane, edhe mediat britanike, edhe Transparency International, po thonë një të vërtetë që ju e keni ndjerë në shpinën tuaj, e shikoni në tavolinën tuaj, në xhepat tuaj të boshatisur.

Shqipëria, sot nuk qeveriset, por sundohet nga një bandë e zhytur në krim dhe në korrupsion. Nga një kryeministër i zhytur në korrupsion, i cili është kapur në flagrancë në projekte si tek Unaza e re në Tiranë, ku keni shumë prej bashkëpatriotëve tuaj që janë zhvendosur dhe jetojnë aty, mallakastriotë, ku ka shkuar 20 milion euro kilometri, vetëm e vetëm që këto para të vidhen e të çohen në konto bankare në parajsa fiskale, siç e zbuloi Partia Demokratike, siç e zbuloi opozita, siç e ka transmetuar media e pakapur.

Të dashur qytetarë të Ballshit dhe të Mallakastrës!

Gjatë gjithë kësaj kohe, ne kemi bërë betejat tona politike. Disa prej tyre kanë dhënë sukses, siç ishte ligji për dekriminalizimin, sukses të pjesshëm, sepse Edi Rama nuk e zbatoi. Disa të tjera, kanë pasur sukses, duke mbrojtur vlera kombëtare, siç është beteja për Teatrin Kombëtar, siç është beteja për shtëpitë e mbi 1 mijë familjeve, tek zona e Unazës së re në Tiranë e kështu me radhë.

Por betejat kryesore politike, ato që duhet të zhvillohen në institucione, nuk kanë dhënë rezultatet që duhet të japin në një vend normal, ku ka një debat politik mes opozitës dhe qeverisë dhe ku në fund triumfon interesi publik. Kjo për arsye se në parlamentin shqiptar, sot, nuk mbrohet, por masakrohet interesi publik, interesi i qytetarëve shqiptarë. Ai parlament, ekziston vetëm prej vullnetit tuaj. Arsyeja e vetme e ekzistencës së parlamentit, është të përfaqësojë dhe të mbrojë interesin tuaj.

Kam një pyetje: a ndjeheni të përfaqësuar nga parlamenti i sotëm shqiptar?

Turma: Joooo

A ndjeheni të mbrojtur nga vendimet që merr parlamenti i sotëm shqiptar?

Turma: Joooo

E pra, ka ardhur koha, ti hiqni autorizimin dhe ti mbyllni kontratën kësaj maxhorance, të ardhur me votat e krimit.

Ka ardhur koha të bëni atë që bën çdo popull europian, kur ata që kanë marrë përgjegjësinë e qeverisjes, tradhtojnë interesat e qytetarëve, tradhtojnë interesin publik, siç iu ka tradhtuar Edi Rama dhe banda me të cilën sundon sot Shqipërinë.

Vendi ka mundësi të dalë nga kjo krizë.

Ne shpalosëm dje, në praninë edhe të miqve tanë gjermanë dhe europianë, planin tonë të emergjencës, për ta nxjerrë vendin nga kriza. Ky plan parashikon, që paratë që sot, përfundojnë në xhepat dhe kontot bankare të Edi Ramës dhe një grushti oligarkësh, ne ti kthejmë tek qytetarët. Ky plan parashikon mbi të gjitha, që ta heqim Shqipërinë dhe Mallakstrën nga kthetrat e oligarkëve dhe të ja kthejmë shqiptarëve të ndershëm, shqiptarëve punëtorë, bijve dhe bijave të këtij vendi, prindërve të këtij vendi, pensionistëve dhe të moshuarve të këtij vendi.

Në planin tonë Antimafia, çdo qindarkë që kanë grabitur, dhe nuk kanë grabitur qindarka, por miliarda euro, do t’ju konfiskohet dhe do të kthehet tek qytetarët shqiptarë, që janë pronarët e vërtetë të këtyre pasurive dhe të këtyre parave.

Me planin tonë, ekonomia do të marrë frymë me taksa të ulëta. Me planin tonë, do ti japim fund pensioneve që vetëm pensione nuk janë, por nuk janë as lëmoshë. Janë thjeshtë damka e turpit e kësaj qeverie, që ka dështuar në çdo premtim me të cilën u erdhi qytetarëve. Premtime boshe, sepse votat i bleu dhe i mori me ndihmën e krimit, drogës dhe oligarkëve.

Ndaj, sot nga Mallakastra, dua të jua them fare qartë: PD nesër në pushtet, nuk do të mjaftohet me konfiskimin e pasurive të të gjithë zyrtarëve dhe oligarkëve që kanë abuzuar me paratë, djersën dhe mundin tuaj.

Ne do ti çojmë ata para drejtësisë. Ligji do ti dënojë, do ti çojë ata në burg, dhe jo qytetarët e pafajshëm që luftojnë për mbijetesë.

Por, që kjo të ndodhë, do të duhet të rikthejmë procesin politik në vend.

Ne do të rikthejmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Partia Demokratike dhe opozita, e kanë paraqitur zgjidhjen politike: Një qeveri kalimtare, e palidhur me krimin, që nuk e ka lidhur fatin e vet me Besot e Shqipërisë, që të përgatisë një proces të ndershëm zgjedhor dhe të jeni ju, qytetarët shqiptarë, që të vendosni me votë, në bazë të programit dhe në bazë të zbatimit të programit, se kush do ta qeverisë këtë vend.

Ne i kemi zgjidhjet. Vendi i ka mundësitë dhe do të dalë nga kjo krizë.

Unë, ju kërkoj sot mbi të gjitha, të besoni tek njëri-tjetri. Ti shtrini dorën njëri-tjetrit, të besoni tek ky vend. Nuk ka pse ta braktisim Shqipërinë. Nuk ka pse ta braktisim Ballshin dhe Mallakastrën. Këtu mund dhe do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, për veten tuaj dhe mbi të gjitha, për fëmijët tuaj.

Dhe pikërisht për fëmijët tuaj, për rininë e Mallakastrës, për vogëlushët e Mallakastrës, ju kërkoj: mos u dorëzoni. Bashkohuni dhe shtrijini dorën njëri-tjetrit dhe të nisim së bashku një betejë, për të ja rikthyer Shqipërinë, shqiptarëve.

Shqipëria, nuk mund të mbetet peng i Edi Ramës dhe i oligarkëve. Parlamenti dhe qeveria, nuk mund të mbeten vegël e krimit dhe e oligarkisë.

Tani që çdo mjet tjetër politik është shterruar, dhe para se unë të ju kërkoj besimin dhe votën për Partinë Demokratike, që të vëmë në jetë programin tonë, që do ulim taksat. Të ulim që në ditën e parë, 300 lek për litër çmimin e karburantit, duke hequr taksën Rama, dhe të ndezim motorët e zhvillimit ekonomik, të çlirojmë energjitë pozitive, të hapim vende pune. Vende pune me paga dinjitoze për shqiptarët, këtu në vendin e tyre. Objektivi numër 1 i Partisë Demokratike, ky është: të hapim vende pune, me paga dhe kushte dinjitoze për shqiptarët dhe në veçanti, për rininë shqiptare.

Por, që ti hapim rrugë këtij procesi politik, ne, unë, vendi, ka nevojë për ju. Ka shteruar mundësia për ta zgjidhur këtë brenda institucioneve, sepse institucionet i ka kapur krimi. Institucionet i kanë kapur oligarkët. Qeveria dhe parlamenti, janë kukulla në shërbim të tyre, dhe janë po kështu bashkëfajtorë, se fitimet që nxjerrin mbi gjakun dhe djersën tuaj, përfundojnë edhe në xhepat e Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë të korruptuar sot në qeveri.

Ndaj, me 16 shkurt, nuk ju thërras në Tiranë për të ju mbajtur një tjetër fjalim.

Koha për fjalë ka mbaruar!

Me 16 shkurt, unë, Partia Demokratike dhe opozita e bashkua, ju thërrasim në Tiranë, që të ndërmerrni aktin që i takon vetëm sovranit. Nuk më takon mua, ai akt! Mua më takon të ju jap planin e daljes nga kriza. Mua më takon të ju jap fjalën, se së bashku do të hapim një rrugë shprese dhe besimi te Shqipëria.

Ndërsa ju, deleguesit e vetëm të pushtetit, ju autorizuesit e vetëm të pushtetit, ju dhe vetëm ju, të bashkuar, të gjithë shqiptarët e bashkuar, kanë të drejtën sovrane që me 16 shkurt, të përfundojmë kontratën me Edi Ramën dhe ta deklarojmë këtë në Tiranë.

Nga pjesëmarrja jua dhe vendosmëria juaj, le të jepet lajmi me 16 shkurt:

se shqiptarët e zgjidhin kontratën me krimin.

E zgjidhin kontratën me oligarkinë.

E zgjidhin kontratën me Edi Ramën.

Kjo është domethënia e 16 shkurtit. Nuk është dhe nuk mund të jetë, si një ditë tjetër proteste. Duhet dhe do të jetë, me bashkimin tuaj, një ditë ndryshe dhe fillimi i ndryshimit pozitiv, për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar.

Sot erdha për një bashkëbisedim me qytetarët, me naftëtarët, me sipërmarrjen, por, siç e keni mbushur këtë shesh plot, ashtu e kam dhe unë zemrën plot, se shoh që është kthyer besimi dhe vendosmëria juaj, për ta marrë fatin në duart tuaja, për të mos e lënë fatin peng të një bande, që pasi ju ka vjedhur, ju ka zhgënjyer, ju ka braktisur, ju tall, siç tallet Edi Rama, ditë për ditë me ju. Ndërkohë që mbush xhepat dhe kontot, me paratë tuaja dhe bukën e fëmijëve tuaj.

Ndaj dhe njëherë dua të ju ftoj, që kështu siç jeni bashkë, bashkë me 16 shkurt, të derdheni në bulevardin qendror të Tiranës dhe të deklaroni vullnetin tuaj si shqiptarë të lirë, si europianë. Të deklaroni vendimin tuaj e t’i hapim Shqipërisë rrugën e zhvillimit, të mirëqenies dhe të punësimit.

Ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Zoti e bekoftë Shqipërinë .

Modifikuar më Saturday, 02 February 2019 22:16
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...