Studentët thonë se e kanë të vështirë që çdo muaj të sigurojnë abonenë me 600 lekë, ndaj detyrohen që të paguajnë sa të gjithë qytetarët që përdorin transportin publik 1600 lekë.
Studenti: Abonenë këtu e marrin vetëm personat që kanë miq. Shikoj në autobus njerëz tek të 40-at që kanë abone ndërsa unë si student rri me abonenë e përgjithshme.
Studentja: Asnjëherë nuk e kemi marrë abonenë e studentit, blejmë abone të përgjithshme si gjithë të tjerët.Nuk është në treg, vetëm në tregun e zi.Mund ta marrësh nëse ke ndonjë mik apo njohje.
Studentja: Autobusët e Kamzës por edhe të Tiranës së Re nuk e pranojnë abonenë e studentit.
Studentja: Zakonisht merret përmes mikut, nëse ke dikë që njeh atëherë mund ta marrësh abonenë.
Shqetësimi ngrihet edhe nga Qëndresa Qytetare. Në një raport të saj bëhet me dije se 80% e studentëve nuk përfitojnë abone për shkak të numrit të limituar që del në treg.
"13904 abone prodhohen çdo muaj për studentët e Tiranës. Kjo shifër plotëson vetëm 20% të numrit total të studentëve që kryejnë studimet në Tiranë".
Po ashtu bashkia nuk ka një procedurë ligjore për pajisjen e studentëve me abone. Në të tilla kushte operatorët i shpërndajnë ato nën dorë.
"Bashkia nuk ka një procedurë ligjore të saktë për shpërndarjen e aboneve. Mungesa e kësaj procedurë ligjore ka sjellë abuzim dhe as këta 13904 studentë nuk mund ta aksesojnë në mënyrë të drejtë blerjen e kësaj aboneje".
Aboneja nuk është i vetmi shërbim i munguar. Edhe pse është një detyrim ligjor, studentët nuk përfitojnë ende kartën e studentit.
Problematikat u ngritën edhe gjatë protestës 2 mujore por ende shqetësimet mbetën pa zgjidhje.