Analiza e BIRN / Si e zhvlerësi euron paraja e krimit

E Enjte, 14 February 2019 23:02

Në fund të muajit dhjetor, përfaqësuesit e industrisë fasone – të cilët përbëjnë dhe pjesën më të madhe të ndërmarrjeve eksportuese në vend, dolën në një konferencë për media duke tundur kambanat e alarmit mbi vështirësitë ekonomike më të cilat përballet sektori.

“Fitimi mesatar i ndërmarrjeve të prodhimit fason është rreth 15 %, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit,” tha Saimir Bitaj, anëtar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve.

 

“Mbivlerësimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet e prodhimit fason. Të ardhurat e këtyre ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë,” shtoi ai.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi kursin e këmbimit tregojnë se gjatë tre viteve të fundit monedha europiane është zhvlerësuar me 6 për qind kundrejt lekut, dhe ky dobësimin i euros nuk është i lidhur drejtpërdrejtë me të ashtuquajturit faktorët fondamentalë ekonomikë.

Statistikat e Bankës tregojnë se në katër vitet e fundit ka pasur një rritje rekord të parasë në qarkullim jashtë bankave, të cilat sipas ekspertëve vijnë si pasojë e aktiviteteve kriminale, kryesisht nga trafiku i lëndëve narkotike dhe korrupsioni, çfarë ka sjellë dhe mbiçmimin e monedhës vendase në tregun e këmbimit.

Një raport i klasifikuar për vlerësimin kombëtar të riskut i përgatitur nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, (DPPP) në vitin 2015-të, një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN, tregon që disa sektorë kyç të ekonomisë si lojërat e fatit, ndërtimi, por dhe sistemi bankar kanë qenë të papërgatitur për të kufizuar rrjedhjen e parave të pista nga aktivitet e paligjshme, çfarë ka forcuar kulturën e pandëshkueshmërisë.

Si pasojë e pastrimit të parave nga aktivitete kriminale, Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave në Këshillin e Europës, i njohur gjithashtu si ‘Moneyval,’ e ka rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve me risk të lartë.

E pyetur nga BIRN,  Banka e Shqipërisë tha se trendi mbiçmimit të lekut ndaj euros vinte si rrjedhojë e përmirësimit të treguesve ekonomikë apo në periudha të caktuara zhbalancimin e kërkesës dhe ofertës për shkak të faktorëve specifikë.

Mbiçmimi i lekut

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për informacion drejtuar Bankës së Shqipërisë tregojnë se volumet e shit-blerjes së monedhës euro në dy vitet e fundit janë rritur ndjeshëm. Nga viti 2010 deri në fund të 2014-ës, sasia e konvertimeve në tregun valutor vendas luhatej në nivelet mesatare vjetore rreth shifrës 5.5 miliard euro. Por ky volum ka nisur një rritje graduale për periudhën nga fundi i vitit 2015-ë e deri në fund të 2017-ës, duke arritur kulmin gjatë vitit që shkoi.

Në 2015-ën janë kryer konvertime nga euro në lek dhe nga lek në euro në nivelin 590 milionë euro më shumë, në 2016-ën kjo sasi e shtuar e shit-blerjes së valutës është 437 milionë euro, ndërsa në 2017-ën rritja është me 227 milionë euro.

Në 2018-ën vlera e konvertimeve mes euros dhe lekut në tregun e këmbimit valutor në Shqipëri kaloi volumin 2 miliardë euro në tremujor, duke vendosur rekorde historike sa i takon vlerës së lartë të këmbyer në treg.

Për 9 muaj të vitit 2018-ë në tregun vendas, konvertimi mes monedhave lek dhe euro është rritur me 1 miliardë e 384 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë në vitit 2017. (30.5%).

Nga viti 2014 e deri në fund të 2017-ës, sasia e parave euro dhe lek të këmbyera në tregun vendas është rritur me 1 miliardë e 254 milionë euro. Ndërsa nëse krahasohen 9 muajt e parë të 2014-ës me vitin 2018-ë, sasi e konvertimeve të monedhës është shtuar me 48.5%.

Mbiçmimi i monedhës kombëtare gjatë 3 viteve të fundit nuk mund të shpjegohet përmes faktorëve fondamentalë në ekonomi, një tezë kjo e hedhur shpesh përpara publikut nga ana e Bankës se Shqipërisë.

Faktorë fondamentalë në një ekonomi quhen eksportet, investimet e huaja direkte, dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat e tjera dytësore nga turizmi dhe agjentët që sjellin paratë nga jashtë në një shtet.

Të gjitha të hyrat e monedhave të huaja, publikohen çdo tre muaj nga Banka e Shqipërisë përmes statistikave të “bilancit të pagesave”, i cili shpreh raportin e flukseve të parasë që kanë hyrë në treg dhe asaj që del jashtë tij përmes rrugëve zyrtare.

Kur kemi një bilanc pozitiv të pagesave, atëherë ekonomia më shumë eksporton se sa importon. Sa më pak negativ të jetë raporti, aq më shumë një shtet thith fonde nga jashtë përmes potencialeve formale ekonomike.

Në raportin e bilancit të pagesave të tre viteve të fundit, periudhë ku monedha euro është dobësuar me 6% në tregun e këmbimit valutor vendas, efekti mes eurove të hyra në rrugë zyrtare dhe parasë që ka dalë po ashtu në rrugë zyrtare luhatet në të njëjtat nivele, duke mos u bërë shkak për shtimin e ofertës së euros në tregun vendas dhe dobësimin e saj.

Në vitin 2014, deficiti i llogarisë korrente ishte i lartë, në nivelin 1.076 miliardë euro, ndërsa në vitin 2015-të ky deficit u ngushtua me 192 milionë euro, duke arritur në 884 milionë euro. Por edhe pse fluksi zyrtar i sasisë së euros i ardhur përmes kanaleve zyrtare u shtua me 192 milionë euro, kursi mesatar i këmbimit për vitin 2014 dhe 2015 mbeti në nivele të njëjta,  ku 1 euro rezulton të jetë këmbyer me 140 lekë.

Në disa dalje publike, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko është shprehur se shkaku kryesor i dobësimit të euros lidhet me faktorët fondamentalë. Megjithatë, për mbiçmimin e kursit të këmbimit gjatë 2018-s, Sejko pranoi se nuk kishin të bënin vetëm këto shkaqe me arsyet e këtij ekuilibri të ri, ku euro u zhvlerësua në 124 lekë.

“Edhe pse në mungesë të ndryshimit të faktorëve fondamentalë, pritjet e njëanshme afatshkurtra mbi kahun forcues të kursit të këmbimit rrezikojnë të shndërrohen në pritje të qëndrueshme dhe afatgjata,” deklaroi Sejko në datën 6 qershor 2018.

“Konsolidimi i këtyre pritjeve dhe krijimi i dimensionit vetë-përmbushës të tyre, mund të krijojnë një rreth vicioz me ndikim të dëmshëm në inflacion dhe në treguesit e tjerë ekonomikë,” shtoi ai.

Sipas vetë statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë nga viti 2015 në vitin 2016, sasia e eurove të hyra në kanale zyrtare në vend u shtua me 71 milionë euro, çka nuk shpjegon dobësimin e saj nga 138 lekë në 135 lekë në fund të vitit.

E kundërta ka ndodhur në 2017-n, ku në Shqipëri kanë hyrë në rrugë zyrtare 53 milionë euro më pak se në vitin 2016, por vlera e saj sërish ra në 133 lekë në muajin dhjetor duke vendosur një ekuilibër të ri në treg.

Të dhënat e bankës qendrore flasin për një raport prej 67 milionë eurosh  më shumë të hyra në tregun vendas gjatë 9 muajve të 2018-s krahasuar me 9 mujorin e 2017-s.

Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, nënvizon se mbiçmimi i monedhës vendase nuk ka ardhur si pasojë e rritjes ekonomike por për pasojë e shtimit të parasë në treg nga burime informale.

“Mbiçmimi i lekut nuk vjen për shkak të shkëlqimit të ekonomisë vendase, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe rritjes së numrit të vendeve të punës – sepse rendimenti i punës ka rënë,” tha ai.

Sipas Preçit janë tre burime që i sjellin këto para: i pari janë prurjet monetare të emigracionit të cilat në vite vazhdojnë të ruajnë të njëjtin trend. Faktori i dytë janë transaksione të rëndësishme të kompanive apo borxh publik, të cilat pompojnë për një fare kohe një monedhë tjetër. Por burimi më i rëndësishëm, burimi i tretë, janë të hyrat monetare nga aktivitetet kriminale.

“Këtu kam parasysh faktin që Shqipëria është një rezervuar i madh i përpunimit dhe eksportit të marijuanës dhe një vend tranziti dhe konsumi i kokainës dhe drogave të forta,” shpjegoi ai.

Banka e Shqipërisë në një përgjigje për BIRN tha se shkaku i mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit lidhet me forcimin e monedhës për shkak të përmirësimit të ekonomisë vendase dhe ofertës së shtuar monetare në 2018-ën si rezultat i konvertimit të kapitalit të bankave tregtare dhe një kredie që pritej të disbursohej nga BERZH.

“Në bazë të modeleve dhe studimeve empirike, si dhe në bazë të gjykimit të ekspertëve dhe specialistëve të fushës në Bankën e Shqipërisë, konkluzioni ynë është se trendi mbiçmues i kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë. Nga ana tjetër, të gjithë modelet sugjerojnë se përshpejtimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 përfshin edhe efektin e faktorëve të cilat nuk janë të përfshirë në model, duke nënkuptuar zhvillime specifike të tregut valutor gjatë kësaj periudhe.”

Paraja jashtë bankave

Në katër vitet e fundit paraja në qarkullim jashtë kanaleve bankare ka arritur në nivelin 2.17 miliardë euro, më i larti në historinë e Shqipërisë.

Paraja jashtë korporatave depozituese në statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë paraqet “cash”-in që qarkullon në ekonomi, i cili është jashtë bankave apo llogarive të tjera të institucioneve financiare.

Në harkun kohor të dhjetorit të 2013-s e deri në fund të vitit 2018-ë, paraja jashtë bankave është rritur me 560 milion euro, duke shfaqur një ritëm rritje të lartë dhe jashtë cikleve që ka paraqitur në historikun afatgjatë.

Në kah të kundërt me luftën e qeverisë për të zhdukur informalitetin, në 2014-ën dhe 2015-ën kanë qarkulluar jashtë kanalave zyrtare përkatësisht 154 milionë euro dhe 105 milionë euro më shumë nga viti në vit. Edhe gjatë viteve 2016 dhe vitit 2017 paraja në qarkullim jashtë korporatave depozituese është rritur respektivisht ne 154 milionë euro dhe 130 milionë euro. Në fund të dhjetorit 2018-të, ky tregues është shtuar me 81 milionë euro.

Tendenca e shtimit të parasë në qarkullim jashtë kanaleve zyrtare për 5 vjet rresht shihet si e pazakontë nga ekspertët e ekonomisë, pasi në vite të tjera kurba e saj është me rritje dhe rënie nga viti në vit, duke sjellë një ekuilibër të këtij treguesi.

“Pas vitit 2012 kanë marrë peshë të madhe paratë që vijnë nga aktivitetet kriminale, droga. Askush nuk mund të thotë për paratë që qarkullojnë me Toyota Yaris dhe askush nuk i evidenton,” tha Preçi, duke iu referuar sekuestrimit në portin e Durrësit në shkurt 2018 të 3.4 milionë eurove në një makinë Toyota Yaris.

Sipas Preçit një rritje kaq e lartë e parasë jashtë bankave nuk është parë që nga fundi i vitit 2008, kohë kur pati një tërheqje masive të depozitave në banka për shkak të krizës financiare globale, sasi e cila më vonë u fut sërish brenda sistemit bankar.

Euro në pikiatë

Shkakun kryesor të dobësimit të kursit të këmbimit guvernatori Gent Sejko ia ka dhënë konvertimit të kapitalit të dy bankave tregtare – Intesa San Paolo me bashkimin që bëri me Venetto Bank, si dhe një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që do të hynte në treg në monedhën euro dhe do të konvertohej në lek, e cila do të disbursohej për llogari të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Të gjitha këto konvertime llogariten që të kapin vlerën 300 milionë eurove gjatë një periudhe të caktuar, dhe kanë shërbyer si faktorë shtytës për ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.

“Ka pasur dhe faktorë të tjerë specifikë që kanë detyruar Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë programin e ndërhyrjeve, veçanërisht gjatë periudhës së verës. Këta faktorë kanë qenë konvertimi i kapitalit nga disa banka dhe një kredi e madhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar,” tha ai.

“Kjo sasi valute bënte presion mbi kursin e këmbimit dhe rriste pritshmërinë e sistemit financiar në atë moment,” shtoi Sejko.

Por ndryshe nga sa pretendon guvernatori, BIRN ka mësuar se transferimi i kredisë së BERZH për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare u bë në lekë dhe jo në euro. 

“Madje bisedimet mes Bankës së Shqipërisë me KESH për të bërë disbursimin e kredisë në lek  kanë nisur që në fillim të muajit maj, disa javë përpara se të bëhej disbursimi i huasë dhe nuk kanë dhënë efekt psikologjik në pritshmëritë e bankave të nivelit të dytë, pasi ato nuk kishin asnjë kërkesë për të bërë këtë konvertim,” tha një burim konfidencial në KESH.

Sipas kërkese që KESH i ka drejtuar Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rezulton se marrëveshja për disbursimin e kredisë në monedhën kombëtare dhe jo në euro ishte lidhur që më datën 16 maj 2018, dy javë përpara se guvernatori të deklaronte se konvertimi i kësaj kredie kishte krijuar pritshmëri dhe kishte pozicionuar agjentët ekonomikë.

Më 11 qershor 2018 në tregun shqiptar hynë 14.534 miliardë lekë për shkak të konvertimit të kredisë së BERZH për Korporatën Elektroenergjetike nga ana e Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore bleu 116.82 milionë euro të kësaj kredie me kursin 124.42 lekë me qëllim stabilizimin e tregut të këmbimit valutor në vend.

Në një përgjigje për BIRN, Banka thotë se pritshmëritë e agjentëve për kredinë e BERZH shkaktuan rritjen e ofertës valutore në këtë periudhë.

“Faktorët specifikë të tregut valutor, të cilën ne e kemi trajtuar si goditje, lidhen me konvertimin e kapitalit të disa bankave të sistemit, me disbursimin e pritur të kredisë së BERZh-it, si dhe me ndryshimin e sjelljes së operatorëve e të tregut valutor, si pasojë e krijimit të pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut në të ardhmen. Ata sollën rritjen e ofertës valutore dhe një mbiçmim më të fortë të lekut sesa në vitet e kaluara.”

Por kjo nuk është hera e vetme që Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor gjatë këtij viti. Sipas statistikave zyrtare, Banka e Shqipërisë ka blerë 257.95 milionë euro në tregun e brendshëm për 9 muajt e parë të vitit, ku më shumë se gjysma e tyre kanë qenë ndërhyrje për të rregulluar kursin e këmbimit valutor. Rreth 221.25 milionë euro kanë shkuar për të ndalur rënien e monedhës europiane për muajt qershor, korrik dhe gusht, dhe 36.7 milionë janë blerje për të rritur rezervën valutore.

Jo të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e mbështetën programin e ndërhyrjeve në kursin e këmbimit, e pyetur për këtë nga BIRN, Banka e Shqipërisë tha se programi i ndërhyrjeve është miratuar me vota unanime nga të gjithë anëtarët e pranishëm.

Gjatë vitit 2018-ë profesori i ekonomisë Selami Xhepa rreshton disa dukuri që ndikuan në luhatjet e theksuara të kursit të këmbimit në tregun vendas: rritja e monedhës euro në qarkullim me të njëjtat ritme si në vitet paraardhëse për shkak të informalitetit, konvertimi i kapitalit të bankave tregtare të cilat ndryshuan pronarët dhe nuk përjashton edhe mundësinë e hapjes së tregut drejt spekulimeve të disa agjentëve.

Sipas Xhepës ndryshimet në faktorët fondamentalë në kursin e këmbimit siç janë të ardhurat dhe shpenzimet që bën ekonomia nuk kanë ndryshuar në një mënyrë të tillë që të na shpjegojnë se përse ka ndodhur kjo zhvendosje kaq e fortë në vlerën e parasë.

“Mbeten për mendimin tim faktorë që janë jashtë kontrollit të autoriteteve, siç është ai i informalitetit, kanaleve të tjera të depërtimit të parasë në ekonomi, të pastrimit të parave etj.” thotë ai, ku e kombinuar me disa konjektura në vitin 2018-ë shkaktoi këtë luhatje të kursit të këmbimit.

“Natyrisht që një kontribut mund të kenë luajtur edhe një pritshmëri që kanë pasur agjentët ekonomikë të vendit për zhvillimet në kursin e këmbimit për shkak të politikave restriktive të përdorimit të euros në ekonomi, ” shtoi Xhepa.

Por Gjergj Buxhuku, administrator i “Konfindustria”-s, është i bindur se  në vitin 2018 në tregun shqiptar janë futur gjithashtu para të cilat i përkasin personave të rëndësishëm në radhët e drejtësisë vendase e që në vite ishin mbyllur në llogari të bankave në shtete të njohura si “parajsa fiskale”.

“Procesi i “vetting”-ut ka qenë një sinjal alarmi për të gjithë ata që dispononin këto para jo të formalizuara për të kuptuar që “dara” e agjencive ndërkombëtare është shumë e fortë sidomos në ato vende të cilat mund të jenë burim i depozitimit siç janë parajsat fiskale në vende të ndryshme, për të cilat është menduar se nuk mund të jenë më të sigurta,” tha ai.

Buxhuku shprehet se ka raporte të besueshme të kthimit të vlerave të konsiderueshme të parave në Shqipëri për shkak të frikës së sekuestrimit të llogarive të tyre në këto shtete.

“Llogariten mbi 30 miliardë lekë para të shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit dhe janë depozituar në parajsa fiskale,” tha ai.

“Por meqënëse “vetting”-u është bërë nën trysninë e ndërkombëtarëve dhe ato janë nën ndikimin politik të agjencive të këtyre shteteve, shumë prej këtyre zyrtarëve të rëndësishëm nuk i konsiderojnë më depozitat andej të sigurta dhe po i  kthejnë për të gjetur një strehë të në vendin e tyre,” shtoi Buxhuku.

Sektorët me risk  

Një raport me klasifikimin ‘i kufizuar’, mbi vlerësimin kombëtar të riskut i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit flet për një rrezik shumë të lartë të pastrimit të parave në sektorin e lojërave të fatit, këmbimit valutor dhe për një risk të lartë  në sektorin bankar.

Raporti është hartuar mbi një sistem vlerësimi të vitit 2015-ë i cili është ende në fuqi edhe sot, lidhur me rreziqet që ka secili sektor në fushën e “larjes” së parave.

“Mënyra e ndjekur për të pastruar paratë në Shqipëri ka qene ekstravagante, nuk është tentuar të fshihet dhe madje ka qenë shpërfillëse ndaj ligjit, duke bërë që të ulet respekti i publikut ndaj fuqisë së shtetit dhe drejtësisë në kuptimin thelbësor të fjalës, ndëshkueshmërisë, madje duke rrezikuar që breza të tërë shtetasish të mos ta konsiderojnë pastrimin e parave, korrupsionin etj. Si veprimtari shumë negative.” thuhet në raport.

Me një ligj të miratuar nga parlamenti në fund të vitit 2018-ë, Shqipëria mbylli pikat e basteve dhe kazinotë elektronike. Nisma u përball më një rezistencë nga ana e kompanive në këtë treg, të cilat raportohet se kërcënuan edhe disa deputetë, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

BIRN ka mësuar se katër deputetë të Partisë Socialiste që janë pjesë e Komisionit të Ekonomisë kanë marrë mesazhe kërcënuese nga numra të paidentifikuar, pas të cilëve janë prezantuar pronarë të kompanive të lojërave të fatit.

Kërcënimet kanë qenë në drejtim të jetës së deputetëve dhe të familjarëve të tyre. Denoncimin për mesazhet kërcënuese e ka konfirmuar në qëndrime publike edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë në atë periudhë Erjon Braçe dhe kryeministri Edi Rama.

Arsyet se përse qeveria mori vendimin drastik për të mbyllur në masë lojërat e fatit, lidhet gjithashtu me rastet e zbuluara të personave që pastrojnë para dhe që kanë rezultuar pronarë të këtyre firmave.

Vlerësimi kombëtar i riskut të pastrimit të parave në këtë sektor rezulton shumë i lartë, për shkak të kontrollit të krimit të organizuar mbi këtë sektor.

“Raste sporadike tregojnë që vetë pronarët/zotëruesit e lojërave të fatit janë persona që pastrojnë para, raste të veçanta kanë provuar futjen e shumave të konsiderueshme produkt krimi nga lojtarët në lojëra fati”, shkruhet në raport.

Me rrezik renditet edhe përdorimi i parasë fizike në këtë sektor, fakti se nuk raportohen raste të aktivitetit të dyshimtë në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pranohet se është e  pamundur gjurmimi i transaksioneve të realizuara mbi limitin e raportimit.

Nuk është vetëm sektori i lojërave të fatit, por edhe sistemi bankar konsiderohet me risk të lartë në fushën e pastrimit të parave të pista. BIRN ka mësuar se Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka gjobitur disa banka vitin e shkuar, pasi nuk kishin deklaruar rastet e transfertave të dyshimta

Me risk të lartë e konsideron sistemin bankar në Shqipëri edhe raporti i Moneyval, organi i monitorimit të Këshillit të Europës.

“Kërcënimi i pastrimit të parave përmes bankave konsiderohet të jetë i lartë edhe pse sektori është duke aplikuar gjithnjë e më shumë kontrolle.” shprehet Moneyval. “Penetrimi i krimit të organizuar në politikë dhe në funksione administrative lehtëson kryerjen e veprave penale në Shqipëri dhe lehtëson pastrimin e parave të krimit me sukses,” shton ajo.

Së fundi agjencia e ka vënë nën monitorim Shqipërinë për ta futur në listën e vendeve me risk për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit, duke i lënë në tavolinë autoriteteve përmbushjen e disa detyrave. Shqipëria doli nga kjo listë në vitin 2015. BIRN ka mësuar se së fundi qeveria ka nisur angazhimet për krijimin e një regjistri për të përmbledhur të gjithë pronarët e kompanive të ndryshme në një sistem, ku do të detyrojë edhe firmat ‘off-shore’ që të publikojnë 25% të pronarit fundor të fitimeve të një shoqërie.

Me të njëjtin risk si lojërat e fatit konsiderohen edhe zyrat e këmbimit valutor. Në vitin 2017 dhe 2018, Banka e Shqipërisë revokoi përkatësisht 43 dhe 18 licenca të këtyre institucioneve që këmbejnë para, ku arsyeja kryesore ishte shkelja e rregullave të deklarimit të burimit të parave. Ky është numri më i lartë në vite i licencave të revokuara, përkundër një mesatareje prej 5 revokimesh që janë bërë në vitet e tjera. [Kliko këtu për listë e licencave të revokuara]

“Ka shumë Zyra Këmbimi Valutor që kanë dalë nga tregu dhe licenca që shiten e blihen, mbarojnë misionin dhe mbyllin, janë krijuar të tilla se duhet të pastrojnë ca para,” tha Zef Preçi.

Rikthimi i ndërtimit

Pas një krize disa vjeçare, vitet e fundit sektori i ndërtimit është rikthyer në ekonominë vendase si një nga degët që sjell peshën më të madhe në rritjen ekonomike.

Në total, sipas statistikave zyrtare vlera e lejeve të ndërtimit të miratuara në vitin 2017 arriti në 400 milionë euro, ku më shumë se 70% të kësaj sasie parash e zë investimi i projekteve private. E njëjta tendencë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2018, ku për 9 muajt e parë të vitit u miratuan leje ndërtimi në vlerën e 300 milionë eurove.

Arben Dervishaj, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, pranon rritjen e pazakontë dhe që ka një zhvillim të tregut edhe me aktorë të rinj, por ai thotë se kjo është detyrë e institucioneve për t’i kontrolluar.

“Interesi për të ndërtuar ka ardhur sepse ka pasur një ndërprerje për shkak të mosmiratimit të planeve rregulluese dhe revokimeve të tyre në vite . Ka pasur interes dhe në zonat e turizmit, përveç atij në zonat urbane.  Kemi në treg investitorë të rinj dhe kompani të reja, por që ato të marrin licencat duhet që të kontrollohen nga autoritetet, nuk është detyrë e shoqatës.”

Por përkundër kësaj tendence për të ndërtuar në vlera të konsiderueshme, kredia për sektorin e ndërtimit nga viti 2016 dhe deri në nëntor 2018 është luhatur mes të njëjtave nivele mesatare prej 46 miliardë lekësh. Krahasuar me vitin 2012 dhe 2013, kredia për ndërtimin ka një tkurrje të ndjeshme me rreth 15 miliardë lekë, duke mos justifikuar kërkesën e shtuar të biznesit për të ndërtuar.

Dervishaj shprehet se nga tregu informal vuajnë të gjithë dhe nuk është në interes të shoqatës ekzistenca e një tregu të tillë.

“Është detyra e institucioneve për të verifikuar nëse paratë e qytetarëve që blejnë këto ambiente, janë të pastra apo jo. Për kompanitë e reja  nuk mund të japim koment, të paktën për kompanitë e reja që nuk janë anëtarë tanë.”

Gati 1/3 e rasteve të referuara në organet e drejtësisë nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave lidhen me dyshime të blerjeve të pasurive të paluajtshme. Në analizën e saj kjo agjenci thotë se shumica e rasteve nuk janë shumë të sofistikuara dhe personat rezultojnë se thjesht kanë blerë  pasuri  pa përdorur shumë mekanizma për të fshehur pastrimin e parave. Sipas Zef Precit, qarkullimi i parave të pista në disa sektorë të ekonomisë ka çuar dhe në deformimin e kursit të këmbimit midis euros dhe lekut.

“Fakti që disa sektorë të saturuar siç është ndërtimi, apo sektorë të rregulluar keq si lojërat e fatit, kanë qarkulluar shuma të mëdha parash dhe janë lavatriçet kryesore, ka bërë që në këtë ekonomi të ketë rreth të favorshëm për të qarkulluar këto para,” tha ai. “Për rrjedhojë është deformuar raporti midis euros me ofertë shumë të madhe dhe lekut me ofertë normale që reflekton rritjen ekonomike modeste që ka vendi,” përfundoi Preçi.

“Di një gjë, që të gjitha kontrata e ndërtimit, bëhen përmes noterit, derdhen te noteri paratë dhe pastaj shkojnë te investitori ose ai që është shitësi.” sqaron Shoqata e Ndërtuesve.

Pasojat mbi industrinë

Në dhjetor monedha kombëtare arriti një mbiçmim ndaj euros mbi normën 9%, duke çuar vlerën e saj për herë të parë në shumë vjet poshtë nivelit 123 lekë. Jo vetëm fasonët por edhe grupe të tjera prodhuesish janë të shqetësuar për efektet afatgjata që mund të shkaktojë rënia e euros në industrinë vendase.

“Luhatjet e euros me dy shifra vjetore janë të rënda për prodhimin. Ato zhvlerësojnë në mënyrë masive depozitat shqiptare, sepse kështu janë shumica e kursimeve, para në euro të ardhura nga emigracioni, por mbi të gjitha godasin industritë, ato industri që punojnë për zhvillimin e vendit.” thotë administratori i Konfindustria-s Gjergj Buxhuku.

Buxhuku i frikësohet që falimenti të industrisë vendase, e cila nuk do të ketë më shpresa për t’u rikuperuar në të ardhmen.

“Politikat e zhvleftësimit të një monedhe dobësojnë eksportet dhe në këtë rast janë forcuar importet. Kjo do të thotë se prodhimi i vendit po ndodhet në vështirësi ekzistenciale, mbijetese. Nëse një industri mbyllet nuk hapet më! Ajo pjesë e tregut të saj zëvendësohet nga mallrat e importit dhe industria është pothuajse e pamundur që të rihapet.” sqaron ai.

Kërkesën e eksportuesve për të ndërhyrë dhe stabilizuar kursin e këmbimit e mbështet dhe Selami Xhepa, i cili thotë se megjithëse Banka e Shqipërisë e ka të vështirë të vazhdojë blerjen e valutës për shkak të rritjes së ndjeshme të rezervës valutore dhe kostove që ajo po shkakton në të ardhurat e saj, autoritetet duhet të shpëtojnë eksportet.

“Unë mendoj se në kushtet dhe kontekstin që ka ekonomia vendase, duhet të ketë një vëmendje sidomos për sektorin e eksporteve,” tha ai.

“Pesha më e rëndësishme e eksporteve është te fasonët, dhe ne të gjithë e dimë se kjo është një industri që punon me norma shumë të ulëta fitimi,” përfundoi Xhepa.

Burimi: Birn

Modifikuar më E Enjte, 14 February 2019 22:13
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...