E ftuar në studion e Syri.net, përballë gazetarit Alen Xhelili, avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka prekur disa tema “të nxehta” të aktualitetit.
Ballanca ka prekur rastin e arrestimeve të protestuesve dhe veçanërisht të rastit të Florenc Hoxhës, ish drejtor i Policisë Bashkiake në Tiranë.
Avokati i Popullit e ka ndjekur në dy aspekte. Një pjesë është monitrimi i protestës dhe verifikimi i punës së policisë. Nëse ka arrestime... Ditën e dielë, ne kemi bërë takim me të gjithë personat e ndaluar. Ditën e dielë ka patur 16 të ndaluar dhe arrestuar, 15 nuk kanë pretenduar për dhunë nga forcat e policisë. Përjashtim bën rasti i Florenc Hoxhës. Është rast problematik lidhur me të drejtat e njeriut. Pamjet filmike ishin shumë shqetësuese. Forca të shumta policie kishin shkuar në banesën e tij. Nuk mund të ketë tregim force të çbalancuar. Mënyra se si policia duhej ta kapte, duke parë që nuk ishte duke bërë një krim në flagrancë ose duke ikur nga skena e krimit, ka patur probleme të theksuara të procedurave ligjore. Ka patur dhunë verbale dhe terror të pajustifikuar në prani edhe të dy fëmijëve të mitur. Në video ka zëra femrash që bërtasin dhe policia nuk ka asnjë të drejtë ta prekë me dorë, qoftë edhe një shpullë e lehtë. Pasi është paraqitur në polici janë vënë re shenja dhune dhe më pas është dërguar në spital pasi nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore”, u shpreh Avokatja e Popullit.