Presidenti Meta mesazh të fortë nga Gjermania: Qeveria të tërhiqet, të respektojë institucionet e pavarura

E mërkurë, 20 February 2019 08:53

Intervista e Presidentit Meta dhënë dje për “Deutsche Welle” në Berlin

Gazetarja (Deutsche Welle): Sot (dje) ju patët një takim me Presidentin e Gjermanisë, zotin Steinmeier. Cilat janë sipas jush temat ku do të vazhdoni bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë pas këtij takimi?

Presidenti Meta: Presidenti Steinmeier ishte mjaft i kënaqur që unë kisha marrë pjesë në këtë konferencë për t’iu drejtuar sipërmarrjes së mesme dhe të vogël gjermane dhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Sigurisht që ai mezi pret rastin që të raportohen sa më shumë arritje, sa më shumë suksese nga Shqipëria, apo nga vende të tjera të rajonit, ashtu sikurse është rasti i fundit dhe i Maqedonisë, që të vazhdojë në mënyrë të palodhur të mbështesë idenë e rëndësisë së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Gazetarja: Zoti President, para pak ditësh kishte një protestë masive në Shqipëri. Po protestohet për të rrëzuar qeverinë “Rama”. Cili është vlerësimi juaj për situatën politike në vend?

Presidenti Meta: Përshkallëzimi i protestave apo i politikave ndarëse, akoma më keq konfrontuese, sidomos jashtë institucioneve, është një zhvillim i padëshiruar, ndërkohë që mbeten pak muaj që vendet anëtare të Bashkimit Europian të shprehen edhe një herë për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendit.

Kështu që është momenti për të reflektuar të gjitha palët, për të pasur një qasje tjetër jashtë konfrontimeve të padëshiruara.

Gazetarja: Përkundër këtyre që thatë duket se ka një acarim apo përkeqësim të situatës që vjen nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet e deputetëve. A mund të na thoni cili është qëndrimi juaj për këtë krizë institucionale?

Presidenti Meta: Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar. Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij.

Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre.

Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë.

Të respektojnë institucionet e pavarura, të mos ndikojnë te krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë.

Të japin shembullin të parët për luftën kundër korrupsionit dhe për shumë çështje që kanë tronditur opinionin publik, pasi në fund fare asnjë justifikim nuk do të jetë i vlefshëm dhe i dobishëm për askënd në rast se vendi do ta humbasë këtë mundësi.

Mundësitë, sidomos pas arritjes të marrëveshjes historike midis Maqedonisë dhe Greqisë, janë mjaft të konsiderueshme. Ndaj duke përfituar dhe nga ky sukses i Maqedonisë të japim një mesazh pozitiv dhe një mundësi Bashkimit Europian, që të japë një sinjal të fortë shprese dhe inkurajimi për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor në qershor.

Gazetarja: Opozita ka paralajmëruar se të enjten do të ketë një tjetër protestë. Cili është mesazhi juaj në lidhje me këtë protestë?

Presidenti Meta: Është e rëndësishme që çdo protestë të jetë paqësore dhe ata të cilët i organizojnë të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye.

Në Shqipëri ka një pakënaqësi, ka një zemërim dhe është koha, jo për ta instrumentalizuar këtë pakënaqësi dhe zemërim nga çdo palë, por për ta lexuar dhe për të reflektuar gjithkush me përgjegjësi se si kjo të kthehet në një energji pozitive për zhvillimin e vendit.

Gazetarja: Kosova është në fokusin e ndërkombëtarëve dhe flitet se së shpejti mund të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ku po diskutohet edhe çështja e ndryshimit të kufijve. A mund të na jepni qëndrimin tuaj në lidhje me dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë?

Presidenti Meta: Besoj gjithmonë te dialogu, por edhe te motivi e frymëzimi për suksesin e këtij dialogu, që duhet të jetë nga të dyja palët, në këtë rast e ardhmja e përbashkët europiane.

Dua të nënvizoj rëndësinë që i kushtoj, ashtu sikurse edhe në rastin e Maqedonisë, ku e theksoj bashkëveprimi midis SHBA-ve dhe BE-së ishte kyç për të ndihmuar dhe inkurajuar deri në minutën e fundit suksesin e marrëveshjes me Greqinë.

Besoj se edhe në këtë rast, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe BE-së, por këtu dua të jem edhe më pak specifik sikurse kam qenë edhe në të gjitha takimet me drejtuesit e Kosovës, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe Gjermanisë do të ishte mjaft i rëndësishëm që të kemi sa më shpejt një marrëveshje, që jo vetëm garanton paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon, por njëkohësisht garanton të ardhmen europiane të të dyja vendeve, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës. Dhe një garanci në këto momente më mirë se Gjermania vështirë ta japë dikush tjetër.

Gazetarja: Aktualisht po bëhet një presion i madh ndaj Kosovës për heqjen e tarifave ndaj Serbisë. A keni një koment me këtë çështje?

Presidenti Meta: Nuk inkurajoj asnjë barrierë apo vështirësi të shtuar në dialogun midis palëve, por dialogu duhet të vendoset gjithashtu mbi baza të drejta, jo duke ushtruar trysni vetëm ndaj njërës palë.

Gjermania, si një vend kyç dhe lider i BE-së, mund të luajë një rol më të rëndësishëm në rivendosjen e besimit dhe njëkohësisht në evitimin e barrierave të deritanishme.

Gazetarja: Duke qenë se qytetarët e Kosovës nuk gëzojnë ende të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen është përfolur edhe ideja e dhënies së nënshtetësisë shqiptare për kosovarët. Si ju duket kjo ide që ka qarkulluar së fundmi?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një zgjidhje për arsye, sepse Shqipëria, edhe pse ka përfituar prej kohësh liberalizimin e vizave përsëri është në vrojtim, është në monitorim të respektimit të detyrimeve që vijnë nga kjo e drejtë e fituar, që kuptohet edhe mund të ndërpritet në një moment të caktuar. Pra, nuk është kjo zgjidhja.

Qytetarët e Kosovës kanë pasaportat e tyre, kanë shtetin e tyre, që njihet nga 23 vende të BE-së dhe kanë marrë një premtim. Dhe ka kaluar koha që ky premtim të mbahej, pasi liberalizimi i vizave ka qenë një proces teknik dhe ata i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë në të kaluarën, pra në Ballkanin Perëndimor, detyrimet dhe kushtet teknike.

Gazetarja: Kohët e fundit duket se po flitet shpesh në rajon edhe për bashkimin e shqiptarëve ose për afrimin e Shqipërisë me Kosovën. Cili është mendimi juaj për këtë ide apo vizione?

Presidenti Meta: Shqiptarët në Ballkan janë përfituesi më i madh si komb nga rënia e Murit të Berlinit dhe nga epoka e re e integrimit europian dhe bashkimit të Europës.
Po të shohim Shqipërinë se ku ishte para 30 vitesh dhe ku është sot, pavarësisht nga vështirësitë, po të shohim shqiptarët në ish-Jugosllavi në tërësi, që kanë qenë më të shtypurit dhe sot kanë shtetin e tyre në Kosovë, por edhe kanë të drejta që nuk i kanë pasur kurrë në Maqedoni, në Malin e Zi, etj., në këtë drejtim mendoj që shqiptarët janë mjaft të interesuar në vazhdimin e këtij projekti. Unë besoj se shqiptarët duhet të vazhdojnë të gjithë të jenë të përkushtuar për këtë proces europianizimi të Ballkanit në rajonin tonë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...