Duke filluar nga data 1 mars 2019, qytetarët do të mund të ndërrojnë pronësinë e mjetet pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Lajmin për shërbimin e ri e ka bërë të ditur kjo e fundit përmes një njoftimi zyrtar, ku tarifa e përcaktuar për këtë shërbim është 1400 lekë.
“Tjetër lajm i mirë për qytetarët! Nga 1 Marsi ndërrimi i pronësisë së mjetit direkt edhe në sportelet tona Tarifa e shërbimit vetëm 1400 Lek! Siguri për shitësin e blerësin, verifikim i plotë në sistem. Shërbimi më i ri e i shumëpritur nga qytetarët nis nga Tirana e do ofrohet në gjithë drejtoritë rajonale me cilësi e vëmendje brenda muajit Mars! #MëLehtëMëShpejtMëLirë#ShërbimePublikeLehtësuese”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Më përpara, kur shisje apo blije një makinë, pas aktit të shitblerjes tek noteri duhet të kryeje veprime në disa institucione shtetërore për të ndryshuar pronësinë, por tashmë nga data 1 mars gjithçka do të jetë shumë më e thjeshtë dhe shumë më e lirë.