Instituti i Statistikave raportoi se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin janar 2019 janë 574.048, krahasuar me janar 2018, ky tregues rezulton me ulje 5,2%.
“Në Janar 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 209.520. Krahasuar me janar 2018, ky numër është ulur me 9,8 %. Në janar 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe me 7,5%, dhe uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Maqedonia me 19,1%
Shqipërinë e “braktisin fqinjët”
Në muajin janar, Shqipëria është vizituar më pak nga të huajt dhe më e thellë rënia ka qenë tek pjesa e fqinjëve. Kështu maqedonasit kanë një rënie në janar 2019 në raport me janar 2018 me 19.1% dhe pas saj vjen Kosova me rënie 18.8% për të njëjtën periudhë. Nga Greqia, në janar 2019 kanë hyrë 2.5% më pak shtetas të huaj sesa i njëjti muaj një vit më parë, kurse nga Mali i Zi rënia ishte 7.7%. Italia duket se është i vetmi vend nga ku hyrjet e shtetasve të huaj drejt Shqipërisë janë me rritje konkretisht 3.1%.
Rënia vihet re kryesisht tek ata që e kanë vizituar vendin tonë për qëllime pushimesh me 10.4% më pak se një vit më parë, ndërkohë që edhe ata që kanë hyrë për arsye personale kanë pësuar rënie me 10.1%./Monitor