Depozitat në sistemin bankar në muajin janar kanë shënuar një rritje të ndjeshme, sipas shifrave të publikuara nga banka e Shqipërisë.
Stoku i depozitave arriti sërish nivelin e 1 trilionë lekëve, për herë të parë që nga janari 2018, duke u zgjeruar me 1.5% në krahasim me fundin e dhjetorit dhe duke vijuar rritjen e fortë për të dytin muaj radhazi.
Efektin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë shtimi i kursimeve në banka në valutë, që ka ndikuar në 70% të rritjes.
Kursimet në valutë u zgjeruan me gati 2% në janar, në raport me muajin e mëparshëm, kryesisht nga individët, që kanë depozituar kursimet në euro si në depozita me afat, ashtu dhe pa afat. Në janar vijon efekti i prurjeve të emigrantëve, kur përgjithësisht të afërmit depozitojnë paratë që u sjellin emigrantët në fundvit, por një tjetër dukuri ka qenë dhe niveli i ulët i tërheqjeve, çka ka rritur stokun.
Në rritje më të lehtë (me 0.9%) ishin dhe depozitat në leë, në krahasim me fundin e dhjetorit, por kjo ka ardhur si rrjedhojë e zgjerimeve të depozitave të biznesit, të cilët likuiditetin e tepërt e kanë vendosur në banka.
Në të kundërt, individët vijojnë të ulur depozitat e tyre në lekë, një tendencë kjo që po vijon prej të paktën 7 vjetësh, që kur interesat e kursimeve u ulën, si rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese të bankës së Shqipërisë. Aktualisht normat e kthimit për kursimet 12 mujore janë më pak se 1%, duke bërë që individët të mos preferojnë shumë bankat për të mbajtur paratë. Në raport me janarin 2018, depozitat me afat në lekë të individëve kanë rënë me 8.3%.
Në janar 2019, depozitat në euro përbënin 54% të totalit, nga 53.2% që ishte kjo peshë në janar 2018. Pavarësisht efektit të kursit të këmbimit, me bazë vjetore, kursimet vjetore në euro janë rritur me 1.7%. në të kundërt, depozitat në lekë kanë rënë me 1.6% për të njëjtën periudhë.
Një vit më parë, banka e Shqipërisë hartoi një plan masash për të ulur nivelin e përdorimit të euros në ekonomi, por një vit më pas rezulton se si pesha e depozitave ndaj totalit ka ardhur në rritje, ndërsa për kredinë është ulur fare lehtë.