Një shtetas polak, me identitet të rremë, është shoqëruar nga policia e Kakavijës ditën e djeshme.
Sipas policisë bëhet fjalë pë personin me inicalet D.K,i cili dyshohet të ketë vrarë një shqiptar në vitin 2018 në Athinë të Greqisë.
Ai po largohej nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, në përpjekje për të kaluar kufirin me pasaportë false, por është diktuar nga policia.
Nga verifikimi paraprak lindën dyshime se ai përdorte dokument të falsifikuar dhe për këtë u shoqërua për verifikime në vijën e dytë, ku gjatë shoqërimit kundërshtoi punonjësit e policisë.
Nga kontrolli dhe verifikimi i mëtejshëm rezultoi se polaku posedonte pasaportën me të dhëna të ndryshuara si dhe pasaporta rezultonte e vjedhur në sistemin e Interpolit.
Gjithashtu atij iu gjetën edhe një kartë identiteti greke dhe nje leje drejtimi që dyshohet se janë të falsifikuara.
Sipas informacioneve paraprake, rezulton se i ndaluari mund të jetë një vrasës me pagesë dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol.
Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarit iu sekuestruan 550 euro, pasaporta greke, leje drejtimi dhe leternjoftimi si dhe nje aparat celular. Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.