Ankesat që i drejtohen Kontrolli të Lartë të Shtetit nga qytetarët dominohen tërësisht nga shqetësime që kanë të bëjnë me çështjet e pronës. Scan ka zbardhur analizën e denoncimeve të bëra pranë këtij institucioni për vitin 2018, nga ku rezulton se 54% e tyre lidhen me privatizime të pasurive publike dhe pronave në përgjithësi. 7% e denoncimeve i takojnë administrimit financiar dhe tenderave publikë.
Ndërkaq, 25 inspektime të kryera nga Departamenti i Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit për vitin 2018 pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbardhur një numër shumë të madh shkeljesh në menaxhimin e pronave e pasurive shtetërore si dhe një dëm të konsiderueshëm prej afro 6 milionë dollarësh. 8 prej këtyre auditimeve janë kryer zyrat e regjistrimit të pasurive, 7 në drejtori të ALUIZNI-t, 6 nëpër ente mjedisore, 1 në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, dhe 2 për zbatimin e rekomandimeve.
Sipas raportit vjetor të punës të këtij departamenti, i disponuar nga Scan, në institucionet e mësipërme janë dhënë në total 201 masa disiplinore, 70 masa zhdëmtuese me vlerë 642 milionë lekësh, 9 kallëzime penale për 46 persona (ku një kallëzime është indice me numër të pacaktuar personash),, si dhe 34 masa organizativo-zhdëmtimi me vlerën 1,1 miliardë lekësh për mospërdorimin me eficencë të shpenzimeve dhe krijimin e të ardhurave.