Megjithëse kanë kaluar disa muaj nga aksioni i parë, policia e Shtetit vijon operacionin e koduar “OAZ”. Sot policia ka arrestuar në Tiranë, në një apartament të marrë me qira 35-vjeçarin Nelson Hysa nga Shkodra i shpallur në kërkim si pjesë e grupit “Bajri”.
“Në vijin të operacionit “OAZ”, në funksion të procedimit penal nisur gjatë vitit 2018, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër, mëngjesin e sotëm u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurise “Arrest ne Burg” për shtetasin Nelson Hysa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër”, njofton policia.
Hysa, ishte person i shpallur në kërkim që prej shtatorit 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.
Ai u kap në një banesë të marrë me qira në zonën e “Komunës së Parisit” Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër. Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3”. Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.