Prokuroria e Turqisë ka dhënë pretencën për gjashtë shtetasit turq të ekstraduar nga Kosova, ndërsa organi i akuzës përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda të Stambollit ka kërkuar dënime me burg që variojnë nga 16 vite e gjashtë muaj, deri në 28 vite e gjashtë muaj. Dosja është përpiluar nga Byroja e Terrorismit dhe e Krimit të Organizuar ndërsa akzuat që rëndojnë mbi gjashtë individët janë ‘Pjesëmarrja dhe drejtimi i një organizate terroriste’ si dhe ‘Spiunazhi Ndërkombëtar’. Personat e ekstraduar janë Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina. Këta të fundit u transferuan nga Kosova në drejtim të Turqisë përmes një procesi të kritikuar ashpër.
Komisioni shtetëror i ngritur për këtë cështje konstatoi së paku 31 shkelje ligjore dhe procedurale nga Agjensia Inteligjente, por nuk ka ende persona të vendosur përpara përgjegjësive. Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj dhe Kryeparlamentari Veseli janë shprehur se nuk kanë patur dijeni mbi çështjen. Nga ana tjetër, ambasadat e huaja, më kryesisht ajo e Shteteve të Bashkaura dhe Gjermanisë, janë shprehur se ekstradimi në këtë mënyrë përbën një shkelje flagrante të parimeve që udhëheqin një shtet ligjor dhe demokratik.