Shkon në gjykatë dosja e nuses që vrau vjehrrën duke i hedhur fostoksinë në lëngun e portokallit.
Marjana Cmeta akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.
Ndërkohë në gjykatë për akuzën e moskallëzim krimit do të shkojnë dhe Agim Lami (bashkëshorti i viktimës), Arben Saliu (kushëriri i Agimit ) dhe Hysen Shehu, hoxha që ka xhiruar rrëfimin e Cmetës.
Ata akuzohen se kanë qenë në dijeni të ngjarjes se ndodhur dhe autorësisë së saj, dhe nuk kanë kallëzuar pranë organeve kompetente duke fshehur ngjarjen.
Vrasja e Lirije Lamit më 30 prill 2017në Kamëz, është pranuar me gojën e saj nga nusja 21-vjeçare, Marjana Cmeta
Disa muaj pas krimit, nusja ka shkuar të rrëfehet te hoxha duke i kërkuar atij që Allahu ta falë për mëkatin. Ky i fundit e ka regjistruar me video rrëfimin dhe ia ka raportuar bashkëshortit të viktimës, Agim Lami.
Por si hoxha ashtu edhe bashkëshorti i viktimës kanë rënë në pranga, pasi nuk e kanë kallëzuar këtë krim pranë organeve të drejtësisë, ndaj dhe tani do të duhet të vuajnë dënimin, së bashku me të afërmin e Agimit, i cili ka qenë në dijeni të videos.