Policia e Vlorës ka vënë në pranga dje një ish-shef policie që rezultonte në kërkim i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të kultivimit të bimëve narkotike. Bëhet fjalë për 38-vjeçarin Renato Avdyli, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, që në tetor të vitit 2016 ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Ai është pjesë e grupit prej tetë personash, të akuzuar nga Prokuroria se ushtronin aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike kanabis sativa në fshatrat Vezhdanisht-Treblovë, në Vlorë.
Në kuadër të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, në këtë zonë Policia e Shtetit zbuloi një sasi shumë të madhe lënde narkotike, të shpërndarë në parcela, si edhe në proces tharjeje.
Në krye të grupit qëndronte Taulant Haxhiraj, i cili, bashkëpunonte ngushtë me punonjësin e Policisë, Renaldo Avdyli, si edhe me disa persona të tjerë. Këta të fundit kishin për detyrë marrjen e masave konkrete për kultivimin, magazinimin dhe më tej, shpërndarjen e lëndës narkotike.
Sipas dosjes të Prokurorisë, një grup personash, gjatë muajve prill dhe maj të 2016-ës, pasi kanë siguruar me parë sipërfaqe toke, në pyll, kullota, tokë në pronësi shtet ose në pronësi dhe posedim të personave privat, që ndodhet në territorin e zonës Administrative Vlorë, kanë filluar kultivimin e sasive të mëdha të bimëve narkotike të llojit canabis sattiva.
Në vijim të hetimeve, forcat e Policisë kanë ndërhyrë, duke realizuar arrestimin e 11 personave, por pa mundur të vë në pranga Renaldo Avdulin.
Akuzat për veprat penale “Kultivimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal”, “Kryerjes së veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”: 1. Taulant Haxhiraj; 2. Renaldo Avdyli; 3. Shkëlqim Koçiaj; 4. Xhovalin Baço; 5. Reshat Radhima; 6. Marjus Bajrami
Për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi”, akuzohen: 7. Klajdis Imeri; 8. Anis Pajo.
PLAGOSJA
Por Renato Avdyli ka edhe një tjetër precedent dhe episod të njohur për policinë. Ai është plagosur disa vite më parë nga një person që dyshohet se e ka rrahur në kohën kur ka qenë pjesë e forcave të Policisë. Ngjarja për policinë është e zbardhur.