Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se baza ajrore ushtarake në Kuçovë, e cila pas disa muajsh do të shndërrohet në Bazë Ushtarake të NATO-s, prej disa ditësh është pushtuar nga delet.
Tufa delesh kullosin pa u shqetësuar gjatë gjithë ditës në fushën dhe pistën e Aviacionit të Kuçovës, deri në orët e vona të mbrëmjes dhe askush nga ushtarakët e Aviacionit nuk e merr mundimin të mos lejojë hyrjen e tyre në këtë bazë ushtarake. Gjatë ditës së sotme, edhe pse në Bazën Ajrore Ushtarake të Kucovës ishte ditë pune dhe kishte lëvizje ushtarakësh, sërish zona përreth pistës dhe fushës së Aviacionit ishte shndërruar në kullotë për delet, që ndodheshin kudo, edhe përreth avionëve Mig që ndodhen të parkuar në Bazën Ajrore.
Rreth 500 dele të zonave përreth kullosnin sot pa u shqetësuar dhe kishin pushtuar të gjithë fushën e aviacionit. Një bari i zonës, që ishte duke kullotur tufat e deleve jashtë Bazës Ajrore të Kucovës, shprehet se në pistën e aviacionit kullosin bagëtitë ata që kanë njohje me ushtarakët, edhe pse nuk është e lejuar sepse është zonë ushtarake. Ai pohon se brenda në këtë zonë nuk lejohet të futet askush, aq më tepër bagëtitë.