Shqipëria vjen e fundit në klasifikimin e orëve që kalojnë studentët në bankat e shkollave. Mesatarisht gjysma e vendeve të Europës zhvillojnë 170 deri në 180 orë mësimi, ndërsa pjesa tjetër varion nga 181 në 190 orë, shifra këto të marra nga raporti i fundit i Eurydice me titullin Organizimi i kohës së shkollës në Europë, për arsimin fillor dhe të mesëm të përgjithshëm.
Të parët që kthehen në klasë pas pushimeve verore janë gjermanët, ku dita e parë e shkollës është 1 Gusht. Sivjet, viti shkollor, ka nisur në datën 3 Shtator në 19 vende të Europës. Ndërsa në vendet e tjera (Shqipëria, Italia, Portugalia, Spanja, Bullgaria, Luksemburgu dhe Turqia) ka nisur nga mesi i Shtatorit.
Në Maltë fëmijët kthehen në shkollë në fund të muajit Shtator, ndërsa vlen të theksohet se në vende si Austria, Gjermania, Spanja, Holanda, Zvicra dhe Italia, fillimi dhe fundi i vitit shkollor ndryshon në mënyrë të dukshme sipas rajoneve.
Ndërkohë në lidhje me pushimet verore numri i javëve varion nga shteti në shtet. Duke nisur me 6 javë në Gjermani, Holandë, Britaninë e madhe dhe Liechtenstein, dhe kaluar më pas me 13 javë në Shqipëri, Letoni, Portugali, Turqi, Italia, e duke përfunduar me Bullgarinë me 15 javë për arsimin privat.
Veç pushimeve verore kemi pushimet e dimrit që zgjasin zakonisht 2 javë, ato pranverore (Pashkët etj) me rreth 1 javë në 19 vende të Europës. Sigurisht sipas vendeve dhe festave përkatëse (fetare ose të tjera) variojnë dhe ditët e pushimit për studentët./Revista Scan