Me mijëra besimtarë katolikë në mbarë botën festojnë sot Pashkët. Edhe besimtarët katolikë në Shqipëri u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit” per t’u bërë pjesë e meshës së shenjtë, e cila ka zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.
Ndërkohë, ditën e djeshme kanë uruar besimtarët katolikë krerët e politikës. Arqipeshkvi Metropolit Shkodër-Pult Angelo Massafra ka zgjedhur Ungjillin sipas Gjonit për të uruar besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve Katolike.
Ndër të tjera, Massafra uron besimtarët që të mikpresin kumtimin e emrit të Jezusit të Ngjallur, të cilit i kërkon të shpëtojë e lirojë Shqipërinë prej padrejtësive, mendjemadhësisë e etjes për pushtet.
“Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikprisni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje”, thotë Masafra.
***
Kremtimi që nisi në Jeruzalem: nata, zjarri, uji dhe buka
Kremtimi i parë i Pashkëve të Zotit nisi dje në zemër të Qytetit Shenjt, Jeruzalemit. Ritin e kremtoi imzot Pizzaballa, duke kujtuar, atje ku u themelua Eukaristia: “Korpi i Krishtit është jetë! Kemi gjithnjë nevojë për të!”, njofton Radio Vatikani.
Dje paradite, në Bazilikën e Madhe të Varrit Shenjt, në Jeruzalem, jehoi përsëri Alleluja e Pashkëve, e para, që u shqiptua për arsye të status quo - rregullores, që cakton turnet për bashkësitë e krishtera, të pranishme në këtë vendshenjt dhe i jep parinë pikërisht Kishës së Jeruzalemit, e para në botë që intonon Preconion, himnin e lashtë, këngën e fitores së Zotit mbi vdekjen e mbi mëkatin.
“Në këtë liturgji nuk kremtojmë një kujtim - theksoi gjatë homelisë imzot Pierbattista Pizzaballa, Administrator Apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit. - Edhe sot, këtu, Zoti do, krijon, çliron, prin, fal! Sot, këtu, kryen veprën e ringjalljes”.
Duke marrë shtytje, pastaj, nga disa shenja e gjeste të liturgjisë së Pashkëve - nata, zjarri, uji e buka – imzot Pizzaballa shpjegoi kuptimin e secilit prej tyre:
Nata
“Dritën, që ndriçoi natën tonë - nënvizoi - ta çojmë në netët e shumta të kohës. E do të kuptojmë, kështu, se nata nuk ka pushtet mbi dritën. Po të kemi dritë, do të jemi dritë”.
Zjarri
Ashtu siç thamë për dritën - vijoi imzot Pizzaballa - mund të themi edhe për zjarrin: edhe nga zjarri i bekuar vjen “Drita që davarit errësirën tonë”. Por zjarri - kujtoi - është edhe shenjë pastrimi, e atëhere “Ç’shpëtim vjen të sjellë për ne, zjarri i bekuar? Çfarë vjen të pastrojë e të gjykojë?”. “Gjykimet tona të padrejta a të ngutshme dhe paaftësinë për ta vlerësuar e për ta pranuar të mirën” - pohoi administratori apostolik, për të kujtuar, më pas, të dënuarit sipas gjykimit njerëzor, në kundërshtim të plotë me drejtësinë:
“Mendoj për ata të cilët, për një kauzë, e cila u duket më e rëndësishme, justifikojnë gjykimin e padrejtë të njerëzve, që s’ka kush t’i mbrojë. Kjo është nata e tyre! Dënimi i tyre mori fund e drejtësia ngadhënjeu. Tani gjykohet kjo botë; tani princi i kësaj bote do të flaket në terrinat e botës së vet”.
Uji
Edhe një sfidë tjetër, e një pyetje tjetër: “Për çfarë e për kë kemi etje?”. E imzot Pizzaballa vijoi të bëjë pyetje:
“A kemi etje për Zotin e Fjalën e Tij? Në ç’gurrë e shuajmë etjen? Nëse uji pastron, ashtu si zjarri, do të thotë se burimet tona u pastruan, uji është rishtas i pastër e i freskët. Ujë, që na i shuan njëheresh të gjitha etjet tona. Të kumtojmë - vijoi prelati - se nuk duam asnjë lloj uji tjetër, veç atij, që gurron nga kraharori i shporuar i Krishtit!”.
Buka
“Skenë përfundimtare, që i përmbyll të gjitha të tjerat, është Eukaristia. E pikërisht me vetëdijen e nevojës për ‘bukën e shpirtit, që shuan uritë tona, urinë për drejtësi, për barazi, për të drejta, për një jetë të bukur, të denjë’”. Me këto fjalë imzot Pizaballa e përfundoi homelinë e kësaj Nate Shenjte, që jetohet më thellësisht se askund, pikërisht atje ku lindën simbolet kryesore të saj: ku buka - ishte korp i gjallë, e vera - gjak i kuq, që u derdh ndër mundime për të gjithë njerëzit, brezni pas breznie. Pashkë pas Pashke. Deri kur të arrijmë tek Ai, që na parapriu e na i hapi portat e Parajsës së humbur! E të rifituar!
Tradita
Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.
Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit.
Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’! Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’!
Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.
Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambadave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Marrja e flakës nga Tryeza e Shenjtë që ju jepet besimtarëve simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jeruzalem ditën e Pashkëve Orthodhokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet nëpër kisha të vendeve të ndryshme. Padyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qingjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qingj erdhi në therrore, duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I-rë e Petrit, Zbulesa 5:6).
Atmosferën e Pashkës besimtarët e shprehin duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, por ajo që shpreh më shumë frymën e periudhës së Pashkës është përshëndejta “Krishti u ngjall” dhe si përgjigje ka “Vërtet u ngjall”.