Gjashtë muaj nga vrasja e minoritarit grek Kostandin Kacifas në fshatin Bularat po zhvillohet sot mesha përkujtimore. Ndërkohë që në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë nga pala shqiptare u është refuzuar hyrja 9 grekëve.
Ata kanë deklaruar se vinin në Shqipëri për ceremoninë përkujtimore të Kacifas. 5 prej tyre janë kthyer mbrapsht me argumentin se cënonin sigurinë publike, ndërsa 4 të tjerë për mosplotësim të kushteve për të hyrë në vendin tonë.
35-vjeçari Kostandin Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor të vitit të kaluar në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.
Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.
Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare.