Një trend i ri për sa i përket lojërave të fatit po lulëzon në Shqipëri pas mbylljes së pikave të basteve. Platformat online janë mënyra më e re për luajtjen e basteve, ku persona kryejnë organizime të tilla, të evidentuara tashmë nga policia. Pavarësisht kërkesës për mbylljen e 1627 faqeve onlinë që nga 1 janari, mjafton një klikim dhe shërbime të tilla i gjen edhe në gjuhën shqipe.
Ndonëse prej 5 muajsh policia e shtetit deklaron se po ushtron kontrolle për të zbuluar rastet e subjekteve të paligjshme të lojërave të fatit, paratë e shqiptarëve vazhdojnë të shkojnë për baste.
Lojtarët nuk plotësojnë më skedina me stilolaps dhe letër, por çdo gjë tashmë kalon përmes smartfonëve dhe kompjuterave në banesë, apo dhe në ambiente të tjera.
Bastet online janë lehtësisht të aksesueshme. Mjafton një klikim dhe të gjitha të dhënat vijnë në kohë reale madje dhe në gjuhën shqipe.
Që nga janari policia e shtetit dhe AMFL i kanë kërkuar AKEP mbylljen e rreth 1627 faqeve online që ofrojnë këtë shërbim dhe në fakt në pjesën dërmuese aksesi është i pamundur.
Për të ndaluar fenomenin policia ka ushtruar 15 kontrolle në 5 muaj, ku verifikohen jo vetëm ambientet ku mund të luhen lojra të fatit, por dhe individët që mund të organizojnë baste sportive.
Bëhet e ditur se janë proceduar 134 persona dhe sekuestruar 35 kompjutera, 10 makineta, 15 televizorë dhe 13 tavolina pokeri. Gjithashtu sipas të dhënave nga qendra kombëtare e biznesit nga 1 janari kanë ulur qepenin 4140 pika bastesh të cilat janë shndërruar bar kafe, biznese të ndryshme, apo ambiente që jepen me qira.
Madje për këto është propozuar rritja e dënimit të përcaktuar në kodin penal. Propozimet për këto ndryshime kanë krijuar dhe debate në komisionin parlamentar të sigurisë.
Braho: Jam dakord me dispozitën, të prevalojë gjoba, ashtu si dënimi me burg.
Sterkaj: Ke lojëra bixhozi të ligjshme në Shqipëri
Ndryshimet në kodin penal janë propozuar dhe për vepra të tjera siç janë goditjen për shkak të detyrës e policit dhe mjekut, dhunën në sport, dëmtimet e natyrës, armëmbajtjen pa leje, dhe disa vepra të tjera.