Gazeta e madhe zvicerane: Në Shqipëri ku krimi dhe korrupsioni kanë ndërtuar biznesin dhe shtetin e tyre!

Hënë, 03 June 2019 09:59

Një nga mediat më të mëdha zviceriane I ka kushtuar një reportazh të gjerë me fakte gjendjes kriminale në Shqipëri dhe kultivimit e trafikut të drogës. Gazeta shkruan se tregu I drogës prodhon mbi 5 miliartd franga në vit fitime. Gjithashtu thuhet se krimi i organizuar gjen mjedis ideal në Shqipëri. Kultivimi ilegal i kanabisit në Shqipëri tërheq qarqe të gjera në korrupsion. Është e vështirë që të qëndrosh i pastër. Trafikantët e drogës mund të veprojnë kryesisht të pandëshkuar. Trafiku i drogës po korrupton edhe shoqërinë.

Nga Adelheid Woelfl, Neue Zuercher Zeitung

Barinjtë e çuan policinë në një fushë me bimë të gjelbra të shndritshme, por autoriteteve nuk u interesonte. Është vetëm një fushë e vogël, thanë dhe u larguan. Skena u regjistrua kohët e fundit në afërsi të fshatit malor të Pilurit në jug të Shqipërisë- por kjo mund të ndodhte kudo.

Shqipëria prodhon 900 tonë kanabis në vit, me një vlerë tregu prej mbi 5 miliardë franga, vlerësonte policia financiare italiane pak vite më parë. Shumica e marijuanës dhe hashashit për tregun europian në fakt vijnë nga Maroku dhe Afganistani. Megjithatë, vitet e fundit, shumë shtete anëtare të BE-së kanë kapur kanabis nga Shqipëria, siç thotë Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën. Është e vështirë të vlerësohet rëndësia e kanabisit shqiptar për tregun në tërësi. Shteti i vogël në Adriatik është i përkryer për kultivim: dielli shkëlqen për 218 ditë dhe peizazhi i shtrirë malor ofron shumë mundësi për kultivim të pazbuluar. Përveç kësaj: pagat e popullsisë janë shumë të ulëta, gjë që e bën biznesin ilegal me këtë bimë të vlefshme edhe më tërheqës. Pasojat janë shkatërruese: trafiku i drogës po korrupton shoqërinë. Të qëndrosh i pastër është shumë e vështirë.

Shumë pak gjyqtarë të pastër

Në vitin 2014, më shumë se 100 ton marijuanë u konfiskua në Shqipëri, duke u shkatërruar gjysmë milionë bimë kanabisi. Dy vjet më vonë ishin rreth 2.5 milionë bimë. Por me aksionet e asgjësimit u rrit edhe sipërfaqja e mbjelljes. Qeveria po përpiqet të paraqesë veprimet e policisë si një luftë të suksesshme kundër trafikut të drogës: Kryeministri Edi Rama e përdori aksionin e policisë në Lazarat në vitin 2014 edhe me një aksion të madh të marrëdhënieve me publikun. Por shumë struktura kriminale nuk u prishën. Vetëm ndërlidhësit më të ulët u kapën. Komisioni Europian, i cili rekomandoi pranimin e Shqipërisë në BE, vlerëson në raportin e progresit gjatë javës se operacionet policore janë intensifikuar. “Shqipëria ka luftuar gjatë viteve të fundit në mënyrë konsekuente kundër prodhimit dhe tregtisë së kanabisit”, thuhet në raport. Gjithashtu, theksohet se Policia Financiare e Italisë ka mbikëqyrur sipërfaqen e mundshme të mbjellë. “Gjatë dy sezoneve të fundit të korrjes, monitorimi nga ajri ka konfirmuar se në Shqipëri nuk ka patur asnjë kultivim të kanabisit”.

Por ky vlerësim bie në kundërshtim me Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, të publikuar në mars. Aty thuhet: “Korrupsioni po pengon luftën kundër krimit të drogës në të gjitha nivelet e qeverisjes. Trafikantët e drogës mund të veprojnë kryesisht të pandëshkuar”. Papunësia e lartë dhe sundimi i dobët i ligjit ka krijuar një mjedis ideal për krimin e organizuar. Megjithatë, reforma në drejtësi përmendet pozitivisht- një projekt që nuk ka ekzistuar në këtë mënyrë më parë. Për dy vjet, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do kalojnë në procesin e vettingut të pasurisë.

88 nga 140 prej tyre janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen vullnetarisht sepse nuk kanë mundur të shpjegojnë pasuritë e tyre. Pastrimi ka krijuar kaos. Gjykatat më të larta kanë qenë jashtë funksionit për muaj pasi numri i madh i gjykatësve të korruptuar nuk është zëvendësuar ende. Rastet e rëndësishme mbeten të pashqyrtuara. Këtë prill, një ton e gjysmë kanabis dhe dy skafe me motor u konfiskuan, pesë shqiptarë dhe dy grekë u arrestuan. Korrierët përdorin barka të shpejta, por edhe avionë të vegjël- Pipers, për të dërguar drogën në Korfuz ose në Itali, por shpesh trafiku shkon edhe nga Mali i Zi. Pa bashkëpunimin e policisë së korruptuar, trafiku nuk do ishte i mundur. Shumica e tyre që janë në krye detyrojnë ata që janë në fund të marrin pjesë. Një përmirësim i pagës luan një rol të madh. Një oficer policie fiton rreth 400 franga në muaj.

Policët në dilemë

Kushdo që dëshiron të luftojë trafikun e drogës, pavarësisht vështirësive financiare, jeton me rrezikun. Rasti i hetuesit të rëndësishëm të drogës, Dritan Zagani, që u arratis në Zvicër në vitin 2015, është bërë i njohur. Ai kërkohet nga autoritetet shqiptare për dyshimin e pranimit të parave përkundrejt informacioneve. Ai vetë thotë se thjesht e bëri punën e tij shumë mirë dhe zbuloi se cilat rrugë dhe avionë janë përdorur nga korrierët e drogës. Shumë nuk ia dalin që të qëndrojnë të pastër. Dijenia, nepotizmi, lidhjet farefisnore, frika, mbijetesa e vështirë i tërheq shumë prej tyre në makinacionet e korruptuara të kanabisit. Mafia e drogës ka depërtuar thellë në shoqërinë shqiptare. Në tetor të vitit 2017, pas arrestimit të tre shqiptarëve dhe katër italianëve u publikuan përgjimet telefonike, në të cilat ministri i Brendshëm Saimir Tahiri quhet si personi qendror i kontaktit të bandës së trafikantëve të drogës. Gjithashtu u vu në dukje lidhja e tij me vëllezërit Habilaj, që sipas të dhënave të Policisë Financiare italiane, kontrollonin policinë dhe trafikun e drogës në qytetin bregdetar të Vlorës. Mes të tjerave, Tahiri u kishte ofruar vëllezërve Habilaj edhe makinën e tij të shërbimit, me të cilën mund të lëviznin vërdallë pa u kontrolluar.

Tahiri dha dorëheqjen si ministër pas protestave të shumta në vitin 2017. Pasardhësi i tij në postin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj duhej të jepte dorëheqjen në tetor të vitit 2018 sepse vëllai i tij ishte dënuar për trafik droge në Itali. Partia Demokratike e opozitës ka kohë që bën thirrje për një hetim nëse paratë e drogës janë përdorur gjithashtu për të blerë vota në zgjedhjet e vitit 2017. Ajo pretendon se zgjedhjet janë vjedhur dhe se Shqipëria është kthyer në një parajsë prodhuese të drogës nën Ramën- sigurisht pa përmendur se kultivimi i kanabisit kishte lulëzuar edhe para se ai të vinte në pushtet. Paratë e pastruara nga trafiku i drogës zakonisht përfundon në lojëra fati, ndërtim apo në pika karburanti. Shumë ndërtesa të ndërtuara me paratë e krimit janë shpesh bosh, fasadat e tyre të shndritshme duken si simbole të prishjes morale.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...