Nga radioja shtetrore gjermane, Deutsche Welle
Protesta e 8-të kombëtare antiqeveritare e opozitës zhvillohet të shtunën në Tiranë (08.06), pas skandalit të përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” së fundmi.
Opozita dhe mbështetësit e saj synojnë që kjo protestë të realizojë largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij të akuzuar prej saj, se ka fituar mandatin e dytë qeverisës përmes shit-blerjes së votave dhe lidhjeve me krimin. Në një konferencë për shtyp, të premten në mbrëmje, (7.06 ) Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, (PD) dhe lider i opozitës, u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të marrin pjesë masivisht në protestën e sotme, për të bërë të mundur atë që ai e quajti, “çrrënjosje të modelit kriminal që ka instaluar Rama, pastrim të sistemit politik, largim njëherë e mirë të drejtimit kriminal të qeverisjes në Shqipëri”.
Në të gjitha protestat e deritanishme kombëtare anti-qeveritare të opozitës, Basha ka deklaruar, se secila prej tyre do të sillte rrëzimin e kryeministrit Rama. Por kjo nuk ka ndodhur. Në protestat e deritanishme kombëtare shumica dërrmuese e protestuesve kanë qenë mijëra mbështetës dhe militantë të PD nga gjithë vendi. Qytetarët pa përkatësi partiake kanë qenë më të pakët. Por protesta e sotme zhvillohet në një sfond tjetër: në atë të publikimit nga tabloidi gjerman “Bild” i përgjimeve të bisedave telefonike mes drejtuesve të grupit kriminal të Shijakut, të njohur si “Grupi Abdylaj” dhe zyrtarëve publikë në Durrës, mes tyre edhe kryetari socialist i bashkisë, Vangjush Dako. Në bisedat e tyre flitet për shit-blerje votash në favor të kandidatëve të Partisë Socialiste, (PS) para zgjedhjeve parlamentare 2017, që i dhanë PS dhe Ramës mandatin e dytë qeverisës.