“600 gr bukë dhe ujë me vajguri”… Si mbijetonin 10-vjeçarët e internuar në Tepelenën e vitit 1949

Saturday, 24 August 2019 17:37

Fëmijë të dënuar dikur, sot ish-të përndjekur u takuan në kampin e Tepelenës, në një ceremoni përkujtimore ku u nderua sakrifica e mijëra grave dhe fëmijëve që e shkuan jetën në kazermat e këtij kampi.

Marte Nikolli, nga Spaçi, e internuar në Tepelenë në moshën 10-vjeçare dhe bashkëvuajtësi i saj Ndue Gjeta, tregojnë mbijetesën në kamp dhe të zhdukurit pa gjurmë. Në vitet 40, Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ishte një shtet me shumë kampe, jo vetëm pushimi, por edhe përqendrimi. A2 ka udhetuar drejt kampit të Tepelenës për t’ju treguar histori që ende jehojnë në muret e këtij vendi.

“Unë isha bashkë me gjyshin, me gjithë gruan e tij, me nënën dhe dy kushërira me fëmijë të vegjël, pesë javësh dhe katër muajsh. 600 gr bukë kishim në ditë, ujë me vajguri, në daç pije, në daç leje”, tregon Marta Nikolli. “Jam shumë e revoltuar për vuajtjet që kam hequr”.

“Motra ime vdiq, edhe të tjerët, pa arkivole, pa gjë. Kanë vdekur 30 fëmijë për një ditë, u helmuan. Kanë vdekur 300 fëmijë”, kujton Ndue Gjeta, i cili rrëfen në lot se vjen këtu vetëm për motrën.

Por fatmirësisht ky kamp përqendrmi që u hap në vitin 1949, u mbyll brenda 5 vitesh. Nga një raport i qeverise amerikane drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara ky kamp njihet si vendi famëkeq ku fëmijët trajtoheshin shumë keq dhe numri i vdekjeve të tyre ishte shumë i lartë.

Login to post comments