“Miliona sy janë drejtue sot kah ju”- Sami Repishti letër Ambasadores së re të SHBA në Tiranë: Pse duhet një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme në Shqipëri

E mërkurë, 28 August 2019 16:38

Nga Sami Repishti

 

Ridgefield, CT. – Njiqind e gjashtë vjet ma parë, poeti i madh At Gjergj Fishta, i zhgënjyem thellë nga grindjet dhe mosmarrëveshjet në mes shqiptarëve, theu betimin e marrun, e shkroi këto rreshta: 1913 -”O Perëndi! A ndjeve?/ Trathëtarët na lanë pa atdhe/E Ti gjuen me rrfe, lisat/ Nepër male kot!” (Drama “Juda Makabe”, 1920) Nji blasfemi për fratin françeskan: me qortue aktin hyjnor! Dëshprimi i thellë të sjellë në këte formë zemrimi të pakontrolluem.
Titulli i këtij shkrimi më erdhi në
mendje nga leximi i nji artikulli të botuem në gazetën “Dielli”, organ i VATRES, më 24 korrik 2019. Teksti i plotë ashtë:
1922 – “Dialog në mes të ‘dy ekselencave’, burra shteti:
-Kur të prishim Shqipërinë, ku do vemi?
-Do vemi atje ku kemi venë paratë në bankë!
-Po pse të mos hyjmë në sherbim të atyre që u a shitëm Shqipërinë?
-S’do na qasin!…..se trathëtarët, as armiku nuk u zë besë…!”
– (Faik Konica. “Diell”i, 17 qershor 1922)
2019- Nga Franca, nji intelektuale e mirëfilltë shkruen:

“ ….Urrejtjen ma mësoi Edi Rama, ma mësoi Erion Veliaj, ma mësoi numri i deputetëve që ndoqën si bagëti pocaqitë e tyre. Kjo urrejtje e mbjellë është gjëja më e pafalshme që kanë arritur ata me taktikën e ndyer të përçarjes dhe të sundimit….Nga disa rrethana, burime, njerëz dhe fakte, e dija prej shumë kohësh rrezikun që përfaqësonte ai. Por, ai i kaloi të gjitha limitet e zhgënjimit…” (Cecilia Plasari. “Panorama”, 28.7.2019). Përçarje për sundim: smundja shekullore e shqiptarëve!

2019 gusht -”….Ashtu si e shoh unë luftën në Tiranë, ajo nuk është mes partive të Oligarkisë, se ata mirren vesh e bëjnë rrotacion. Pavarësisht se çka u papagallojnë militantëve poshtë, ata kanë një marrëveshje me njëri-tjetrin, por nuk ia kanë besën të huajve….. Me sa kam dëgjuar unë, Luli (Basha) bëhet kryministër, e dikush i Edit (Ramës) zëvendëskryministër, kurse Meta merr pjesën e vet deri në zgjedhjet e ardhme….Atyre tashmë nuk u hynë në punë demokracia, por vetëm për retorikë. Thelbi është kontrolli i shtetit dhe atij të ashtuquajturit ‘shtet’ që kemi sot në Tiranë. Sepse prej tij rrjedhin shumë gjëra..” (Letër nga nji koleg universitar).

“A mund të ketë skandal më të madh politik për një vend se shantazhi nga Qeveria ndaj Presidentit të vendit dhe kryetarit të opozitës?”, pyeste nji analist. “Vetëm në Shqipëri ngjasin të tilla skandale, sepse, vazhdon ai: “…Shqipëria ka arritur ditën kur mund të prodhohen skandale, të kryhen krime, të zbulohen maskerada, të ngrihen akuza apo të bahen sulme aq të mëdha, aq të pamendueshme, dhe aq të shumta…”. Flitet për mesazhin e KM Rama, dërgue Presidentit Meta, me kërcënim të largimit nga detyra, asgjësimit të LSI-së dhe eliminimin politik të krytarit të opozitës, L. Basha. Nji pohim ma i fortë i përgatitjes për marrje të pushtetit me dhunë, asht e vështirë të gjindet!

Në përgjigje të thirrjeve të hapuna socialiste me marrë me dhunë pushtetin vendor të Bashkisë së Shkodrës, deputeti i PDsë për qytetin, prof. Romeo Gurakuqi, tha: “(deklaroj)…para së gjithash, nisur nga interesat themelore të ruejtjes së paqes sociale në Shkodër dhe nga nevoja imediate e shmangies se çdo përplasje artificiale, që mund të provokojë ambicia politike, e paarsyeshme”. (Theksi i im. SR) Kjo sentencë magjistrale e nji mendje të ndritun, kjo pjekuni politike shkodrane nga nji emën që frymëzon shpresë për të ardhmen, i referohet nevojës për “…marrjen parasysh në vlerësimin e pozicionit karshi publikut dhe institucionit më të lartë të qeverisjes krahinore, para çdo deklarimi ose veprimi të mëtejshëm politik”. (“Panorama”, 14.7.’19)

Demokracia në Shqipëri asht në krizë serioze! Shqipëria ka nevojë për gjak të ri!

Nji zhvillim i këtill rrezikon kthimin në autoritarizëm si hapi i parë dhe ngritjen në piedestalin e diktaturës pa pengesë si objektiv kryesor. Hannah Arendt e përcakton këte fazë: “Nëse çdonjeni drejtues ju gënjen rregullisht, rezultati i gënjeshtrës nuk ashtë se ju besoni gënjeshtrat, por ka mundësi që çdonjeni të mos besojë fare në të ardhmen…. Dhe nji popull që nuk beson fare, nuk mund të arrijë në përfundime të arsyeshme. Ata janë të denuem me paaftësinë për veprim, me paaftësinë me mendue e gjykue. Dhe me nji popullsi të këtill, demagogët kanë mundësi me veprue simbas dëshirës së tyne”. E ngjashme me Shqipërinë në vitin 2019, fatkeqësisht!

Sot, në Shqipëri, jemi dëshmitarë të nji kapitulli shumë të errët të historisë sonë kombëtare: ngjarje të rrezikshme që zhvillohen pa drejtim, pa kuptim, në detin e gjanë të marrëdhanjeve ndërkombëtare. Sot, jemi dëshmitarë të nji ekzekutivi që dominon pa sensin e përgjegjësisë politike e morale, pa frikën e llogaridhanies, jetën e nji vendi pa Parlament, pa Gjykatën e Naltë dhe pa Kushtetuese. “Shtet” pa kurriz!

Sot jemi dëshmitarë të nji skenari ku qytetarët janë viktima të përbuzjes dhe shfrytëzimit nga klasa neokomuniste që synon marrjen absolute të pushtetit dhe që ka mundësi të fitojë nëse shumica dërmuese që nuk aprovon, ruen heshtjen. Po ndërtohet nji shoqëni e nji shtet që përjashton dëshmorët dhe aktivistët e lëvizjes demokratike dyzetepesëvjeçare antikomuniste….. Nji paradoks shqiptar! Kjo asht fatkeqsi e jona kombëtare! Më kujtohet thanja e euro-deputetes austriake, Doris Pack: “Nuk ka gja që vjen nga Shqipëria e që më çudit!”

Me u çuditë, jo! Me u tronditë, po! Shprehje amerikane, që vlen sot për Shqipërinë!

Tronditemi kur lexohet në shtypin e vendit tonë komenti “…mund të thuhet se KM (Rama) që e pikturoi Shqipërinë njëpartiake, nuk është fajtori i vetëm, pse shteti zhbëhet, ‘Rilindja’ forcohet, por mëkatarë janë edhe ata që këte e dinin dhe kishin mundësi ta thonin, por shkaku i interesit personal ata heshtën, dhe popullit kurrë nuk i treguen se burrështetasit e tij hajdutë bërtisnin: ‘kapeni hajdutin’, dhe se jeton në një shtet ku politikanëve kriminelë u falet krimi, e mëkatarët hallexhinj e të papushtetshëm mbushin burgjet”. Po ky shkrimtar na ka dhanë sentencën klasike: ‘Nuk ndërtohet Parrizi me muratorët e Ferrit!’. (Kim Mehmeti) Nji koleg i tij gazetar shkruente: “Shqipëria ka sot nji ndërgjegje të deformuar, nga lufta e paskrupullt që bëhet për para e për pushtet!”

Shqipëria ka nevojë për nji transfuzion gjaku të ri!

Në nji atmosferë politike të ndershme dhe efektive njikohësisht, duhen kritikue thanjet e veprat e nji “udhëheqsi” në nji dialog të hapët dhe të lirë. Ashtë pjesë e procesit demokratik. Por, nuk ashtë as e drejtë, as efektive, metoda që synon poshtënimin e “udhëheqjes” me akuza personale. Ky aspekt nuk ashtë detyra e atyne që mbrojnë shtetin dhe zbatimin e ligjit, nuk ashtë prerogativë e kundërshtarëve të ndershëm, detyra e të cilëve ashtë me zbulue, demaskue dhe gjykue gabimet e “udhëheqjes” politike.

Përndryshe, do të përfundojmë në nji situatë ku konflikti do të bahet nga të dy palët anmiqsore të njena-tjetrës mbi baza individuale dhe do të anashkalohet thelbi i kritikës konstruktive kundër nji situate të padëshirueshme. Vëmendja e publikut do të zhvendoset nga subjekti kryesor dhe rezultati do të jetë nji përplasje e damshme, e rrezikshme e jo rezultate. Shkatërrimi i “shtetit” nuk ashtë katastrofë partiake, por kombëtare, dhe duhet evitue me çdo kusht! Ky ashtë rezultati i atmosferës helmuese të diskursit politik sot në vendin tonë: shamje, përsëri shamje me shprehjet ma vulgare pa u skuqë fare… e asgja të re!

Rrezikojmë të ballafaqohemi me nji shtet të ri neokomunist, që ashtu si i maparëshmi, si regjimet fashiste e naziste, që do të shkaktojë dame të pariparueshme për të drejtat e qytetarëve, me që gjatë gjithë ekzistencës tij ky “shtet” do të kishte kontrollin e plotë mbi shoqëninë shqiptare, me persekutime dhe represion të motivueme politikisht, si dhe do të shkelë detyrimet e marruna ndërkombëtare. Ashtu si prindët e tyne komunistë, sot mbasardhësit neokomunistë kanë nji ngjashmëni të përbashkët në nji pikë: kanë tiparin e përbashkët në qëndrimin e tyne, janë të mbruem me frymën e urrejtjes që, si tharmi i bukës së gatueme në kuzhinën komuniste, i jep shije gjithë aksionit, mendimit dhe fjalës së tyne.

Gazeta liberale gjermane “Der Tagespiele”, e datës 20 korrik, shkruente: “se protestat e opozitës në Shqipëri janë shprehja e reagimit popullor kundër pushtetarëve abuzivë dhe të korruptuem. Ajo apelon që elitat në Europën Perëndimore të kapërcejnë padituninë e tyne arrogante dhe të bashkohen me ata që ngrihen kundër abuzimit me pushtetin…”

Ky abuzim u konfirmue edhe me deklaratën e Z. Luigi Foreca, ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri. Simbas “Euronews”, shkruen gazeta “Illyria” e New Yorkut, me 22 korrik 2019, “… e tashmja ashtë e qartë se ne kemi ndjekë votimet për së afërmi; ajo që na shqetëson ashtë fakti se elektoratit shqiptar i ashtë mohue e drejta e nji alternative të randësishme. Dhe kjo ashtë arsyeja që reforma elektorale ashtë sot ma me randësi se asnjiherë ma parë”.

Flitet për mohimin e votimeve të lira dhe të ndershme për shumicën e popullsisë!

Sot, dialogu politik i qytetnuem ashtë nxjerrë jashtë binarit dhe dyluftimi politik ashtë i ashpër e pa doreza…, që paralajmëron vetëm nji katastrofë politike nëse nji zgjidhje e arsyeshme për të gjithë nuk gjindet “tashti dhe këtu”. Deklarata e zyrtarit amerikan të Departamentit të Shtetit, smbasador Phillip Reeker, hap nji dritore në këtë drejtim: “…

SHBA nuk do të bahen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe, nëse institucionet nuk bëjnë punën e tyne, atëherë punoni që të ndryshoni ato, nëpërmjet mjeteve kushtetuese që keni”. (Theksi im. SR) Ky koment u ba në forumin e organizuem nga Këshili i Atlantikut, Uashington, D.C., më 18 korrik 2019.

Mjetet kushtetuese nuk ekzistojnë! Kështu, “problemi” shqiptar komplikohet edhe ma shumë sepse, “…sot, tre vjet mbas miratimit të Reformës për Drejtësi (22.7.2016), Gjykata Kushtetuese ka vetëm nji anëtare, së cilës i ka mbaruar mandati dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarë të mjaftueshëm për vendime. Vetting-u ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në sistemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë e prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme” (“VoA”, 20.7.2019)

Fletorja prestigjioze “The Economist” e përcaktoi: “Shqipëria ashtë në kaos!”.

Mbetet shpresa se riformimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi largimin e Partisë Demokrate nga Parlamenti, vendimin e Presidentit Meta mbi datën e re të votimeve, 13 tetor 2019, dhe elementë të tjerë që përbajnë krizën e randë politike në Shqipëri.

Por kush siguron korrektesën e nji veprimi të këtill me randësi kapitale në nji shtet sot njipartiak? Qeveria e “shtetit” njipartiak? Unë dyshoj!

* * *

Para nji situate të këtill kaotike dhe nji dispozicioni mendor që kërkon sigurim, vendosa të kërkoj mendimin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, The Honorable Yuri Kim, dhe të shprehë shqetësimet e mia si qytetar amerikan për vendlindjen time që dua kaq shumë, Shqipërinë. Ma poshtë janë pjesë të letrës, datë 31 korrik 2019:

“The Honorable Ambasador Yuri Kim, pranë Departamentit të Shtetit Uashington D.C. Shumë e nderuemja ambasador Kim:

……Situata e sotme në Shqipëri tregon se nji veprimtari politike ‘normale’ nuk ashtë e mundun, për arsye të nji mentaliteti komunist të maskuem, dhe për arsye të nji qëndrimi kambëngulës me marrë pushtetin absolut, mundësisht tue ndertue nji sistem politik njipartiak. Në qershorin e kaluem, në nji intervistë me “Zërin e Amerikës” quejta zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ‘artificiale’, sepse në fakt nuk kishte nji problem të randësishëm me pengue ‘zgjedhje’ të përgjithëshme, të lira dhe të ndershme…. Për mendimin tim, ajo ashtë rezultat i nji ballafaqimi ndërpartiak të vazhdueshëm në luftë me fitue e me sundue. Simbas nji filozofie politike në Shqipëri, ‘pushtet’ don të thotë ‘pushtet absolut’, asgja ma pak…. Zgjedhjet u gjykuen ‘të vjedhuna’. Vendi përfundoi me nji Parlament në shërbim të Ekzekutivit, dhe të nji sistemi gjyqësor thellësisht të korruptuem…. Nji nga të metat politike që vërejmë në Shqipëri ashtë moskokëçarja për këshillimet që vijnë nga qeveri dhe miq të jashtëm. Ashtë nji meturinë e propagandës së kaluemes komuniste dhe ashtë e damshme…. Unë mendoj se sugjerimi i Departamentit të Shtetit që të mbahen zgjedhjet, pavarësisht nga manipulimet e ekzekutivit, nuk ka qenë ma i preferuemi dhe propozimi i Presidentit I. Meta me shtye zgjedhjet deri më 13 tetor 2019 me qëllim që të shfrytëzohet kjo periudhë kohe për negociata në nji atmosferë ma të mirë, ka qenë logjik…

Gjykimi i ambasadores franceze, Mme Vasak “ …duhet ta dini se ky popull, qytetarët e këtij vendi, meritojnë nji zgjidhje të arsyeshme” ashtë i mirëpritun. Përballë rrezikut të nji sistemi njipartiak, Shqipëria ka nevojën ekzistenciale me pasë nji parti politike të dytë me qëllim të pengojë vendosjen formale të nji sistemi politik njipartiak…..

Me shumë randësi ashtë humbja e shpresës në popullsinë për nji të ardhme ma të mirë. Sot, jemi dëshmitarë të nji kapitulli të errët në historinë e vendit tonë, me eveniment të rrezikshëm e të pakontrollueshëm në nji vend që dominohet nga ekzekutivi, i cili nuk njeh as rregullat politike, as përgjegjësinë morale. Sot jemi dëshmitarë të dominimit të vendit nga elementë neokomunistë që luftojnë me mbajtë pushtetin absolut, ndërsa shumica e madhe e popullsisë ka heshtë….!

……Ambasadori Phillip Reeker, nd/ Sekretari i Shtetit, deklaroi (në Atlantic Council, Uashington, D.C.) se ’… Shtetet e Bashkueme do të vazhdojnë me inkurajue të gjitha palët me bashkëpunue me institucionet shtetnore…. Nëse këto institucione nuk kanë sukses në funksionet e tyne, na rekomandojmë me ba përpjekje dhe me i ndryshue me mjetet konstitucionale që Shqipëria ka…’. (Theksi im, SR.)

Ky ashtë nji sugjerim konkret dhe qëllimmirë, por ku janë këto ‘institucione shtetnore’? Prandej, nevoja për ‘institucione të besueshme shtetnore’ ashtë e nji randësie primare. Më lejoni të paraqes sugjerimet që vijojnë:

1) Formimi i nji qeverie të përkohshme dhe teknike, me qellim:

2) Me përpunue nji reformë të re elektorale, dhe votime të përgjithshme, të lira, të ndershme brenda 6 muejsh;

3) Parlamenti i ri të përmbajë të gjithë spektrin politik të vendit, si dhe të formojë, në mënyrë të preferueme, nji qeveri koalicioni për përgatitje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbikëqyrja ndërkombëtare ashtë e domosdoshme.

Ambasador Kim:

Këto janë disa nga këndvështrimet e mia për vendlindjen time, Shqipërinë sot! Shqipëria ju pret mbas nji mungese të gjatë ambasadoriale. Pa dyshim, ju do të jeni e mirëpritun, e nderueme, e respektueme dhe e ndigjueme prej tyne. Shqipëria, për të gjitha arsyet, ashtë sot vendi ma pro Amerikan në Europë. Me këte letër, sot, unë dëshiroj me shprehë konfidencën time të plotë në profesionalizmin tuej dhe në eksperiencën e gjatë diplomatike tuejën. Kam çdo arsye me besue se me përpjekjet e jueja do të dilni me sukses në gjetjen e nji zgjidhje të arsyeshme për problemet e vetëkrijueme në Shqipëri.

Miliona sy janë drejtue sot kah ju, në këtë moment që filloni misionin tuej diplomatik në Shqipëri. Na, të gjithë, do të lutemi për suksesin tuej.

Me nderime, Sami Repishti, Ph.D.

* Autori ashtë pedagog në pension; ish-i burgosun politik (1946-‘56) dhe aktivist për të drejtat e njeriut.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...