Një gjykatë e Kievit vendosi masën e lirimit deri në fillimin e gjyqit për një gazetar rus të arrestuar në Ukrainë nën akuzat e tradhtisë së lartë. Kirill Vyshinsky, kreu i zyrës së agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti në Ukrainë, u arrestua në maj të vitit 2018 dhe mund të dënohet me 15 vjet burg nëse shpallet fajtor.
Arrestimi i tij u bë mes akuzave të Kievit se RIA Novosti po merrte pjesë në një “luftë informative hibride” të zhvilluar nga Rusia kundër Ukrainës. Vyshinsky u akuzua se dyshohej të kishte marrë ndihmë financiare nga Rusia.
Tensionet midis Moskës dhe Kievit janë rritur ndjeshëm që kur Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe mbështeti separatistët në Ukrainën lindore, duke ndihmuar në fillimin e një lufte që ka lënë rreth 13,000 të vrarë.
Qeveria pro-perëndimore e Ukrainës është mjaft e ndjeshme ndaj mediave ruse, duke e akuzuar Moskën për shpërndarjen e dezinformatave që synojnë mbjelljen e tensionit dhe destabilizimin e vendit. /Zëri i Amerikës/