Gazetari i njohur zbulon ku porositen vrasjet në vend ...

Saturday, 31 August 2019 13:32

Gazetari dhe autori i “Abc Story” Ferdinand Dervishi, shprehet se vrasjet cilësore në Shqipëri janë porositur nga 1 ose 2 tavolina. Sipas tij, për vrasjet e mëdha është marrë leje pikërisht në këto tavolina, pastaj janë kryer atentatet. Dervishi shpjegon edhe fenomenin e “Bërjes së kollares”, që sjell ekzekutimin e personave që tradhtojnë grupin. Sipas gazetarit të njohur, policia duhet të fokusohet te grupet e reja kriminale, që janë fuqizuar shumë, pasi ata që po dalin nga burgu, nuk e kanë më agresivitetin që kanë patur më parë.

Vetëm në muajin gusht kemi 7 të vrarë, si ju duket situata e kriminalitetit?

Shumica e ngjarjeve që sjellin vrasje apo plagosje, ne shpesh i cilësojmë si prishje pazaresh, por shumica kanë të bëjnë me një fenomen “Të bësh kollare”. Në momentin që një person ka në dorë lekët e një grupi, sepse bëhet fjalë për shuma të mëdha parash, atëherë nisin konfliktet. Shqiptarëve u bëhen sytë jeshilë kur shohin lekë dhe mendojnë se nuk do i gjejnë nëse i marrin. Por grupet sot janë të strukturuara dhe nuk të fal njeri. Pra, lidhet me një fenomen të vjetër “Bërja e kollares”.

Vrasjet përgjatë kësaj periudhe lidhen edhe me faktin se shumë shqiptarë kthehen në vendlindje dhe që kanë problem me persona të tjerë. Plus gjatë pushimeve, bie vigjilenca e grupeve kriminale, prandaj kemi kaq shumë vrasje gjatë muajit gusht. Jo se nuk ka ndodhur vitet e tjera.

U ankuam se policia ishte përqendruar te protestat dhe po lihej pas dore rendi. Por ja që në gusht nuk kishim protesta dhe patëm krime. Vrasje ka dhe do ketë, por policia duhet të jetë më e kujdesshme me identifikimin e personave problematikë jashtë dhe brenda Shqipërisë.

Policia përgjithësisht ka disa database, ku ka identifikuar grupet kriminale dhe lidhjet e tyre. Rastet e vjetra policia i ka të skeduara dhe duhet të dijë që ky njeri që po vjen nga jashtë mund të vrasë, ose mund të vritet, nëse ka probleme me persona të tjerë.

Problemi është se sa ndërtohet një punëe mirë te policia kriminale, ndodhin fenomene të çuditshme, që e heqin këtë person që ka punuar, se ndërrohet pushtetiapo erdhi një shef i ri. Policia nuk ka qëndrueshmëri të specialistëve në zona të ndryshme. Po e ndryshove këtë specialist atëherë duhet më shumë kohë që ai tjetri të përgatitet.

Kemi patur vrasje në Tiranë, Durrës, Elbasan, a mendoni se grupet kriminale bashkëpunojnë?

Për kohë një gjatë në Shqipëri, që nga viti 1988, nuk kanë qenë të shumta tavolina që vendoseshin vrasjet cilësore. Nuk shoh lidhje të madhe në bashkëpunim. Vrasjet cilësore në Shqipëri vendosen në 1 ose 2 tavolina të rëndësishme dhe merren ndonjëherë edhe leje në këto tavolina. Për një periudhë të gjatë kohore vrasjet në Shqipëri në Shqipëri janë vendosur pikërisht në këto 1 ose 2 tavolina.

Dy skemat më të përdorura dhe që kanë dhënë rezultat, vrasje të menduara, të llogaritura, me 1 makinë, me 2-3 grupe personash, pastaj largimi nga vendi i ngjarjes me një skemë të paramenduar. Zhdukja e provave duke djegur automjetin dhe më pas një makinë tjetër për t’u larguar nga zona. Kjo skemë ka dhënë rezultat. Por skema më e mirë është ajo që po ndodh në Vlorë. Zhdukja dhe rrëmbimi i personave. Nuk ka vendngjarje dhe është shumë e vështirë për t’i zbardhur. Është përdorur kjo skemë edhe në Tiranë e Shkodër.

Muajt e fundit janë liruar disa emra të njohur të bandave kriminale në vitin 1997, do të sjellëkjo përkeqësimin e situatës?

Krimi në përgjithësi është provuar që është me mosha, është me breza. Kur janë mosha 20-40 vjeç janë në terren, janë agresivë dhe pas kësaj moshe u fillon pjekja, futja në biznese dhe në momentin që bëjnë lekë ata tërhiqen shumë. Rasti i Beratit, që grupet aty bënë lekë dhe më pas u tërhoqën.

Nuk mund të pretendohet që këta që dalin të jenë sërish agresivë, pasi kanë ndryshuar gjërat. Kanë ndryshuar grupet kriminale. Problemi më i madh është drejtësia që i ka lënë të lirë në këto forma.

Në Tiranë duhen parë lidhjet e grupeve të fuqishme kriminale, sesa disa të tjerë që e kanë mbyllur ciklin. Duhet fokusuar te hesapet e pambyllura mes grupeve kriminale të reja. Nuk mendoj se grupet e vjetra do jenë sërish aktive, ato më shumë do ruhen pasi kanë qenë të përfshira në shumë vrasje e ngjarje të rënda. Gazeta Mapo

Login to post comments