Skandali me Maznikun, çfarë ndodhi me gjyqtarët që morën biletat e Realit, pse s’flet askush për Fushën?

Diel, 01 September 2019 13:47

Një skandal i fortë ka përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe një ndër zyrtarët kryesorë të saj. Arbër (Arbian Mazniku), ka përfituar një akomodim në Hotel “Alma Barcelonë”, me çmim 1816 euro për dy netë, e përkthyer në 908 euro nata.

Dhurata i është bërë nga biznesmeni i akuzuar nga opozita, mediat dhe opinioni publik, Shkëlqim Fusha. Fusha, i ka paguar hotelin Maznikut me kartën e tij personale të kreditit, ndërkohë që përveç një reagimi të thatë të Partisë Demokratike, skandali po përpiqet të kalojë në heshtje.

Kanalizimi i parë bëhet nga mediat që janë nën kontrollin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Për to, ky lajm nuk ekziston. As fatura e nxjerrë nga faqja interaktive JOQ, dhe as reagimi zyrtar i PD nuk ka gjetur financim.

 

Por le të sjellim një vëmendje një rast i cili vlen për krahasim. Tri gjyqtarët e gjykatës së Apelit në Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, u arrestuan dhe u pezulluan nga detyra pasi akuzohen se në tetor të vitit 2014 kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.

Sipas Prokurorisë, gjyqtarët janë sponsorizuar në udhëtimin jashtë vendit nga biznesmeni durrsak, Namik Spahiu, në një kohë kur ai ishte në një proces civil dhe po shqyrtohej pikërisht nga tre gjyqtarët e Apelit.

Ky rast është i vlefshëm krahasimi vetëm për procedurën e ndjekur… por jo për konfliktin e interesit. Arbër Mazniku është nënkryetar i një bashkie që i ka dhënë Shkëlqim Fushës 49 milionë euro tendera (dhe e ka lejuar të vendosë edhe emrin e tij në një rrugë)… dhe ndaj rasti i tre gjyqtarëve duket fare i papërfillshëm. Por nëse në rastin e parë, reagimi i institucioneve ndaj lajmit të gazetarit Flamur Vezaj ishte i menjëhershëm, për Maznikun koha ka ndalur.

Bashkia Tiranë ka për detyrë të informojë shqiptarët se çfarë ka ndodhur me këtë rezervim. A ka shkuar Mazniku në Barcelonë me paratë e Shkëlqim Fushës?

Nëse po, cili është raporti i bashkisë Tiranë me këtë biznesmen?/Dosja.al/

Login to post comments