Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje në mbrëmje një ceremoni me rastin e 15 vjetorit të themelimit të saj.
Pritja është organizuar në ambiente e një hoteli të njohur në Tiranë, ku janë ftuar politikanë, diplomat dhe përfaqësues të artit dhe mediave.
Ajo që ka rënë në sy ishte mungesa e aleatit të opozitës, kreut të PD, Lulzim Basha dhe të kreut të PS-së, Edi Rama.
Ndërkohë që socialistët në këtë ceremoni janë përfaqësuar nga Gramoz Ruçi, njëherësh kryetari i Parlamentit. Ndërsa, PD në këtë ceremoni u përfaqësua nga nënkryetari, Edmond Spaho dhe ish-deputetët, Albana Vokshi dhe Klevis Balliu.
Nga aleatet e opozitës ka rënë në sy prania e Fatmir Mediut, kreut të PR dhe Nard Ndokës së PDK-së.
Nga ana tjetër, aktivitetit të organizuar nga LSI iu bashkuan, ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini, ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, ambasadorja e Francës, Christina Vasak, ambasadori i Kinës, Zhou Ding, ambasadori i Kuvajtit, Fayez Mishari Al-Jassim. Po ashtu të pranishëm ishin dhe përfaqësues dhe nga Ambasada Hungareze, Algjeriane, Izraeli, Bullgaria.
Ndërkohë që nuk munguan, Nunci Apostolik, Charles John Brown, Shefi i Seksionit Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e USA, Alex MacFarlane.