Personi 16 i arrestuar gjatë ditës së shtunë në kuadër të operacionit “Informaliteti”, deklaroi para policisë se nuk ka lidhje fare me skemën e mashtrimit me TVSH për të cilën akuzohet.
Prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj lexoi në sallën ku po jepej masa e sigurisë për 15 biznesmenët e tjerë të akuzuar për mashtrim me TVSH-në, dëshminë e të arrestuarit të fundit Drilon Bareti të dhënë para policisë. Bareti mohon të jetë i përfshirë në skemën e mashtrimi. Ai thotë se punon si bojaxhi dhe se thjesht i është kërkuar të regjistrohej në QKB nga dy të njohurit e tij. I akuzuari Bareti pranon se ka marrë 150 mijë lekë për këtë gjë.
“Prej vitesh punoj bojaxhi, merrem me gipse. Isha në gjendje të vështirë financiare. I kërkova ndihmë një komshiut tim. Ai më prezantoi me dy persona të tjerë, që më thanë që do të hapnin disa magazina me materiale ndërtimi dhe për të bërë këtë u duhej një person që të regjistrohej në QKB. Më kërkuan kartën e identitetit. Ua dhashë, por u thashë që nuk doja të kisha probleme me shtetin. Për këtë mora 150 mijë lekë dhe më premtuan se për 5 vjet dontë paguhesha nga 30 mijë. Nuk kam lidhje fare me skemë mashtrimi. Vetëm tani po i dëgjoj këto gjëra”, përfundon dëshmia e Baretit.