Një 33-vjeçar në Elbasan është arrestuar në flagrancë nga policia, teksa po drekonte në një lokal, pasi kishte thyer masën e sigurisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin Th. B., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për këtë shtetas kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, si i dyshuari i vjedhjes me dhunë të shtetasit A. V., ndodhur më datë 06.09.2019, në Elbasan.
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacion nga qytetarët se 33-vjeçari nuk zbatonte vendimin e Gjykatës dhe kanë ushtruar kontroll për verifikim e masë së sigurisë, por nuk e kanë gjetur në banesë.
Policia pas kontrollit e ka gjetur dhe arrestuar shtetasin Th. B., i cili ishte në një lokal duke drekuar. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”