Ditën e djeshme në gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua një seancë prekëse.
Pasi prokurori Besnik Muçi lexoi konkluzionet për ngjarjen e bujshme të 30 prillit 2018, kërkoi nga togat e zeza dënimin me 35 vjet burg për Marjanë Cmetën, nënë e një vajze të vogël.
Pas kësaj nëna e të akuzuarës që nuk kishte pranuar të ishte në sallë ka shpërthyer në lot, por i prekur është shfaqur edhe ish-bashkëshorti i cili ka qenë i pari që e denoncoi në polici për helmimin e nënës së tij.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur më 30 prill 2018, por gjithçka doli në dritë pak muaj më vonë pasi fillimisht vdekja e 48-vjeçares u tha se ishte natyrale. Gjithçka u zbulua pasi Marjana Cmeta u rrëfye tek hoxha Hysen Shehu.
Në këtë rrëfim që është i regjistruar në video, ajo tregon se si e mashtroi vjehrrën 48-vjeçe për të pirë ‘lëngun magjik’, që ishte helmi fostoksinë, në mënyrë që ato të mos konfliktoheshin më. Oltjan Lami, djali i viktimës dhe ish-bashkëshorti i autores së krimit tregoi çfarë dëgjoi në video.
Ai u paraqit në polici dhe tregoi çfarë kishte parë në video. Më datë 30.04.2017 Marjana Cmeta ka shkuar në shtëpinë e Oltjan Lamit rreth orës 06:30 të mëngjesit. Ajo ka takuar bashkëshortin e saj Oltjan Lami të cilit i ka dhënë këmishët për në punë dhe rreth orës 07:00, Marjana ka dalë bashkë me Oltin për ta shoqëruar deri në Bathore pasi ai do ikte për punë.
Ata janë ndarë dhe Marjana është kthyer përsëri në shtëpi. Rreth orës 10:00, pasi ka shpërndarë qumështin, në shtëpi ka shkuar Lirije Lami.
Në rrëfimin e saj para Gjykatës, Marjana Cmeta tregoi se në ditën e ngjarjes ishte zgjuar herët dhe kishte shkuar në shtëpinë e ish-burrit për të bërë punët e shtëpisë dhe përgatitur atë për në punë.
Cmeta tha se në momentin që Lirie Lami kishte shkuar në shtëpi, e kishte pyetur se si ishte dhe nuk kishin bërë bisedë të gjatë. Sipas të pandehurës, viktima i kishte shprehur shqetësim për sjelljen e vajzës së vet. ‘Në datën 30 maj jam zgjuar herët për të shkuar te shtëpia e ish-bashkëshortit tim, pasi ishte në banesën e prindërve të mi. Shkova herët që t’i bëja gati këmishat për punë Oltonit dhe të bëja punët e shtëpisë.
Kam përcjell për në punë ish-bashkëshortin dhe u ktheva në banesë. Pak më vonë ka ardhur Lirie Lami, e cila sillte gjithmonë qumësht dhe atë ditë do të mbillte dhe disa fidan domate. Kur erdhi, i fola, e pyeta se si ishte dhe më tha se i dhembte pak koka, ndërkohë po kërkonte fidanët që do të mbillte.
U largua për ca minuta dhe unë vazhdova në shtëpi, kur u kthye ishte e shqetësuar dhe më tha se vajza e saj ishte larguar nga fshati me nerva. Më tha se e shqetësonte sjellja e saj. Unë i thashë që edhe Olti është i acaruar këto kohë dhe zgjohet me nerva’, ka thënë Marjana Çmeta.
Biseda lidhur me nervozizmin e kunatës së saj dhe Oltionit, sipas Marjanës, kishte shkuar në një debat sa i takon përdorimit të magjisë dhe shkuarjes te hoxha për të zgjidhur situatën.
E pandehura tha se i kishte thënë Lirie Lamit se jo për çdo gjë duhet të shkonin në një hoxhë për zgjidhje të problemeve, pasi mund ta zgjidhnin problemin duke biseduar me njëri-tjetrin.
‘Në lidhje me largimin e vajzës së saj të mërzitur, pasi kishte probleme edhe me burrin, më tha se nuk kishte se çfarë të na bënte më ne, pasi na kishte çuar në disa hoxha që të na rregullonte. Ne kemi pasur debate për shumë gjëra, por si çdo çift. Debatuam në lidhje me shkuarjen te hoxha dhe më tha se nuk e bënte për keq, por për të zgjidhur zënkat dhe çfarë na ndodhte. Jemi konfliktuar te dera me të shtyra, ku unë u rrëzova dhe ndjeva dhimbje se isha 5-muajshe shtatzënë. Në këtë moment, i kam thënë se nëse humbisja fëmijën, do ishte për fajin e saj. Jemi ndarë dhe unë shkova në dhomën time, gjatë kësaj kohe kam dëgjuar zhurmë në shtëpi, por nuk kam parë se çfarë ndodhi’, është shprehur e pandehura.
Ndërkohë sipas hetimeve të prokurorisë, provohet tej çdo dyshimi se shtetasja Marjana Cmeta në datën 30 prill 2017 gjatë kohës që ka qenë në banesën e saj së bashku me vjehrrën, viktimën Lirie Lami, i ka ofruar të pijë një lëng frutash në të cilën kishte hedhur një tabletë fotoksinë dhe se këtë helm e kishte marrë që më parë dhe e kishte ruajtur për të realizuar këtë vepër dhe për ta bërë që të dukej si vetëhelmim.
Më pas, duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, ajo ka kryer dhe veprime fizike duke e mbytur me shall dhe, pas reagimeve të viktimës, e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas, ka njoftuar vëllain e burrit të viktimës, banesa e të cilit ka qenë pranë dhe e kanë transportuar për në spital, duke e paraqitur si të vetëhelmuar.
Edhe në deklarimet e para, kjo shtetase ka mohuar që të ketë kryer krimin, duke dhënë alibinë se viktima gjatë kohës që ka qenë në banesë ka qëndruar për rreth një orë në një dhomë tjetër dhe kur ka shkuar, e ka parë shtrirë dhe në gjendje të rëndë, ka njoftuar të afërmit dhe e kanë dërguar në spital.