Ekonomia britanike pritet të shmangë recesionin përpara se të dalë nga Bashkimi Europian, pavarësisht rënies së prodhimit në muajin Gusht. Produkti i Brendshëm Bruto në tre muajt që përfunduan në Gusht ishte 0.3% më i lartë se tremujori që përfundoi në Korrik.
Megjithatë, prodhimi vetëm për Gushtin ra me 0.1% me bazë mujore. Ekonomia britanike u tkurr në tremujorin e dytë, kur bizneset kishin shtuar ndjeshëm inventarët, për t’u përgatitur nga dalja fillestare e Britanisë më 29 Mars.
Dy tremujorë radhazi të tkurrjes nënkuptojnë recesion për ekonominë britanike. Megjithatë, të dhënat e zyrës Kombëtare të Statistikave tregojnë se ekonomia duhet të tkurret me 1.5% vetëm për Shtatorin, që të ndodhë recesioni.
Prodhuesit në të gjithë Europën janë goditur nga lufta tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Kryeministri Boris Johnson ka premtuar të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian në fund të këtij muaji, qoftë edhe pa një marrëveshje tregtare.
Parlamenti i ka kërkuar që ta vonojë përsëri Brexit nëse nuk arrihet marrëveshja me Brukselin. Zyra e Statistikave publikoi edhe të dhënat mbi tregtinë, ku pati një rritje të lehtë të defiçiti tregtar në 9.8 miliardë paund.