Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Kavajën, dëshmi të reja vijnë për krimin që ndodhi brenda apartamentit në lagjen nr.2 të qytetit ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Dritan Haxholli. Gazetarja Dorjana Bezat ka mundur të zbardhë për “BalkanWeb” dëshminë e Bledar Tocit, shefit të sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit i cili është arrestuar për vrasjen e Dritan Haxhollit.
Ai ka deklaruar se qëllimi i tij dhe dy miqve të 30-vjeçares ka qenë për t’i bërë presion Haxhollit ta linte të qetë por se viktima kishte aluduar për një lidhje të tij me Marsida Qatjan.
“Marsida Qatja më telefonoi pasdite dhe më tha se Dritan Haxholli e bezdiste dhe e përndiqte dhe unë i thashë se do e ndihmoja.
Kam shkuar disa herë tek shtëpia e saj gjatë së mërkurës. Marsida më tha se Dritani vjen zakonisht natën aty dhe për këtë arsye unë qëndrova aty në mbrëmje së bashku me Xhuljo Biturkun dhe Ermir Çelën.
I thamë Marsidës se do i bënim ne presion Dritanit që të mos e shqetësonte më. Rreth mesnatës kur ai erdhi dhe me forcë po i binte derës dhe po kërcënonte shkova unë dhe ia hapa derën ndërsa Marsida me 2 shokët ishin në sallon. Sapo ia hapa derën Dritani me tha:’Ti qenke dashnori i kësaj prandaj ajo u nda nga mua’ dhe hapi zjarr direkt me automatik pa më lënë kohë që unë ta sqaroja. Menjëherë sa kam parë kallashnikovin që po e përgatiste për qitje jam shmangur por nga breshëria u plagosa. Për vetëmbrojtje reagova dhe qëllova vetëm një herë”, ka deklaruar ai. /BW/