Hodhi granatë në një diskotekë, merret vendimi për Vali Corleonen

Premte, 11 October 2019 13:09

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Prince Valentino Corleone. i cili ishte liruar nga akuzat për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan.

Sipas Apelit, kjo çështje është gjykuar nga gjykata, e cila nuk kishte pasur kompetencë lëndore për gjykimin e kësaj çështjeje, pasi që sipas shkallës së dytë, ky rast bie në kompetencën e Departamentit të Përgjithshëm dhe jo të atij për Krime të Rënda.

“Aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse e ka marr gjykata e cila nuk kishte kompetencë lëndore për gjykimin e kësaj çështjeje. Në fakt, veprat penale nga neni 365 par.3 lidhur me par.1 e nenin 31 të KPRK si dhe neni 374 par.1 të KPRK, të cilat sipas aktakuzës i vihen në barrë të akuzuarit Princvalentono Corleone dhe ishin objekt i shqyrtimit nga gjykata e shkallës së parë, nuk janë në kompetencën lëndore të Departamentit për Krime të Rënda, por të Departamentit të Përgjithshëm, sepse asnjëra prej tyre nuk sanksionohet me dënim mbi 10 vjet burgim”, thuhet në arsyetimin e këtij aktvendimi.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Gjykata e Apelit duke aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe sipas detyrës zyrtare, ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit Corleone.

Lidhur me këtë rast më 18 korrik ishte mbajtur seanca e Kolegjit të Apelit, ku është shqyrtuar ankesa e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënimin e Prince Valentino Corleone, apo siç njihet ndryshe Vali Corleone, ose kthimin në rigjykim të lëndës ku ai akuzohet për dy vepra penale, që lidhen me rastin e vendosjes së një granate në diskotekën “Stop”, në vitin 2013.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 30 prill 2019, në mungesë të provave, të akuzuarin Corleone e kishte liruar nga akuzat për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 2 qershor 2014, Prince Valentino Corleone dhe Gent Qamili, akuzohen se kanë kryer veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se më 28 korrik 2013, në diskotekën “Stop”, e cila gjendet në magjistralen Gjilan – Kamenicë, të akuzuarit me dashje dhe në bashkëveprim kishin tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve të tjerë, ashtu që i akuzuari Corleone pas marrëveshjes paraprake me të akuzuarin Qamili, ia jep çantën në të cilën gjendej një granatë dore.

Sipas aktakuzës, Corleone i jep instruksione se si ta vendos në lokalin e diskotekës “Stop”, duke i premtuar se do t’i jap shpërblim shumën e të hollave prej 300 euro dhe mbushje prej 20 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Qamili merr mjetin eksplodues dhe e vendos në tualetin e lokalit, ku kanë qenë një numër i madh i njerëzve, dhe më pas me numrin e telefonit e thërret policinë dhe i lajmëron se në diskotekën “Stop” ka bombë.

Lidhur me këto akuza, procedura penale ndaj Gent Qamlit kishte përfunduar, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë. /BetimiPërDrejtësi

Login to post comments