Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokuroren e Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj.
Në seancën dëgjimore, Muhametajt iu kërkuan prova për të ardhurat e vjehrrës së ndjerë, e cila nga analiza e KPK-së si ‘person tjetër’ i lidhur rezultonte të kishte një mungesë prej rreth 480 mijë lekësh në shpenzimet për blerjen e një apartamenti 2+1 në vitin 2010.
Nga hetimet, KPK nuk vuri në dukje probleme në dy kriteret e tjera të rivlerësimit, edhe pse u theksua se ishin hetuar disa denoncime. Dy gjetje të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në të cilat pretendoheshin shkelje proceduriale të Muhametajt u rrëzuan si të pabazuara nga KPK.
Muhametaj dha shpjegime të detajuara sa i përket pasurisë dhe u ndal edhe në çështjet për të cilat ishte denoncuar. Ajo tha se të ardhurat e saj ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, ndërsa tha se kishte bërë një jetë modeste dhe kërkoi “të vazhdonte detyrën si prokurore e Republikës së Shqipërisë”.
Në shtator 2018, Sonila Muhametaj ishte një ndër tre prokurorët e transferuar me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”. Muhametaj ngriti padi kundër vendimit në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda.