Kanë 30 vite që luten për një rrugë me asfalt, dhe po aq vite që marrin premtime se rruga do të bëhet një ditë. Janë mbi 300 familje në zonën e Shkozës që detyrohet të përdorin cdo ditë rrugën tejet të ngushtë e me gropa ku nuk të zë syri një centimetër asfalt.
Banorët thonë se në dimër rruga bëhet e pakalueshme nga balta dhe uji dhe se ata që e vuajnë më shumë janë fëmijët e vegjël. Por rruga është vetëm një nga shumë halle që kanë banorët. E gjithë lagja nuk ka kanalizime të ujërave të zeza, e aq më pak ndricim e gjelbërim.
Një vit më parë investimi rrugor I bashkisë Tiranë u shtri deri në një pikë e mandej punimet u ndërprenë afër 300 metra larg familjeve që sot protestojnë.
Banorët thonë se situata nuk ka ndryshuar për mirë edhe pas ankesave të shumta dërguar bashkisë madje edhe portalit të bashkëqeverisjes.