Policia e Fierit finalizon me sukses një tjetër operacion antidrogë.
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Kreshpan”.
Operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, i ndjekur me metodat speciale të hetimit.
Sekuestrohen rreth 13 kg kanabis, 2 automjete, 7 aparate celulare dhe një sasi parash.
Në pranga 3 shtetas që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, pas një pune hetimore 10-ditore, të ndjekur me metodat speciale të hetimit, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Kreshpan”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. Y., 35 vjeç, banues në Kreshpan, Fier;
S. T., 38 vjeç, banues në Kreshpan, Fier;
E. S., 27 vjeç, banues në Tiranë;
Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasit E. Y., S. T. dhe E. S. duke shkëmbyer një sasi lënde narkotike kanabis.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi në pronësi të shtetasit E. S., u gjet një sasi prej 5 kg lëndë narkotike kanabis, e cila dyshohet të jetë blerë te shtetasit E. Y dhe S. T.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Y. iu gjetën dhe sekuestruan 1 550 euro dhe 90 000 lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Gjithashtu, nga kontrolli i banesës së shtetasit E. Y., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 8 kg lëndë narkotike kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.