Historia e trishtë e Sarës me shoqen e saj: Si ja fshehëm sëmundjen e rëndë

Diel, 03 November 2019 16:01

Edhe pse disa njerëz mund të qëndrojnë në jetën tonë për një periudhë të shkurtër, ata lënë mbresa të mëdha dhe kujtime të paharrueshme.

Historia e sotme në rubrikën ‘Ka një mesazh për ty’ në emisionin ‘E Diela Shqiptare’ në Tv Klan, përcjell një histori të dhimbshme, por me një mesazh shumë të fortë.

 

Sara ka humbur para 4 vitesh shoqen e saj më të ngushtë, miken e saj, personin që gjithmonë i gjendej pranë dhe i dhuronte buzëqeshje pafund. Humbja ka shkaktuar një dhimbje të madhe por edhe ka ndryshuar pikëpamjet e Sarës për jetën.

 

Sara: Kam ardhur këtu për të ndarë një histori, që tek unë ka ndikuar shumë dhe ka lenë gjurmë të thella. Bëhet fjalë për shoqen time të ngushtë, Egla, e cila prej 4 vitesh nuk jeton më.  Egla ishte gëzimi i dytë i familjes Kala sepse ata kishin edhe një djalë Erbin. Ishte një fëmijë i shëndetshëm, i urtë, i qeshur gjithmonë. Egla u rrit, u regjistrua në klasën e parë dhe fati e deshi të ishim në të njëjtë klasë. Vitet kaluan, në klasën e shtatë ku edhe fjala shoqëri merr një kuptim më të plotë, më të qartë, ne u afruam shumë, diskutonim, ndanim sekrete, ktheheshim bashkë në shtëpi duke qenë se jetonim pothuajse në të njëjtën lagje. Egla edhe në ditët ku isha e mërzitur apo kishim kaluar një ditë të vështirë, gjithmonë ma kthente buzëqeshjen, me optimizimin, me energjinë, me natyrën e saj të qeshur.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte Egla?

Sara: 15 vjeç. Në klasën e 9-të Egla kishte shqetësime me shëndetin. Sapo prindërit e morën vesh sigurisht shkuan për të bërë analizat dhe ekzaminimet e duhura. Pasi doli përgjigjja, ata morën një lajm të tmerrshëm. Mjekët i thanë s, Egla u diagnostikua me kancer dhe i kishte mbetur shumë pak kohë për të jetuar. E vetmja gjë që prindërit mund të bënin ishte t’i falnin sa më shumë dashuri dhe lumturi, në aq pak kohë sa i kishte mbetur. Mjekët e konsideruan si sëmundje përbindësh dhe në të vërtetë ashtu ishte sepse ishte shumë agresive dhe nga një organ i caktuar u përhap në të gjithë trupin. Pjesën tjetër të mbetur, Egla e kaloi në shtëpi, nën kujdesin e familjarëve, të prindërve, vëllait dhe të afërmve dhe gjithmonë me qetësues. Ishte shkëputur nga procesi mësimor dhe në vitin e parë nuk mundi të vinte asnjë ditë në shkollë. Por çdo ditë, pasi mbaroja mësimin mezi prisja të kthehesha në shtëpinë e saj dhe t’i tregoja për shoqërinë, për mësimet, projektet, për mësueset. Egla më dëgjonte plot kërshëri dhe ndihej sikur ishte dhe ajo pjesë e kësaj jete aktive.

Ardit Gjebrea: Ajo nuk e dinte se çfarë kishte?

Sara: Nuk e dinte se çfarë kishte..

Ardit Gjebrea: Ndjente? Parandiente? Si e përballonte ajo këtë sëmundje?

Sara: Prindërit i kishin thënë që kishte bronkopneunomi por ajo ishte shumë e zgjuar. Me kalimin e kohës, ajo po shikonte se gjendja po përkeqësohej dhe nisi të bënte pyetje të tipit pse nuk po shërohem?… kaq shumë po zgjat kjo ftohja ime?..,gjyshja, tezja, të gjithë u shëruan vetëm unë nuk po ngrihem nga krevati. Mirëpo, ajo qetësia dhe siguria që shfaqnin prindërit në të folur ja zbehnin disi ato dyshimet. Egla ishte jashtë mase e fortë sepse edhe në momentet me dhimbje më të mëdha nuk e shfaqi asnjëherë atë që po kalonte. Kishte ëndrra pafund dhe mezi priste t’i realizonte ato. Një ditë gjendem në shtëpinë e Eglës, bashkë me shoqet e mia dhe para se të largoheshim, Egla shprehu një dëshirë, ajo donte të rrija me të atë natë. Para se unë të rrija duhet të merrte leje tek mami im, kështu e telefonoi mori leje, mami pranoi patjetër dhe pasi e mbylli telefonin, iu drejtua mamit të vet dhe i tha: O ma, pse mua nuk më thotë askush jo? Pse të gjithë m’i plotësojnë dëshirat. Unë atë natë ndenja aty. Kjo ishte vizita që vleu më shumë se çdo herë tjetër. Folëm shumë dhe për herë të parë më shprehu vuajtjet që po kalonte, dhimbjen që po përjetonte, plagët në trup, për herë të parë e pashë të dobët. Atë natë, Egla dha shumë urata: T’u bëftë dita njëmijë o ba, faleminderit që ma zbukurove tavolinën o ma…Fjetëm shumë pak atë natë dhe kur u zgjuam në mëngjes, Egla nuk ishte mirë, kishte dhimbje dhe ishte e zbehtë. E dinte që unë besoj tek Zoti dhe më shtrëngoi dorën duke kërkuar që t’i luteshim Zotit që ta qetësonte. Dhe ashtu bëri, Zoti e qetësoi, unë u largova e putha në ballë duke i thënë se do kthehesha sërish. Dhe u ktheva, por tani nuk mund të flisja më me Eglën, nuk mund t’ia shtrëngoja më dorën, nuk mund të qeshja më me të sepse Egla ndërroi jetë natën tjetër. Që nga ajo natë, mënyra si unë e perceptoj jetën dhe këndvështrimi im mbi jetën ka ndryshuar. Egla më ka mësuar ta dua ditën, të dua sekondën, minutën, orën, ta jetoj çdo ditë si të jetë e fundit. Më ka mësuar që njeriu duhet të jetë i fortë dhe duhet të përballojë çdo situatë me forcën më të madhe, me buzëqeshje dhe duke mos e humbur asnjëherë besimin. Kur kam probleme, sfida, mjafton të kujtoj Eglën dhe më duket sikur ajo është aty dhe më thotë: Sara t’i mund t’ia dalësh. Ajo është forcë për mua, është shembulli më i mirë dhe pavarësisht se nuk është më fizikisht nuk do të rresht kurrë së qeni një shpirt i pavdekshëm…

Sara ka thirrur në program dy prindërit heronj, siç i quan ajo prindërit e Eglës, për të treguar se ajo do jetë gjithmonë pranë tyre por gjithashtu ka edhe një surprizë për ta.

Entela: Është Sara, vajza e dytë e imja! Është vajza që më ka ndenjur dhe vazhdon të më rrijë pranë çdo moment!

Sara: Egla, vajza juaj e shtrenjtë është shembullli më i mirë  për mua. Imazhi i saj gjithmonë e buzëqeshur dhe me shkëlqim kristali në sy, nuk do shuhet asnjëherë në mendjen time. Mirësia, zgjuarsia, pozitiviteti kanë lenë gjurmë të thella tek unë. Unë e di që humbja e Eglës është një boshllëk që nuk do mbushet asnjëherë, por dua t’ju kërkoj që të jetoni jetën ashtu siç Egla do të donte të bënit. Të festoni festat, të dilni pak më shumë me shoqërinë sepse edhe Egla do donte t’ju shihte më të gëzuar dhe më aktiv. Teta Entela, kur ne dalim dhe flasim për shkollën time, për punën tënde, për përditshmërinë tonë, mendoj se ka ardhur momenti që të flasim pak më shumë edhe për Eglën sepse ajo vërtet pati një jetë të shkurtër, por na ka lënë kujtime pafund me dashuri. Para disa muajsh, më ke dhënë disa poezi që i ke shkruar kur Egla ishte sëmurë, si dhe pas humbjes së saj dhe unë nuk dua që ato fjalë prej shpirti të humbasin nëpër fletë. Prandaj jam munduar që me një libër modest t’i përmbledh dhe këtë libër t’ia trashëgosh Erbit në mënyrë që të gjithë të njohin Eglën tonë unike.

Ardit Gjebrea: Zoti Engjëll, si mundët ta përballonit dhe t’ja fshihnit vajzës, që mos i tregonit çfarë kishte dhe që mos bënit që ajo ta kuptonte, si ja dolët?

Engjëlli: Faktikisht, zotësia e nuses që çdo gjë, kush hynte dhe kush dilte ishte enigmë. Nuk e lamë të kuptonte se çfarë kishte sepse ajo e donte shumë jetën, e donte shoqërinë, donte gjithçka. Ne nuk donim t’ia ndërprisnim në mes këtë vullnet sepse do ta përjetonte dhe më keq. Prandaj ruajtëm këtë sekret të jashtëzakonshëm, që ajo dhe kur u nda nga ne, u nda buzagaz sepse gjithmonë mendonte se do jetonte. /tvklan

Login to post comments