Ja italiani i rrezikshëm që bënte biznes në Shqipëri, çfarë iu sekuestrua. Nga banesat tek llogaritë bankare

Hënë, 04 November 2019 11:25

Ferdinando Muollo është emri i italianit i dënuar në vendin e tij të lindjes por me leje qëndrimi në Shqipëri dhe prej disa vitesh banues në Durrës, ku ushtronte edhe aktivitetin tregtar. Personi që shihni edhe në foton më poshtë, sipas policisë shqiptare, rezulton i dënuar në Itali, pasi ka qenë pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale kamorriste në zonën e Napolit.

Nga puna gjurmuese policore dhe hetimet proaktive prej afro 18 muajsh, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit policor “Dentisti”, strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Durrësit, gjatë operacionit policor “Dentisti”, arritën identifikimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur paraprakisht 750 000 euro. Pasuritë janë të shtetasit Italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe si porositës i një vrasjeje.

Në këtë hetim, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional ka patur bashkëpunim me partnerët italianë, si dhe ndërmjet Prokurorisë së Durrësit dhe të Napolit.

Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës për asistencë ligjore të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian F. M., 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali.

Shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin tregtar si vijon:

Në vitin 2012 ka regjistruar shoqërinë sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij.

Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon F.M.

Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku F. M. ka 30 % të kuotave.

Më datë 29 tetor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës miratoi kërkesën e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të shtetasit Italian F. M., vlera e të cilave paraprakisht përllogaritet 750 000 euro.

Këto pasuri përfshijnë:
• 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, në Durrës;
• 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, në Durrës;
• 1 automjet me vlerë 40 000 Euro;
• afro 10 000 euro llogari bankare;

Login to post comments