Atentati ndaj prokurorit/ Lubonja: Krimi ka kapur shtetin, duhet një maksi proces si ai kundër mafies në Itali

Hënë, 04 November 2019 18:40

Analisti Fatos Lubonja ka folur në News24 për aktualitetin në vend, duke nisur me ngjarjen më të bujshme të fundjavës së shkuar dhe atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj.

Lubonja tha se ku mbaron krimi e fillon shteti nuk ka një kufi të dallueshëm duke e cilësuar një shkrirje dramatike. Ai foli për një “maxiproces” si ai i Italisë në 86-87, një operacion i nevojshëm për të zbërthyer lidhje e politikës me krimin.

Lubonja tha më tej se atentati është çështje shumë e madhe politike përtej asaj se kush qëlloi.
“Këtu kemi një prokurori i cili gjendet në një makinë çuditërisht me një mafioz, tentohet të vritet nga mafiozë të tjerë ai apo prokurori nuk merret vesh. Pastaj flitet për prona në Gjirin e Lalzit që janë shkaku. Kemi një prokurori të Durrësit që është djegur dhe ajo prokurorja e Durrësit ka ardhur dhe në Tiranë, dmth është bërë dhe më e madhe. Ndjesia që kur mbaron krimi e fillon shteti apo anasjelltas nuk dallohet kufiri. Është një shkrirje dramatike, që shkurt i thonë që krimi ka kapur shtetin sepse ka kapur ekonominë sepse janë të paaftë për të bërë ekonomi. Është çështje shumë e madhe politike përtej asaj kush e vrau, si e vrau. Denoncon strukturën për të cilën është folur aq shumë. Bashkëpunimi i krimit me partitë politike për të kapur votën, votën e kap për të kapur shtetin, shtetin e kap për të vjedhur shqiptarët, shqiptarët i vjedh për t’u pasuruar dhe për të mbajtur pushtetin dhe në bashkëpunim me krimin. E gjithë kjo histori ka një tregues të qartë tek ky atentat i fundit”, deklaroi Lubonja.

Sa i përket deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendës kryeministri Erion Braçe për prokurorin Ndoj dhe efektin që mund të kenë pasur në këtë ngjarje, Lubonja deklaroi se duhet hetuar nga prokuroria për të zbuluar lidhjet.

“Ka një pjesë që thonë që duke u sulmuar direkt nga kryeministri dhe nga zëvendës kryeministri prokurori u bë target i pambrojtshëm, në një farë mënyrë ata sikur i hapën dritën jeshile atentatorëve duke i hequr këtij imunitetin e figurës shtetërore për ta vrarë për interesa pronash, pasurish etj. Kjo është për të hetuar nga prokuroria për të kuptuar se çfarë lidhje kanë ata që qëlluan me pushtetin. Çfarë lidhje kanë ato pronat që flitet me lejet që ka dhënë qeveria. Është një histori që duhet hetuar por që nuk hetohet. Duhet parë se çfarë lidhje kanë ata që e kanë qëlluar me PS në Durrës të Vangjushit për shembull. Të gjitha këto janë për t’u hetuar, ndryshe jetojmë në një kaos. Por që këtu nuk është çudi që vriten prokurorë, banditë e biznesmenë është një gjë që nuk bën çudi”, tha Lubonja.

Analisti u shpreh pesimist nëse do arrijnë hetimet t’i shkojnë deri në fund kësaj ngjarjeje.
“Nuk besoj. Sigurisht mund të kapin autorët, por jo që të zbërthehet e gjithë ajo strukturë që të zbërthehet lidhja e politikës me krimin. Këtu duhet një maksi proces. Maksi procesi që bëri Falcone e Borselino me mafien në Sicili dhe u arrestuan 400 e ca veta. Këtu është bërë situata për një maksi proces. Kush do e bëjë? Se ca thonë do vijën ta bëjnë amerikanët. Nuk e besoj. Ndaj jap një përgjigje pesimiste për atë që thatë. Këta kanë shtetin. Prokurorët janë bërë bashkëpunëtorë të tyre. Nuk besoj absolutisht që këta që kanë mbetur nga vettingu janë të pastër”, theksoi Lubonja.

Login to post comments