Kardinal Ruini: “Katolikët mund të angazhohen në brendësi të atyre forcave politike që tregohen mbështetëse të kauzave të tyre”

E mërkurë, 06 November 2019 14:41

Debati brenda gjirit të Kishës Katolike ka mbërritur në një nivel të ri me intervistën e dhënë nga Kardinal Camillo Ruini, për 16 vjet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, për të përditshmen më të madhe italiane Corriere della Sera. Kardinal Ruini sulmon hapur opinionin e Sinodit për Amazonën, për veshjen priftërinj edhe të gjakonëve të martuar dhe e quan këtë vendim si të nxitur nga ajo pjesë e botës së erotizuar, e cila prej kohësh po mundohet të depërtojë brenda Kishës Katolike. Ai thotë se autoriteti i Kishës ka rënë shumë dhe vë theksin tek rënia e ndikimit të katolikëve, veçanërisht në të majtë të skakierës politike. Kardinal Ruini nxit që katolikët të orientohen drejt atyre forcave politike që i mbështesin kauzat e tyre dhe e quan të padrejtë demonizimin që po i bëhet aktualisht Mateo Salvinit, për të cilin thotë se ka një perspektivë të madhe para vetes.

Debati brenda Kishës Katolike u përket nga afër edhe shqiptarëve, të cilët për thuajse një dekadë kanë parë se përfaqësimi i tyre në të majtën e politikës është kryer nga elementë me precedentë penalë, bile ky përfaqësim është shoqëruar edhe me deklarimin e kryeministrit Rama, se ato bashkësi këta përfaqësues meritojnë.

Ilir Nikolla

Para se të futeshim në dhomën e kardinal Camillo Ruinit (Sassuolo, 1931, për 16 vjet president i ipeshkvijve italianë), mirëseardhjen na e dha zonja Pierina, tradicionalisht një barometër për shëndetin dhe humorin e tij. Si është? Si gjithmonë, i njëjti luftëtar, na e kthen me të qeshur ajo.

Shkëlqesi, tek “Corriere”, Ernesto Galli della Loggia shkruan se vota në Umbria çertifikoi “paqendrueshmërinë e thirrjes politike të krahur katoliko-demokratik, megjithë angazhimin direkt të Kishës. Jeni dakord?

Këto muaj, Galli della Loggia ka shkruar shumë artikuj me theks dhe zhbirues. Edhe unë mendoj se “katolicizmi demokratik”, më konkretisht katolicizmi i pjesës së majtë të politikës, në Itali po ka gjithmonë e më pak peshë, por do isha më i përmbajtur kur bëhet fjalë për një angazhim të drejtpërdrejtë të Kishës”.

Nuk ka qenë ky angazhim në Umbria?

Ai u përket vetëm atyre njerëzve të Kishës që janë personalisht të orientuar nga e majta.

A e keni ndjesinë se katolikët në politikën italianë nuk po konsiderohen fort?

Po, kështu është ditët e sotme. E jo rastësisht. Po mbetem me shpresë se nuk bëhet fjalë për një situatë të pakthyeshme.
Pas fundit të Demokracisë Kristiane dhe unitetit politik të katolikëve, ju zgjodhët rrugën e ndikimit ndër krahët politikë, veçanërisht ndikimit tek qendra e djathtë. Nuk jeni penduar?

S’jam penduar. Pa e mitizuar, kjo rrugë e zgjedhur i dha frytet. Bëhej fjalë për të ndikuar në vendosjen e theksit në çështje të rëndësishme, jo veç për katolikët, por edhe për t’u angazhuar në zgjidhjen e tyre, ose të paktën për të mos i kundërshtuar ato. Kjo linjë gjeti më shumë përkrahës tek qendra e djathtë, por pati mbështetës edhe tek qendra e majtë.  

Ç’duhet të bëjnë sot katolikët që të dëgjohet zëri i tyre? Me ligjin proporcional, a nuk munden të formojnë një parti të tyren?

Pyetje e vështrë. S’është kjo koha për të sjellë në jetë një parti të katolikëve, mungojnë parakushtet, veçanërisht pengon larmia e madhe e qendrimeve brenda Kishës si dhe droja e saj e drejtë për t’u përfshirë në politikë. Por katolikët mund të angazhohen në brendësi të atyre forcave politike që tregohen mbështetëse të kauzave të tyre. Sot është një rrugë më e vështirë se dje, sepse de-kristianizimi po përparon edhe në Itali, por gjithsesi nuk është një rrugë e pamundur.

Kaq i keq është Salvini, sa e përshkruajnë? S’është i mundur një dialog me të? Apo duhet të ndryshojë linjë lidhur me emigrantët?

Nuk e ndaj imazhin krejt negativ mbi Salvinin që na pikturohet në disa ambjente. Mendoj se para tij ka një perspektivë të madhe, edhe pse ka nevojë të piqet në shumë aspekte. Dialogu me të më duket i detyrueshëm, edhe pse personalisht s’e njoh e në njëfarë mënyre diskutimi im mbetet disi abstrakt. Lidhur me emigrantët, si për Salvinin, edhe për secilin prej nesh, vlen fjala e Ungjillit “të duash tjetrin”, por pa nënvlerësuar problemet që ndërthen në vettvete emigracioni.

A gabon ai kur shfaqet në publik duke puthur rruzaren?

Gjesti natyrisht që mund të ngjajë si instrumentalizim dhe mund të prekë ndjeshmërinë tonë. Por s’jam i sigurtë se bëhet fjalë vetëm për një instrumentalizim, mund të jetë një reagim ndaj “politikisht korrektes”, mund të jetë një mënyrë jo fort e gjetur për të nxjerrë në pah rolin e besimit në hapësirën publike.

A është e vërtetë se Selia e Shenjtë rrezikon një crac financiar?

Aktualisht, s’kam informacione për këtë çështje, përtej atyre që lexoj nëpër gazeta. Por kam bërë pjesë për 20 vjet me radhë në Këshillin e Kardinalëve për çështjet ekonomike e them se lajmi është fort i zmadhuar. Selia e Shenjtë s’është aq e pasur sa e kujtojnë shumë veta dhe shpesh bilancet e saj janë me të kuqe, po nga ky nivel të mbërrihet tek crac-u financiar është një distancë e madhe.

Sinodi i Amazonës mund të lejojë gjakonët e martuar të bëhen priftërinj. Mendohet se kjo mund të shërbejë si çekani që do të thyejë portën e detyrimit të celibatit. Apo jo?

Në Amazonë, si edhe në disa pjesë të tjera të botës, ka një mungesë të madhe priftërinjsh dhe komunitetet e krishtera mbeten shpesh pa mundësi për të çuar meshë. Është e kuptueshme shtysa për të pranuar priftërinj edhe gjakonë të martuar dhe në këtë drejtim u orientua edhe shumica e Sinodit. Por për mendimin tim bëhet fjalë për një zgjedhje të gabuar dhe shpresoj shumë që Papa, në dokumentin apostolik postsinodal të mos e konfirmojë.

Pse e gabuar?

Dy janë arsyet kryesore. Celibati i priftërinjve është një shenjë e madhe e kushtimit total Zotit dhe në shërbim të vëllezërve, veçanërisht në një kontekst kaq të erotizuar sa ky ku jetojmë sot. Heqja dorë, edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, do të ishte një shërbim ndaj asaj bote, që kërkon gjithmonë të depërtojë brenda Kishës, dhe që vështirë do të ndalej vetëm tek rastet e jashtëzakonshme si realiteti në Amazonë. E pastaj të mos harrojmë se sot martesa ësthë në krizë të thellë. Priftërinjtë e martuar dhe bashkëshortet e tyre do të ishin të ekspozuar ndaj këtij rreziku dhe gjendja e tyre njerëzore e shpirtërore s’ka si të mos ndikohet.

Po thoni se një prift i divorcuar do të ishte një problem?

Pikërisht.

Ju s’e keni ndjerë ndonjëherë mungesën e familjes, e të pasurit fëmijë?

Të jetosh celibatin nuk ka qenë e thjeshtë, por ka qenë një dhuratë e madhe e Zotit. S’e kam ndjerë peshën e mungesës së fëmijëve, ndoshta për shkak se kam ndjerë dashurinë e shumë të rinjve. Sa për mungesën e familjes, jam mjaft i lidhur me motrën time Donata (kardinali tregon foton e një zonje të qeshur, që e mban në krah të fotos së Vojtilës) dhe kam pasur fatin të jetoj pranë personave që kanë qenë për me si një familje.

Atehere, ç’duhet bërë për të luftuar rënien e vokacionit? Për të mbushur seminaret, si edhe kishat, shpeshherë të shkreta?

Për të gjitha këto pikëpyetje, përgjigjja është një e vetme: ne të krishterët, veçanërisht priftërinjtë dhe personi religjioz, duhet të çojmë një jetë më pranë Zotit, një jetë më të shenjtë, duke iu lutur përditë Zotit për këtë gjë. Duke u lutur pa u lodhur.

Papa Françesku po sulmohet si nga ata – ipeshkvijtë gjermanë përshembull – që e duan më reformator, si nga ata – ipeshkvijtë amerikanë – që e duan më konservator. A po rrezikohet një skizmë?

S’e besoj, dhe shpresoj me gjithë zemër që s’do të ndodhë. Uniteti i Kishës është një e mirë parësore dhe ne ipeshkvijtë, së bashku me Papën, duhet të jemi mbështetësit kryesorë të saj.

Ju si e gjykoni pontifikatin aktual? A gabojnë ata që e përcaktojnë Papën si një “të majtë”, bile si “një populist”?

Jezu Krishti ka thënë: Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Aq më tepër unë mund të gjykoj Françeskun, që është Papa im, të cilit i detyrohem respekt, bindje e dashuri. Në këtë frymë, mund t’ju them se Papa Françesku ka vendosur të varfrit në qendër të pontifikatit të tij, bile kujtoj se edhe Shën Gjon Pali II, krejt ndryshe prej tij, pat përsëritur shpesh dashurinë e tij preferenciale për të varfrit.  

A dalloni një rënie të autoritetit të Kishës Italiane?

Për fat të keq po, edhe pse s’duhet ta zmadhojmë e as të biem në dëshpërim. Për të rikthyer autoritetin, duhet të shprehemi me qartësi, guxim e realizëm për probleme konkrete, vetëm kështu njerëzit mund të kuptojnë se mesazhi i krishterë u intereson nga afër.

Papa Emerito Ratcinger thotë se kriza e Evropës është antropologjike: njeriu s’di më se cili është. Ju jeni dakord?

Po. Arsyeja kryesore pse s’dimë më kush jemi është se nuk besojmë më se jemi krijuar sipas imazhit të Zotit, për pasojë s’kemi më identitetin tonë në natyrë.

Ju keni shkruar një libër për të përtejmen, “Ka një përtej? Vdekja dhe shpresa”. Si e përfytyroni?

Jam 88 vjeç, dhe edhe për këtë arsye, mendoj çdo ditë për të përtejmen, veçanërisht në lutje. Ta përfytyroj e kam të pamundur, nëse s’llogaris çfarë na ka thënë Jezu Krishti, se do të jemi përgjithmonë me Të dhe me Zotin Atë, bashkë me vëllezërit tanë. Të jetuarit sot e përditë raportin me Zotin është një mënyrë për të shijuar gazmendin që na pret e që e kalon çdo dëshirë tonën.

Keni pasur ndonjëherë dyshime mbi pavdekshmërinë e shpirtit dhe rimishërimin?

Para Kantit, pavdekshmëria e shpirtit ishte ideja mbizotëruese mes filozofëve, por “skandali” i vërtetë ishte krishterimi dhe rimishërimi i të vdekurve. Dyshime jo, por cytjet kundër besimit në shpëtimin e ardhshëm më kanë shoqëruar gjithmonë, bile më kanë lodhur. Të fitoj mbi to më ndihmon teologjia, por edhe më shumë më ndihmon lutja. Na ngushëllojnë edhe shenjat që na vijnë prej përtej herë pas here.

Ç’shenja?

Kujto aq shumë shërime që kanë ndodhur në sajë të ndërhyrjes së Padre Pios, apo ato – dhe e di me siguri – të Shën Gjon Palit II.

Login to post comments